2010-11-18 14:04:16

Atë Federiko Lombardi: Selia e Shenjtë denoncon shkeljen e lirisë fetare në Kinë.


(18.11.2010 RV)“Selia e Shenjtë hidhërohet shumë për lajmet që vijnë nga Kina sipas të cilave, një pjesë e ipeshkvijve që njohin Papën janë të detyruar nga funksionarë të qeverisë të marrin pjesë në një shugurim ipeshkvnor të paligjshëm në Çengde, parashikuar për më 20 nëntor.” Kështu pohoi sot për shtypin drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federiko Lombardi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë temë.
“Nëse këto lajme do të ishin të vërteta – deklaroi Atë Lombardi, atëherë Selia e Shenjtë do t’i quajë këto veprime si një shkelje e rëndë e lirisë fetare dhe të ndërgjegjes. Po ashtu, një shugurim i tillë do të quhet i paligjshëm dhe i dëmshëm për marrëdhëniet konstruktive që janë zhvilluar kohët e fundit ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Selisë së Shenjtë.”
Më tej Atë Lombardi pohoi se meshtari për të cilin bëhet fjalë, “atë Jozef Guo Zhinkai, nuk e ka marrë miratimin e Atit të Shenjtë për t’u shuguruar ipeshkëv i Kishës Katolike. “Selia e Shenjtë, me dëshirën për t’i zhvilluar marrëdhëniet e mira me Kinën, ka marrë kontakt me autoritetet kineze mbi këtë çështje duke e bërë të ditur qartë njëherësh edhe pozicionin e vet.” – përfundoi Atë Lombardi.







All the contents on this site are copyrighted ©.