2010-11-19 14:26:23

Ditë reflektimi me rastin e Koncistorit. Atë Lombardi për emërime të kardinajve merret parasysh detyra e prejardhja


(19.11.2010 RV)Benedikti XVI hapi sot takimin e reflektimit e të lutjes me anëtarët e Kolegjit Kardinalor, në kuadrin e Koncistorit për krijimin e 24 kardinajve të rinj. Fillesës së kësaj ngjarjeje, sa të gëzueshme, aq edhe të rëndësishme, në jetën e Kishës, drejtori ynë, atë Federiko Lombardi, i kushton editorialin për Octava Dies, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit::
 
“Emërimi i kardinajve të rinj pritet gjithnjë me kureshtje të madhe, jo vetëm nga Kisha, por edhe nga vëzhguesit e jashtëm. Sapo Papa shpall emrat e kardinajve të rinj, nisin menjëherë një sërë komentesh nga më të ndryshmet: statistika, përllogaritje për peshën që ka kombësia, kontinenti nga vijnë, e kështu me radhë. Në të vërtetë, kur i emëron, Papa ka parasysh disa kritere, ndërmjet të cilave, natyrisht, vendin e parë e zë pesha e detyrave të kryera në shërbim të Kishës si dhe synimi për përfaqësim sa më universal. Në këtë mënyrë Papa krijon një grup personalitetesh të nivelit të lartë, të cilëve u besohet detyra vendimtare e zgjedhjes së pasardhësit të Pjetrit, por jo më pak, edhe detyra për të bashkëpunuar me Papën e për ta ndihmuar në misionin e tij, me solidaritet të plotë shpirtëror.
Dita e lutjes dhe e reflektimit, me të cilën nis Koncistori i nëntorit, ndonëse e shkurtër, thekson dy aspekte të rëndësishme të funksionit e të frymës, me të cilën punon Kolegji Kardinalor, që nuk duhen harruar: e janë pikërisht lutja e reflektimi. Papa dëshiron të lutet me ata, që duhet ta mbështesin më nga afër shërbimin e tij, të marrë pjesë në reflektimin e tyre të përbashkët. Mund të vërejmë se dëshiron edhe të ulet në sofër me ta, hollësi e dorës së dytë, natyrisht, por jo pa kuptim. Është një bashkësi e cila takohet, ndan bashkë përgjegjësitë e shqetësimet për problemet kryesore të Kishës në botë.
Benedikti XVI ndjek e dëgjon me vëmendje të madhe çdo kontribut, ashtu si bëri në javët e Sinodit të Ipeshkvijve, siç bën në vizitat e vazhdueshme ‘ad Limina’ të prelatëve nga të katër anët e botës (të paktën 20 grupe të ndryshme në rrjedhë të një viti); në bisedimet e në audiencat e panumërta. Shërbimi i tij është pjesë përbërëse e përvojës së episkopatit botëror. Tani, ditët e Koncistorit, vënë në dukje një përmasë të re të ‘kolegjialitetit’ të stilit të tij drejtues në Kishë. E shoqërojmë të gjithë me vëmendje e me lutje!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.