Me 23 nëntor,kalendari Kishtar përkujton papën Shën Klementi I romak e martir
(23.11.2010 RV) Kisha kremtoi sot më 23 nëntor Shën Klementin I Romak, Pasardhës
i katërt i Shën Pjetrit, i nderuar që në shekujt e parë të krishterimit me titullin
e martirit. Klementi I, papë e martir romak, është ndër Etërit e mëdhenj të Kishës.
Për
Papën Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej
tyre mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua
e vendin e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati
i Romës iu besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar,
pas Shën Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin
e e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve
që u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.
Në Letrën e tij drejtuar korintianëve,
Shën Klementi I, papë na ofron një dokument që përmban një reflektim ndriçues mbi
identitetin e Kishës dhe mbi rolin e laikëve.
Nën Papën Klementin Romak, me
që bashkësia e vëllezërve të Korintit qe tronditur thellë nga përçarjet, Kisha e Romës
i drejtoi një Letër, në të cilën prekeshin temat aktuale – atëherë e sot – të identitetit
të Kishës e të misionit të saj.
Dokumenti i nxiste besimtarët të ishin të
përvujtë e ta donin njëri-tjetrin me dashuri vëllazërore. Madje në Letër ndeshim për
herë të parë fjalën ‘laik’, apo ‘shekullar’, që në letërsinë e krishterë do të thotë
‘anëtar i popullit të Zotit’. Në këtë letër Shën Klementi nënvizon edhe idealin e
tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të
ndryshme të Krishtit e shpjegon se në Kishë të gjithë, të bashkuar në mënyrë të pandashme,
janë gjymtyrë të njëri-tjetrit.
Po mos të harrojmë se “dallimi ndërmjet
laikut e hierarkisë nuk do të thotë kurrsesi kundërvënie, është thjesht lidhje organike
e një trupi, e një organizmi, me funksione të ndryshme. Kisha nuk është vend pështjellimesh
e anarkie, ku kushdo mund të bëjë si të dojë e kur të dojë: secili në këtë organizëm
ushtron detyrën e tij, me një strukturë të mirorganizuar, sipas thirrjes që ka marrë”
(Benedikti XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007).
Para
së gjithash – u shkruan Klementi korintianëve, në përpjekjen për t’i pajtuar – është
kumtimi i gëzueshëm i hirit, që shëlbon. Ky kumtim e mbush me gëzim jetën tonë e i
jep siguri veprimtarisë sonë: Zoti na paraprin përherë me mirësinë e tij e mirësia
e Zotit është gjithnjë shumë më e madhe se të gjitha mëkatet tona. Por ne duhet të
angazhohemi e të punojmë në mënyrë koherente me dhuratën, që kemi marrë e t’i përgjigjemi
kumtimit të shëlbimit, duke ecur me fisnikëri e guxim në rrugën e pendimit, shkruan
Shën Klementi, duke nënvizuar edhe idealin e tij për Kishën, mbledhur nga i vetmi
Shpirt i hirit, që i jep frymë gjymtyrëve të ndryshme të Krishtit.
Klementi
shpjegon qartë doktrinën e vazhdimësisë apostolike, duke nënvizuar se normat që e
rregullojnë, burojnë nga vetë Zoti. Gjithçka vjen nga vullneti i Zotit – shkruan Shën
Klementi. E këtu theksohet me forcë se Kisha ka strukturë sakramentore e jo strukturë
politike:
“Kisha mbi të gjitha është dhuratë e Hyjit e jo krijesë e jona,
prandaj kjo strukturë sakramentore nuk garanton vetëm rendin e zakonshëm, por edhe
përparësinë e dhuratës së Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë”. (Benedikti
XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007)
E Klementi I papë
e përfundon Letrën e tij me një lutje të frymëzuar, lutja më e lashtë, pas teksteve
të Besëlidhjes së Re – për institucionet politike, menjëherë pas persekutimit të të
krishterëve. Na kujton sërish, kështu, se duhet të lutemi për ata që na persekutojnë,
ashtu siç bëri Jezusi mbi Kryq. Kjo lutje i prin në rrjedhë shekujsh sjelljes së të
krishterëve ndaj politikës e shtetit:
“Duke u lutur për autoritetet, Klementi
njeh ligjshmërinë e institucioneve politike e njëkohësisht shqetësohet për to, sepse
dëshiron që këto institucione ta ushtrojnë pushtetin që u ka dhënë Zoti në paqe e
përdëllim (61,2).Qesari nuk është gjithçka. Mbi të lartohet një sovranitet tjetër,
zanafilla dhe thelbi i të cilit nuk janë të kësaj bote, por të botës qiellore: është
kjo e Vërteta e Zotit, që kërkon edhe nga shteti të drejtën të dëgjohet”. (Benedikti
XVI katekizmi në audiencë të përgjithshme të 7 marsit 2007).
Ende sot Bazilika
e Shën Klementit I romak, papë e martir është një nga vendet më të vizituara në Romë.
E ngritur në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e
rindërtuar disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket
e Shën Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Qirilli
e Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar
nga Nerva, me një spirancë të varur në qafë. Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen
akoma afresket e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me
shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane.