2010-11-19 17:50:25

Papa pranë të krishterëve në Irak. Imzot Filoni takohet me të plagosurit irakianë në spitalin romak “Gjemeli’


(19.11.2010 RV)Zëvendës-Sekretari i Shtetit të Vatikanit për Çështje të përgjithshme, imzot Fernando Filoni, ishte dje për vizitë në Poliklinikën ‘Agostino Gjemeli’ të Romës, për t’u takuar me disa nga të krishterët, plagosur gjatë sulmit kundër Katedrales siro-katolike të Bagdadit, më 31 tetorin e kaluar. Me këtë vizitë, prelati i lartë u dëshmoi irakianëve se Ati i Shenjtë merr pjesë në vuajtjet e tyre, të bashkësisë së krishterë e të mbarë popullit irakian. Intervistuar nga Radio Vatikani, kryeipeshkvi Filoni, për një kohë të gjatë nunc apostolik në Bagdad, flet me emocion për këtë takim e ndalet posaçërisht tek situata e vështirë në Irak, që vijon. Ta dëgjojmë:........RealAudioMP3

Përgjigje: - Ishte takim i dëshiruar nga Ati i Shenjtë, i cili më zgjodhi mua, për t’u shprehur irakianëve afërsinë e tij, praninë e tij e dashurinë e tij, natyrisht pa harruar t’i ndjekë edhe personalisht një për një këto njerëz, ardhur këtu, në Romë, në një situatë të rëndë. Është fjala për 36-37 të plagosur dhe për shoqëruesit e tyre. Prandaj duhet thënë se vizita ime në spital, mbi të gjitha është shprehje e dashurisë, e solidaritetit, e nderimit dhe e afërsisë së Atit të Shenjtë. Takimi ishte shumë i ngrohtë, i përzemërt: shumicën e të shtruarve në spitalin romak, i përshëndeta personalisht. U ndalova pranë krevateve të tyre, dëgjova historitë e tyre, vëshirësitë e pashë edhe emocionet tejet të dukshme, natyrisht. U emocinuan, sepse në praninë time shikonin Atin e Shenjtë, që kujdesej për ta. E, pse jo, u lindte edhe shpresa për një takim personal me vetë Papën.

Pyetje: - Shenjtëria e Tij ka bërë një mori thirrjesh në favor të të krishterëve të persekutuar në Irak. Sipas jush, a është i mjaftueshëm mobilizimi, në nivel ndërkombëtar, për ta mbrojtur në masën duhur pakicën e krishterë në Irak?

Përgjigje: - Është gjithnjë e vështirë të gjykosh në se është e mjaftueshme apo jo, kur ndodhesh përballë situatash, si kjo që e jetuam edhe me 31 tetor në Bagdad. Sado të bëhet, të duket pak, sepse përballë tragjedisë së 50 të vrarëve, dramës, që vijon të trondisë shpirtin e familjarëve të viktimave, shokut që pësuan, gjithçka bëhet, të duket relative. Selia e Shenjtë u impenjua me të gjitha forcat pranë qeverive, të cilave u kujtoi detyrën e tyre në një situate të tillë, u impenjua edhe më shumë me organizatat bamirëse, me Konferencat ipeshkvnore e jo vetëm për ndihma materiale. Mjafton të mendojmë për manifestimet në një mori vendesh, përfshirë Brukselin e Parisin. Ne marrim edhe ndihma e letra solidariteti nga Kishat ortodokse; në këtë kuptim, kemi pasur edhe solidaritetin e autoriteteve diplomatike e të qeverive. Po lëvizet, pra. Shpresojmë se e gjithë kjo do të ketë edhe rezultate konkrete, në një situatë që, në këtë çast, në Irak, është tejet delikate edhe e vështirë.

Pyetje: - Shkëlqesi, ju keni qenë për një kohë të gjatë në Irak: ç’mendoni për ardhmërinë e të krishterëve irakianë? E bëj këtë pyetje, nga që jam i sigurtë se i keni shumë për zemër...

Përgjigje: - Kur qenë zgjedhjet e para, pata folur për një farë, që ishte hedhur. Farë lirie e edhe bashkëjetese, që po rritet me vështirësi. Prandaj mund të them se shpresoj, e jo vetëm unë, se Iraku do ta gjejë rrugën e vërtetë drejt bashkëjetesës, respektit reciprok. Këtë presin shumë irakianë të krishterë të cilët, ndonëse sot i kanë braktisur trojet, shtëpitë, vatrat, Vendin, vijojnë të jetojnë me shpresën e kthimit. Në se fara do ta rritë shtatin, shpreh bindjen se shumë të krishterë do të rikthehen përsëri në vend, në zanafillën e tyre, pranë të dashurve, në trojeve e të parëve. Shpresoj, pra, se kjo nuk do të mbetet thjesht shpresë, por do të mund të bëhet realitet.







All the contents on this site are copyrighted ©.