2010-11-25 17:53:40

Kardinali Antoneli në Kongresin Ndërkombëtar kushtuar familjes së krishterë: “Familja rruga e parë për përçimin e fesë”.


(25.11.2010 RV)“Familja e krishterë ka qenë gjithmonë rruga e parë e përçimit të fesë. Edhe sot ajo ka mundësi të mëdha për ungjillëzim.” Kështu pohoi kardinali Enio Antoneli në fjalën mbajtur sot paradite në hapjen e punimeve të Kongresit ndërkombëtar kushtuar familjes së krishterë, në Romë. Debatet dhe dëshmitë do të vazhdojnë deri të shtunën e ardhshme, kur seanca përfundimtare e Kongresit do të mbyllet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan me “Mbrëmësoren e jetës që lind” kryesuar nga vetë Papa Benedikti XVI.

Gjashtëdhjetë e gjashtë dëshmi nga të katër anët e botës për të dëshmuar se sot familja është dhe mund të jetë protagoniste e fesë që i shndërron zemrat e njerëzve e bashkë me to edhe shoqërinë. Këto familje janë zgjedhur nga 187 dëshmi që Këshilli Papnor për Familjen ka grumbulluar falë bashkëpunimit me ipeshkvitë. Punimet e Kongresit i hapi kardinali Antoneli, i cili në fjalën e vet, theksoi se kongresi vetë përfaqëson “inaugurimin zyrtar të një procesi të përhershëm të komunikimit të dëshmive e përvojave të familjeve të krishtera. Dëshirojmë të inaugurojmë kështu një proces që ka si synim mbledhjen dhe vënien në qarkullim të përvojave vlerësuar si më interesantet dhe më të përshtatshmet për të frymëzuar përvoja të tjera të reja.” – nënvizoi kardinali Antoneli. Kjo sepse – vazhdoi prelati duke marrë shkas nga një ide e Benediktit XVI, – “përvojat flasin me gjuhën e fakteve dhe janë shumë më bindëse sesa idetë, sepse nuk tregojnë vetëm atë që duhet bërë por atë që, me ndihmën e Zotit, mund të bëhet.”

Sot paradite, nëna, etër, fëmijë të organizatave të ndryshme fetare, si Veprimi Katolik, Lëvizja e Fokolarinëve etj, morën fjalën përpara mikrofonit për të treguar sesi krishterimi i ka dhënë një shpirt të ri familjeve të tyre. frontet e veprimtarisë nga më të kryesorët si: edukimi i fëmijëve dhe i adoleshentëve, përgatitja e të fejuarve për martesë, birësimet dhe vullnetariati, impenjimi politik dhe kulturor. Gjithësia e familjes, pra, do të shqyrtohet imtësisht gjatë këtyre ditëve në çdo pikëpamje dhe do të pasurohet herë pas here me dëshmi shembullore përsa i përket “origjinalitetit” por edhe fesë së gjallë. Megjithatë, theksoi kard. Antoneli “nuk bëhet fjalë vetëm për shembuj të mirë të krishterëve, por edhe për jetë sakramentale; jo vetëm për përdorim të drejtë të lirisë njerëzore por edhe për pranim të hirit hyjnor ndër zemra; bëhet fjalë jo vetëm për dashuri të krishterë por edhe për vetë dashurinë e Krishtit, që mirëpritet, dhe pastaj iu përcillet të tjerëve”. Por për të arritur në këtë shkallë të përgjegjësisë së familjeve – vazhdoi prelati – është e nevojshme të zhvillohet një “baritori e së vërtetës” përqendruar tek rëndësia dhe bukuria e kumtimit të krishterë, nevojitet një “baritori e shenjtërisë”, që merr frymëzim nga jeta e individëve të veçantë ose e bashkësive fetare të cilat, “nuk kënaqen me një jetë mediokre, jetuar sipas një etike minimaliste ose të një besimi fetar sipërfaqësor”. Nevojitet një “baritori e përshpirtshmërisë”, thënë ndryshe, hapje për dialogun, promovimin dhe zhvillimin e plotë të njeriut, të të drejtave njerëzore, të familjes, të shoqërisë e deri në hartimin e disa mënyrave konkrete të impenjimit shoqëror.

Meshën e kremtuar paradite në nder të hapjes së punimeve të Kongresit e kryesoi prefekti i Kongregatës për Kultin e Shenjtë e Disiplinën e Sakramenteve kardinali Antonio Kanizares Lovera. Në përfundim të homelisë kardinali Lovera vuri në dukje faktin domethënës se “pa Meshën, të paktën atë të së Dielës, nuk ka Kishë, nuk ka familje të krishterë, nuk ka ungjillëzim, nuk ka familje të krishterë si subjekt të ungjillëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.