2010-11-22 14:33:07

Atë Gjergj Guxeta në përvjetorin e 254-të të vdekjes


(22.11.2010 RV)Nuk mund të flasim për shkrimtarët klerikë që mbajtën gjallë gjuhën e kulturën e të parëve ndër arbëreshët e Sicilisë, pa përmendur së pari Atë Gjergj Guxetën, themeluesin e Seminarit greko- shqiptar të Palermos, ku u përgatiten meshtarët, atdhetarët e shkrimtarët më të njohur arbëresh të Sicilisë.
Është Atë Guzzetta (1682 - 1756) ai që hodhi themelet e ndërtesës së kulturës arbëreshe, ku do të ruheshin të paprekura gjuha dhe traditat shqiptare në Sicili. Në shkollën e tij qe edukuar pothuajse e gjithë inteligjencia e kolonive të ishullit me një frymë që pajtohej plotësisht me trashëgiminë fetare e kulturore të Atdheut të etërve.
Seminari palermitan u bë farka e poetëve të ardhshëm, që çuan më tej traditat e krijuara nga paraardhësit e Atë Guxetës. Këta paraardhës e patën filluar shumë shpejt ndër seminaret e dioqezave latine edukimin e meshtarëve të rinj, me kulturë të gjerë humaniste dhe me njohuri të thella në liturgjinë bizantine.
Ndërkohë prifti shqiptar nga Sicilia, Gjergj Guxeta, me shkrimet e veta ngrinte zërin në mbrojtje të Kombit shqiptar dhe siguronte mjetet për themelimin e Seminarit të Palermos, që do të bëhej një nga vatrat kryesore të kulturës dhe të atdhetarizmit shqiptar, çerdhe e një plejade shkrimtarësh e poetësh të shquar, të gjithë katolikë.
Emri i Atë Gjergj Guxetës na sjell menjëherë në mendje edhe zbulimin e ‘Mesharit’. Kujtojmë se kopja e vetme e Mesharit të Buzukut, ardhur deri në ditët tona, u zbulua rastësisht më 1740 në bibliotekën e Kolegjit të Propaganda Fides prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova kur, si Argjipeshkëv i Shkupit, ishte për vizitë në Romë. Pas këtij zbulimi, Imzot Kazazi kumtoi se kishte gjetur "një meshar të lashtë shqiptar të rrëgjuar nga koha". Kazazi bëri një kopje fragmentesh të tekstit e ia dërgoi Gjergj Guxetës. Dihet se në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë libri bënte pjesë në koleksionin e pasur të kardinalit Stefan Borxhia, që më vonë përfundoi në Bibliotekën e Vatikanit. Pas shumë vitesh harrimi, Meshari u nxor në dritë nga imzot Pal Skiroi (Paolo Schirò, 1866-1941).







All the contents on this site are copyrighted ©.