2010-11-18 16:15:04

Kosovë: rreth 800 vëzhgues në zgjedhjet e 12 dhjetorit


Në Kosovë rreth 4800 vëzhgues të koalicionit të organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim", do t'i monitorojë zgjedhjet e 12 dhjetorit. Drejtuesi i rrjetit, Ismet Kryeziu, tha se procesi i vëzhgimit të zgjedhjeve do të bëhet në gjithë vendin. "Ne, deri më sot kemi rekrutuar 4800 vëzhgues të cilët do të jenë pjesë e monitorimit të zgjedhjeve në dy etapa. 2400 vëzhgues do t'i mbulojnë të gjitha vendvotimet në Kosovë, në procesin e votimit.
Ndërsa, 2400 vëzhgues të tjerë do të mbulojnë procesin e numërimit në ditën e zgjedhjeve", tha Kryeziu. Nga ana tjetër, punën e koalicionit të OJQ ve, "Demokracia në Veprim", thanë se do ta mbështesin edhe përfaqësuesit e ambasadave të vendeve të ndryshëm në Kosovë. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Diter Shtajnbah, theksoi se "Demokracia në Veprim" është një partner i besueshëm për monitorimin e zgjedhjeve. Shtajnbah derisa ftoi qytetarët kosovarë që të votojnë më 12 nëntor, pohoi se i gjithë procesi i monitorimit do të zhvillohet në bazë të ligjit dhe ka përjashtuar mundësinë e keqpërdorimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) deri më tash ka certifikuar nëntë parti politike nga gjithsej 29 sa kanë aplikuar për zgjedhjet e 12 dhjetorit. Por ka edhe dy ditë afat për certifikim. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka verifikuar të gjitha dokumentet e nëntë partive politike të cilat kanë plotësuar kushtet për certifikim, ndërsa sa i përket partive tjera janë duke u verifikuar dokumentacionet e kandidatëve. Partitë e certifikuara nga KQZ ja janë: Lidhja Demokratike e Kosovës me 110 kandidatë, Fryma e Re me 86, Kosova Turk Birligi me 25, Partia Rome e Bashkuar me 6, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës 49 kandidatë, Lidhja e Egjiptianeve të Kosovë 6 kandidatë, Social Demokratska Stranka Gore me 13 kandidatë, Iniciativa e re Demokratike e Kosovës me 9 kandidatë dhe Partia e Ashkalinjve për Integrim me 9 kandidatë. Në lidhje me kandidatët e dënuar nga gjykatat, në KQZ thonë se ligji mbi zgjedhjet thotë se kandidati i cili është i dënuar për vepër penale në tri vitet e fundit dhe ka një vendim të prerë, ai nuk mund të jetë kandidat.







All the contents on this site are copyrighted ©.