102-vjet më parë në Manastir lindte alfabeti i sotëm i shqipes
(22.11.2010 RV)Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908
për të vendosur për problemin e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria
Bashkimi dhe u propagandua nga Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"...
ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë
për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e
pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim
të harijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante
Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje, ku morën pjesë delegatë të të gjitha
besimeve nga mbarë Shqipëria dhe kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit
e shquar qenë Atë Gjergj Fishta, dom Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe
Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma
Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni, dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi
zgjodhi një komision prej njëmbëdhjetë anëtarësh nën kryesinë e Atë Gjergj Fishtës
për të studiuar problemin e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë
në mendimin e përbashkët që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit
kombëtar. Nismëtar i kësaj fryme qe Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar
prej shoqërisë Bashkimi, s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të
gjetur një rrugë që çonte në bashkimin e përgjithshëm. Tre alfabetet kryesorë
që u morën në shqyrtim qenë: alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar
nga dom Ndre Mjeda; alfabeti i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga
Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët
ishin më fort për alfabetin tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin
alfabetin e Bashkimit, i cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja
jolatine. U shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur
nga Kostandin Kristoforidhi, dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm,
sidomos në Maqedoni e Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë
kohë pas Kongresit. Komisioni vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve
të Bashkimit e të Stambollit. Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime.
Pranimi nga të gjithë i vendimit të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me
vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin
shkallë-shkallë nga alfabeti i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes
i bazuar në shkronja latine, duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke
hedhur bazat për formimin e gjuhës letrare shqipe.