2010-11-18 14:04:26

Kardinali Toran bën bilancin, pas takimit në Iran: liri për praktikimin e fesë publikisht.


Selia e Shenjtë dhe Irani janë të një mendjeje, kur flitet për rolin publik e shoqëror të fesë. Kjo u theksua edhe në Bisedimin VII dypalësh, organizuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar e nga Qendra e Teheranit për Dialogun e Organizatës për Kulturën dhe Marrëdhëniet Islamike. Në takimin, me temë “Feja e shoqëria sot: perspektiva të krishtera e myslimane”, që u mbajt javën e kaluar në Teheran, merrte pjesë një delegacion i Vatikanit, i kryesuar nga kardinali Zhan Lui Toran, në mikrofonin e Radios sonë:

Përgjigje: – Deux choses m’ont frappé: d’abord, l’extrême gentillesse et courtoisie, mais …
Dy gjëra më prekën: para së gjithash, mirësjellja e madhe e bujaria, tradicionale për popullin iranian, si dhe aspekti konkret. E dimë se Papa bëri propozimin për krijimin e një Komisioni dypalësh. Unë shkova në Kom, ku delegacioni ynë u takua me përfaqësues të universiteteve të ndryshme. Ata dëshirojnë bashkëpunim akademik, përmes shkëmbimit të profesorëve e, njëkohësisht, duan ta thellojnë këtë bashkëpunim, për ta bërë edhe më konkret. E është pikërisht kjo, karakteristika kryesore e kësaj vizite.

Pyetje: - Ju folët për krijimin e një Komisioni dypalësh lidhur me trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët, ndërmjet të cilave, ajo që ka të bëjë me statusin juridik të Kishës katolike në Iran. U prek edhe kjo pikë?

Përgjigje: - Non, parce-que ça – je dirais – c’est une chose de la Seconde Section, ...
Jo, sepse kjo është kompetencë të Sektorit II, atij të marrëdhënieve me shtetet. Unë nuk trajtoj çështje të tilla. Personi kompetent në këtë fushë është imzot Mambertì. Por, në vizitën që bëra para kësaj, kur isha në Sekretarinë e Shtetit, e patëm trajtuar edhe këtë problem.

Pyetje: - Cilat janë temat kryesore, që u prekën gjatë vizitës?

Përgjigje: - La liberté de religion: nous avons évidemment exprimé notre position …
Liria e fesë, ndërmjet tjerash, e ne e shprehëm qartë qëndrimin tonë. Është e nevojshme të kalohet nga liria e kultit, në lirinë e fesë, domethënë në krijimin e mundësive që besimtarët e feve të ndryshme të marrin pjesë lirisht në dialogun publik. Pastaj folëm edhe për dialogun ndërfetar, që duhet të vijojë, e pak edhe për situatën ndërkombëtare.

Pyetje: - Si e priti presidenti iranian Letrën e Bendiktit XVI?

Përgjigje: - Il a été d’une grande courtoisie et il m’a dit qu’il ferait examiner avec la plus...
Qe shumë i sjellshëm e më tha se do t’i shqyrtonte me dashamirësinë më të madhe të mundshme, kërkesat e Papës, sidomos ato, që kanë bëjnë me ngritjen e Komisionit dypalësh, për të zgjidhur problemet e përbashkëta, që shkaktojnë vështirësi në jetën e përditshme të bashkësive tona. E bashkësinë katolike unë e takova: është e përbërë kryesisht nga të huajtë, shumë afrikanë, sidomos; pa harruar bashkësinë vendase me rite të ndryshme, armen, siro-katolik... Është bashkësi e bukur, plot gjallëri, me familje të këndshme; e një herë e një kohë ishin edhe shkollat, të cilat, më pas, u shtetëzuan të gjitha. Natyrisht, kemi të bëjmë me një pakicë të krishterësh, por, po e përsëris, me një pakicë, roli i së cilës ndjehet fort në shoqëri.

Pyetje: - Gjatë zhvillimit të Sinodit për Lindjen e Mesme, pjesëmarrësit munden të dëgjojnë dëshmi, që flasin për jetën e vështirë të të krishterëve në Iran. Ju, u ndeshët me këto vështirësi?

Përgjigje: – Il y a des difficultés, mais je pense que c’est mieux de résoudre ces …
Ka vështirësi, por unë mendoj se këto probleme është më mirë të zgjidhen me takt, e jo me zhurmë në sheshet publike. Zgjidhjet duhen kërkuar tek krijimi i frymës miqësore e, edhe pse nganjëherë kjo nuk kuptohet si duhet, prapëseprapë nuk duhet të ndalesh kurrë: duhet të vijosh gjithnjë. Unë ngula këmbë shumë mbi terrorizmin, që merr ngjyra fetare: natyrisht nuk mund të thuhet se aktet terroriste burojnë nga feja, sepse asnjë fe e asnjë prijës fetar nuk mund t’i përligjë veprime të tilla, e për këtë të gjithë janë të njëmendjeje. Citova vazhdimisht një frazë nga Mesazhi i Etërve Sinodalë, drejtuar popullit të Zotit, në përfundim të Sinodit të fundit: “Feja duhet ta marrë çdo njeri për dore e ta çojë tek Zoti, për të njohur fytyrën e Tij, në fytyrën e të afërmit e për ta trajtuar atë, sipas urdhërimeve të Hyjit, domethënë me butësinë e Zotit, me drejtësinë, mëshirën e dashurinë, që ka Ai për ne. Besoj se këtu duhet kërkuar rrugëzgjdhja e se ky është kyçi, i cili hap çdo portë, që mbyllet brutalisht, në emër të fesë!








All the contents on this site are copyrighted ©.