2010-11-18 14:40:19

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'përvuajtëria!'


(18.11.2010 RV)Të dashur dëgjues, kemi arritur në emisionin e 75-të të ciklit tonë radiofonik për shpjegimin e fjalëve, që shpesh dëgjojmë në Kishë. Sot do të flasim për “përvujtërinë” e për mënyrën si e kuptojnë atë të krishterët.

“Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit” shkuhet në Librin e Siracidit (3,20) e pastaj, në Letrën e Shën Palit drejtuar Filipianëve (2,3): “Me përvujtëri mbani njëri-tjetrin më të madh se veten” e akoma, në Letrën e parë të Shën Pjetrit (5,5): “Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvujtëve u jep hirin”. Krejt Bibla është thellësisht e mbrujtur me temën e përvujtërisë, e cila është vendimtare për moralin e krishterë, sepse mëkati i rrjedhshëm, i pari i njeriut, është pikërisht mendjemadhësia. Njeriu deshi “të ishte si Zoti”, siç i propozon gjarpri tundues në kopshtin e Edenit.
Përvujtëria në Shkrimin e Shenjtë shihet edhe si gjendje shoqërore, që përkon me situatën e të varfërve, të të fundmëve, të të shtypurve. Por pa dyshim, i kushtohet rëndësi të veçantë gjendjes së brendshme, sjelljes së zemrës së njeriut dhe vendimeve që ai merr për jetën. Shembull në këtë drejtim, është shën Gjon Pagëzuesi, i cili, pa turp, përpara Krishtit, deklaron se “Nuk është i denjë as të ulet para tij për t’ia zgjidhur rripin e sandaleve” (Mk 1,7). Nga ana e tij, edhe Jezu Krishti paraqitet pa hezitim si “zemërbutë e i përvujtë” (Mt 11,29), gjithnjë i gatshëm t’i kuptojë njerëzit, duke i falur pa i gjykuar.
Madje, ai përfaqëson – në vazhdën e asaj kënge të mrekullueshme për fëmijërinë, që është Psalmi 131 – fëmijën, me thjeshtësinë dhe besimin tek të tjerët, që bëhet pastaj model për ata që do të hyjnë në Mbretërinë e Zotit (Mt 18,4). Edhe nëna e tij, Maria, kur i thur lavde Hyjit për veprat e mëdha që po bën me të, kujton se kjo ishte e mundur, sepse Zoti pa në të “Përvujtërinë e shërbëtores së vet” e Magnifikati, që ajo këndon në atë moment, është vërtet portreti i të përvujtëve të kësaj toke, me të cilët vihen në antitezë mendjemëdhenjtë, të fuqishmit, të pasurit (Lk 1,46-55).
Për këtë arsye, Zoti reagon drejtpërdrejt e sistematikisht, duke zgjedhur gjithnjë “të dytin”, pra atë që nuk ka të drejta e pushtet, siç bëri me Jakobin, Moisiun, Davidin e me vetë Izraelin, “më të voglin e të gjithë popujve” (Lp 7,7). Zoti kundërshton krenarët, duke i sfiduar në një duel, që Isaia profet e pikturon me fjalë të forta e poetike në elegjinë për mbretin e Babilonisë, një faqe e bukur për t’u lexuar e medituar, në kapitullin 14 të librit të tij (4-23). Në këtë linjë, edhe Jezusi do të vendosë një ligj, që ka vlerë për sytë e Hyjit: “Kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet” (Lk 14,11); “Kush krenohet do të përvuhet e kush përvuhet do të lartësohet” (Mt 23,12).
Besimtari duhet të zgjedhë gjithnjë përvujtërinë, siç na tregon shembëlltyra e publikanit dhe e fariseut, e cila e ngre në qiell përvujtërinë kundër krenarisë hipokrite (Lk 18,10-14). Edhe Libri i Fjalëve të Urta përsërit dy herë: “lavdisë i prin përvujtëria” (15,33; 18,12). Vërtet, të mos harrojmë atë që thoshte shkrimtari katolik francez Zhylien Grin (1900-1998): “Nëse nuk do të jemi të përvujtë, Zoti do të na e ulë hundën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.