2010-11-18 15:33:32

Në mesazhin për Konferencën Ndërkombëtare të Baritorisë së Shëndetit, Papa kërkon të sigurohet kurimi për të gjithë


(18.11.2010 RV)“Bota e shëndetësisë nuk mund t’i lerë mënjanë rregullat morale, që duhet ta udhëheqin për të mos u bërë çnjerëzore”: kështu shkruan Benedikti XVI në mesazhin për pjesëmarrësit e Konferencës XXV ndërkombëtare të Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që u hap sot paradite në Vatikan. Mbledhja, që do të përfundojë nesër, përqendrohet mbi temën “Për kujdesin e barabartë dhe njerëzor ndaj shëndetit në dritën e Enciklikës ‘Caritas in veritate’”. Në mesazhin e lexuar nga sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, Papa u kërkon qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare të sigurojnë kurimin për të gjithë, sidomos për më nevojtarët.
“Është e nevojshme – shkruan Ati i Shenjtë – të impenjohemi më shumë, në të gjitha nivelet, që e drejta për kurim të bëhet efektive”. Papa u kërkon punonjësve të shëndetësisë ta bëjnë më njerëzor sistemin shëndetësor, duke i kuruar të sëmurët sipas nevojave e jo sipas mundësive të tyre financiare. “Promovohet drejtësia – vazhdon Benedikti XVI – kur pranojmë jetën e tjetrit e marrim përsipër përgjegjësi për të, duke iu përgjigjur kërkesave të tij e duke parë në të fytyrën e Birit të Zotit”.
Papa denoncon prirjen për ta kthyer edhe shëndetin në terren për konsumizmin farmakologjik, mjekësor e kirurgjik, ndërsa nga ana tjetër, miliona njerëz në botë nuk arrijnë të kenë as ilaçet për kurim. Ati i Shenjtë kritikon ashpër teknikat e riprodhimit, që shkatërrojnë embrionet, si edhe eutanazinë.
Pastaj, u drejtohet të sëmurëve, duke u shprehur afërsinë e vet shpirtërore e së fundi, i fton të gjithë ta shohin botën me sytë e Krijuesit, pasi vetëm kështu, njerëzimi mund të mësojë si të jetojë në këtë botë, në paqe e drejtësi.







All the contents on this site are copyrighted ©.