2010-11-18 15:33:18

Benedikti XVI në plenaren e dikasterit për ekumenizmin: “Bashkimin e të krishterëve nuk e bëjmë ne por Zoti.”


(18.11.2010 RV)RealAudioMP3 Dialogu ekumenik ka bërë shumë rrugë në 50 vjet jetë, por ka nevojë të ripërtërihet, mbi të gjitha në Perëndim, pa harruar se bashkimin e të krishterëve e ndërton Zoti dhe jo aftësia për negociata apo për kompromise. Me këto fjalë iu drejtuar papa Benedikti XVI në audiencë, plenares së Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve që dje festoi 50-vjetorin e themelimit.
“Bashkimin e të krishterëve nuk e bëjmë ne, e bën Zoti”. Ky pohim i Papës është thelbi i një arsyetimi, i cili përveç disa reflektimeve që lidhen me historinë, vë në qendër shumë qartë gjendjen e rrugëtimit ekumenik për sa i përket së tashmes dhe të ardhmes së afërt. Fjalët e para të Benediktit XVI ishin plot mirënjohje për të Lumin Papë Gjonin XXIII, i cili para 50 vjetësh u bë themeluesi i Sekretariatit për Promovimin e Bashkimit të të Krishterëve, dikaster që Papa Gjon Pali II, në 1998 e shndërroi në “Këshill Papnor”:

“Ai, qe një veprim që vuri gurin e themelit për rrugëtimin ekumenik të Kishës Katolike. Gjatë këtyre 50 vjetëve në të cilët është përftuar një njohje më e vërtetë dhe nderim më i madh për Kishat dhe bashkësitë kishtare, - duke i kapërcyer të gjitha paragjykimet e trashëguara nga historia, - jemi rritur me dialogun teologjik por edhe me dashurinë. Janë zhvilluar forma të ndryshme bashkëpunimi, ndër të cilat, - përveç atyre në mbrojtje të jetës, për mbrojtjen e gjithësisë dhe për luftën kundër padrejtësive, - ka qenë shumë i frytshëm edhe bashkëpunimi në fushën e përkthimeve ekumenike të Shkrimit Shenjtë.”

Lista e emrave të titullarëve të këtij dikasteri që Papa falenderoi për punën e bërë ishte shumë e gjatë, e bashkë me të edhe të gjithë anëtarët, të cilët në shkallë të ndryshme kanë e bëjnë pjesë në të. Më pas vëmendja e Papës u përqendrua në të tashmen, në veçanti në punën e programit “Plani i të korrave” – Harvest Project, që po zhvillohet me bashkësitë kishtare kryesore nga koha e Koncilit Vatikanas II e këtej. Ky program do të bëjë bilancin e parë të dialogut teologjik dhe ka një synim tepër të qartë përsa i përket “rrugës drejt bashkimit.”:

“Sot disa mendojnë se një rrugëtim i tillë, veçanërisht në Perëndim, e ka humbur vrullin e tij. Kështu që ka rëndësi ngjallja e ngutëshme e interesit ekumenik si edhe theksimi i ri i dialogut. Sfida të reja na presin, pastaj si për shembull interpretimet e reja antropologjike dhe etike, formimi ekumenik i brezave të rinj dhe fragmentarizimi i mëtejshëm i skenarit ekumenik.” – vuri në dukje Ati i Shenjtë, Benedikti XVI.

“Është me rëndësi të ndërgjegjësohemi për këto ndryshime,” pohoi Benedikti XVI, duke kujtuar në të njëjtën kohë edhe pikat themelore të cilat rrahen sotpërsot me ortodoksët dhe me Kishat e Vjetra Lindore. Me të parët, “roli i ipeshkvit të Romës në bashkimin e Kishës”, ndërsa me të tjerat konstatimi se kemi “një trashëgimi të përbashkët të çmueshme”, pavarësisht “shekujve të mosmarrëveshjeve dhe të largësisë.” Vazhdimi në këtë rrugë përbën një impenjim të palëkundshëm, me kusht që të mos bëhet duke menduar se mjafton vetëm aftësia për negociata, e as ajo për një aftësi më të madhe për të bërë kompromise” – vazhdoi Papa:

“Veprimi ekumenik është një lëvizje e dyfishtë. Nga njëra anë kërkimi i bindur, plot pasion dhe këmbëngulës për të arritur të gjithë bashkimin tek e vërteta, për të sajuar modele bashkimi, për të ndriçuar kundërshtimet dhe pikat e errëta në mënyrë që të arrihet vetë bashkimi. Dhe krejt kjo në dialogun teologjik, por mbi të gjitha në lutje dhe në pendesë, tek ai ekumenizëm shpirtëror që është zemra e rrugëtimit. Bashkimi i të krishterëve është dhe mbetet lutja, banon tek lutja.”

Nga ana tjetër, përfundoi Papa Racinger, nuk duhet të harrojmë kurrë se kush e kryen me të vërtetë bashkimin:

“Bashkimin nuk e bëjmë ne, e bën Zoti. Vjen nga lart, nga bashkimi i Atit me Të Birin në dialogun e dashurisë që është Shpirti i Shenjtë. Ai është pjesëmarrje në bashkimin hyjnor. Dhe kjo nuk duhet ta zvogëlojë impenjimin tonë (...) Në fund, edhe në rrugëtimin ekumenik, bëhet fjalë t’i lëmë Zotit atë që është vetëm e tij dhe të eksplorojmë, me seriozitet, në mënyrë të njëtrajtëshme dhe me përkushtim, atë që është detyra jonë, duke mbajtur parasysh se në impenjimin tonë bën pjesë edhe binomi i veprimit dhe i vuajtjes, i veprimtarisë dhe i durimit, i lodhjes dhe i gëzimit.” – përfundoi Ati i Shenjtë, Benedikti XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.