2010-11-21 18:50:41

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 21 nëntor, Kisha kremton të dielen e 34-të dhe të fundit të kohës liturgjike gjatë vitit kishtar, të cilën ia kushton solemnitetit të Zotit tonë Jezu Krishtit, Mbret i Gjithësisë. Po sot më 21 nëntor kalendari përkujton edhe festën e Kushtimit të Zojës Mari.
Liturgjia na fton të reflektojmë për Mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Cdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit na ka dhënë të gjithëve jeta e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.
 
Nesër e hënë 22 nëntor, kalendari Kishtar përkujton Shën Çeçiljen, virgjër e martire. Liturgjia e ditës që na kujton se nxënës i vërtetë i Krishtit nuk është ai që e pret pasivisht kthimin e Zotit, por ai që bëhet shërbëtor i palodhur i mbretërisë së qiellit.
 
Të martën e ardhshme më 23 nëntor, kalendari përkujton Shën Klementin I, papë e martir, Shën Kolombanin, abat e të Shën Feliçitën, martire. Duke ndjekur, kujtojmë dënesën e Krishtit përballë qytetit të zgjedhur, Jeruzalemit dhe fatit të tij tragjik. Qyteti që nuk e njohu Zotin, u përjashtua nga rruga e paqes.

Të mërkurën më 24 nëntor, bie përkujtimi i Shën Dung- Lak, meshtar e shokët e tij martirë. Liturgjia e ditës na kujton këtë lutje: “Në fjalët tua, o Zot, gjej gëzimin tim, sepse je ti streha ime e shpëtimi im”.
Të enjten e ardhshme më 25 nëntor, do të përkujtohet Shën Katerina e Aleksandrisë, virgjër e martire, Shën Moisiu martir, Shën Pjetri i Aleksandrisë ipeshkëv e martir dhe të lumët Luigji e Maria Beltrame Quatroki, bashkëshortë. Liturgjia na kujtojnë se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të.
Të premten më 26 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Siriçin, papë; Shën Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Shën Silvestrin abat, themelues i silvestrinëve. Liturgjia e ditës na kujton, kështu, se gjërat që i përkasin Zotit duhen respektuar në çdo kohë e, sidomos, duhet respektuar çdo njeri, sepse pikërisht njeriu ka vlerë më shumë se të gjitha thesaret përpara syve të Hyjit.
Shën Virgjili, ipeshkëv i Salcburgut, do të kremtohet të shtunën më 27 nëntor. Liturgjia e ditës na kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.
Të dielën e ardhshme më 28 nëntor, Kisha fillon Vitin e Ri liturgjik e kremton të dielën e parë të kohës së Ardhjes, ciklit të parë. Nis përgatitja shpirtërore për të pritur Ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krisht.
Po të dielën më 28 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Jakun e Markeve, meshtar françeskan. Liturgjia na kujton se Jezusi na mëson të përgatitemi për të pranuan farën e Jetës Hyjnore e të jemi me Të. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë njerëore, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.