2010-11-24 17:24:07

Keqardhja e Papës për shugurimin e një ipeshkvi në Kinë, pa mandat apostolik: plagos bashkimin e Kishës.


(24.11.2010 RV)Ati i Shenjtë mori, me keqardhje të thellë, lajmin që flet për shugurimin ipeshkvnor të të nderuarit Jozef Gua Çingçai. Shugurimi u kremtua të shtunën e kaluar, më 20 nëntor, në Çendè, në provincën kineze të Hebei-t.
Shugurimi - shkruhet në një notë të Sallës vatikanase të Shtypit - u kremtua pa mandat apostolik e, prandaj, duhet konsideruar si plagë që dhemb në bashkimin kishtar e, jo më pak, edhe si shkelje e disiplinës katolike.
Dihet - shkruhet më tej në notën e Sallës së Shtypit - se ditët e fundit, ipeshkvij të ndryshëm, iu nënshtruan presioneve dhe kufizimeve të lirisë së lëvizjes, me qëllim që të detyroheshin për të marrë pjesë në kremtim e për të dhënë sakramentin e shugurimit ipeshkvnor. Kufizime të tilla nga ana e autoriteteve qeveritare e atyre të sigurimit të shtetit kinez - nënvizohet në notë - përbëjnë një dhunim të rëndë të lirisë së fesë e të ndërgjegjes. Selia e Shenjtë ruan të drejtën të përgjigjet më vonë, pasi ta ketë vlerësuar thellësisht ngjarjen, ndërmjet tjerash, edhe në këndvështrimin e vlerës së shugurimit dhe të pozitës kanonike të ipeshkvijve, që morën pjesë në të. Sidoqoftë, nënvizohet, kjo peshon, në radhë të parë, mbi të nderuarin Jozef Gua Çingçai i cili, si pasojë e këtij shugurimi ipeshkvnor, ndodhet në një gjendje tejet të rëndë kanonike përballë Kishës në Kinë e Kishës universale, duke pasur parasysh edhe masat jo të lehta ndeshkimore që parashikohen, në mënyrë të veçantë nga neni 1382 i Kodit të së Drejtës Kanonike.
Një shugurim i tillë - vijon nota - jo vetëm që nuk i ndihmon katolikët e Çende-së, por i vë në kushte tejet delikate e të vështira, sipas profilit kanonik, e edhe i poshtëron, sepse autoritetet kineze duan t’u imponojnë atyre një bari, i cili nuk është në bashkim të plotë as me Atin e Shenjtë e as me ipeshkvijtë e tjerë, të shpërndarë në mbarë botën.
Më se një herë - kujtohet në notë - Selia e Shenjtë u komunikoi qartë autoriteteve kineze se nuk ishte dakord për shugurimin e të nderuarit Jozef Gua Çingçai. E megjithatë autoritetet kineze vendosën të veprojnë në mënyrë të njëanshme, në dëm të atmosferës së respektit me Selinë e Shenjtë e Kishën katolike, të krijuar me aq mundim.
Preteksti për ta vënë veten mbi ipeshkvijtë e për ta udhëhequr jetën e bashkësisë kishtare - lexohet në notë - nuk përkon me doktrinën katolike, fyen Atin e Shenjtë, Kishën në Kinë e Kishën universale, duke i thelluar më tej vështirësitë aktuale baritore.Selia e Shenjtë - shtohet në notë - ripohon gatishmërinë për të dialoguar me autoritetet kineze, me qëllim që të kapërcehen vështirësitë e të normalizohen marrëdhëniet, por konstaton me keqardhje se autoritetet lejojnë që udhëheqja e Shoqatës Patriotike Katolike Kineze, nën ndikimin e zotit Liu Bainian, të kryejë veprime, që e dëmtojnë rëndë Kishën Katolike dhe e pengojnë seriozisht këtë dialog.
Katolikët e mbarë botës - përfundon nota - e ndjekin me vëmendje të veçantë ecjen e mundimshme të Kishës në Kinë: solidariteti shpirtëror, me të cilin i shoqërojnë ngjarjet e vëllezërve e motrave kineze, bëhet lutje e zjarrtë drejtuar Zotit të historisë, që t’u qëndrojë pranë, t’ua mbajë gjallë shpresën e t’i ngushëllojë në çastet e provës.







All the contents on this site are copyrighted ©.