“Mësues i drejtësisë”: kështu e kujtoi Papa kardinalin Navarrete, në Meshën e dritës,
në Vatikan.
(24.11.2010 RV)“Besojmë se emri i tij duhet të jetë shkruar në ‘librin e jetës”:
kështu u shpreh Benedikti XVI, në Meshën e dritës për kardinalin spanjoll Urban Navarrete,
kremtuar sot paradite, në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Anxhelo Sodano,
dekan i Kolegjit Kardinalor. Në përfundim të kremtimit, Benedikti XVI kryesoi ritet
e Ultima Commendatio dhe Valedictio, duke i dhënë, kështu, lamtumirën e fundit kardinalit
të ndjerë, që vdiq të hënën e kaluar, në moshën 90 vjeçare.
“Mësues i drejtësisë”,
Urban Navarrete, bir shpirtëror i Shën Injacit të Lojolës, vdiq pas një shtegtimi
të gjatë e të frytshëm tokësor, nënvizoi Papa dhe, me shpirtin plot mirënjohje, kujtoi
shkurtimisht jetën e Kardinalit të ndjerë: “Studimi i përpiktë e mësimdhënia
plot pasion e së drejtës kanonike, ishin elementet që kishte vënë në qendër të vëmendjes.
Të edukonte posaçërisht breznitë e reja me drejtësisnë e vërtetë, atë të Krishtit,
të Ungjillit: ja shërbimi që kreu kardinali gjatë gjithë jetës”. Specialist
i së drejtës martesore, dekan i Fakultetit të së drejtës kanonike pranë Universitetit
Papnor Gregorian, më pas rektor i të njëjtit universitet, dha një ndihmesë të shquar
për rishikimin e Kodit të së Drejtës Kanonike. Qe këshilltar i dikastereve të ndryshme
të Kuries Romake dhe dëshmitar i vëmendshëm i disa ngjarjeve të mëdha, si Sinodi dioqezan
i Romës dhe Koncili II i Vatikanit. “Nuk e kam vënë kurrë në dyshim rrugën që zgjodha”,
pati deklaruar në një intervistë kushtuar thirrjes së tij meshtarake, që i lindi në
gjirin e një familjeje të përshpirtshme, në të cilën nga 6 vëllezërit e motrat e
tij, tre u bënë jezuitë e dy murgesha. Tre ishin parimet themelore, që frymëzuan
jetën e tij si studiues; shumë dashuri për të kaluarën: ndjeshmëri ndaj problemeve,
kërkesave e sfidave të së sotmes, aftësi për ta shikuar të ardhmen pa frikë, por me
shpresë, me atë shpresë, që buron nga feja, kujtoi në përfundim Papa: “Një vizion
thellësisht i krishterë, që i priu impenjimit të tij për Zotin, për Kishën, për njeriun,
në mësim e në vepra”.