2010-11-22 17:40:25

Mesazhi i Papës simpoziumit kushtuar të Lumit Xhon Henri Njumën: të jetosh, do të thotë të zbulosh të vërtetën se “Zoti është Dashuri”.


(22.11.2010 RV) “I Lumi Xhon Njumën, mjeshtër që na mëson se parësia e Zotit është parësi e së vërtetës dhe e dashurisë, e kuptoi vartësinë e tij nga Ai, që është zanafilla e të gjitha sendeve, duke gjetur kështu, në Zotin, kuptimin e identitetit personal”. Kështu shkruan Benedikti XVI në mesazhin, drejtuar simpoziumit ndërkombëtar me titull “Parësia e Zotit në jetën e në shkrimet e të Lumit Xhon Njumën”. Takimi, që u hap sot në Romë, pranë Universitetit Papnor Gregorian, organizohet nga fakulteti i teologjisë të të njëjtit universitet dhe nga Qendra ndërkombëtare e “Miqve të Njumën”.

Kardinali Xhon Henri Njumën, që u shpall i Lum nga Papa Benedikti XVI më 19 shtatorin e kaluar, u udhëhoq nga dy kritere themelore: i pari është shenjtëria, të cilën ai e vuri mbi paqen, gjë që do të thotë vullnet i patundur për ta lëshuar veten plot besim në dorën e Atit e për ta jetuar besnikërisht të vërtetën e njohur. Kardinali Njumën – vëren Papa - nuk e uli kurrë veten aq poshtë, sa të pranojë kompromise të rreme; nuk u kënaq kurrë me marrëveshje, që arrihen lehtë. E kërkoi gjithnjë ndershmërisht të vërtetën, duke dëgjuar me besnikëri zërin e ndërgjegjes së vet e duke synuar gjithnjë idealin e shenjtërisë.
Kriteri i dytë bazohet mbi bindjen se rritja është e vetmja shprehje e jetës. Ky parim- nënvizon Ati i Shenjtë - shpreh gatishmërinë e kardinalit Njumën për kthesë të vazhdueshme, për shndërrim, për rritje shpirtërore. Përvoja e rritjes, me besnikëri ndaj vetvetes e ndaj vullnetit të Zotit - shton Papa - shprehet në këto fjalë të të Lumit Xhon Henri Njumën: “Këtu, mbi tokë, të jetosh, do të thotë të ndryshosh, e përsosuria është rezultat i shndërrimeve të shumta”. Por të jetosh do të thotë edhe të zbulosh të vërtetën objektive të Zotit personal e të gjallë, që i flet ndërgjegjes e i zbulon njeriut se s’është tjetër, veçse krijesë e Tij. Duke kujtuar fjalët e kardinalit Njumën, Papa nënvizon më pas se “njeriu nuk duhet ta kërkojë të vërtetën thjesht për të kënaqur kuriozitetin”. Zbulimi i së vërtetës nuk i ngjet në asgjë ngacmimit, që shkakton dëshira për zbulime. E vërteta është një e vetme, është parësia e Zotit - përfundon Papa - e kjo për Kardinalin ka kuptimin e parësisë të së vërtetës; e vërtetë, që njeriu duhet ta kërkojë sidomos duke u treguar i gatshëm për ballafaqim shpirtëror të hapur e të sinqertë me të gjithë, gjë që arrin kulmin në takimin me Krishtin, Rruga, e Vërteta, Jeta!







All the contents on this site are copyrighted ©.