2010-11-17 07:00:10

Të kthehet Ikonostasi që mungon në Kishën "Lindja e Shën Mërisë” në Elbasan


Nga e përditshmja Shekulli ri-botojmë këtë shkrim me shpresë që Kisha e “Lindjes së Shën Mërisë” e riti bizantin të ketë sërish ikonat, thesare shpirtërore e artistike të kësaj bashkësie të krishterë.
Ikonostasi gjermanët ofruan 1 milionë dollarë
BARDHA NERGJONI | 15/11/2010 | SHEKULLI
Besimtarët, thirrje Institutit: Të kthehen ikonat e ikonostasit. Gjermanët e kërkuan ikonostasin për 1 milion dollarë në vitin 1974. Mbishkrimet e përkthyera nga Theofan Popa për ndërtuesit dhe kontribuesit. Skulptori Caridha: Forma e përgatitjes dhe gdhëndjes së drurit
Ikonostasi pa ikona në Kishën "Lindja e Shën Mërisë"
Nga larg duken selvitë e gjata që të çojnë në zemër të Kalasë, aty ku ndodhet Kisha, shkolla ku u zhvillua Kongresi i Elbasanit dhe varri i Kristoforidhit. Një qendër ku gërshetimi i arsimit, besimit dhe gjuhës ka dëshmitë e tij më të forta. Për fat të keq, tri momentet e rëndësishme kulturore, fetare e historike janë mbërthyer nga tisi i indiferencës. Në vijë të drejtë ndodhen kisha e Shën Mërisë, varri i Kostandin Kristoforidhit (busti i të cilit është e vetmja vepër nga dora e mjeshtrit të madh Odise Paskali) dhe godina me një vlerë të madhe historike dhe shpirtërore për Elbasanin.
Në derën kryesore të kishës "Lindja e Shën Mërisë" ose Shën Mëria, siç edhe e njohim, duhet të ishin skenat e lindjes së Shën Mërisë dhe më pas duke zbritur në shkallë të shfaqet një ikonostas madhështor, i punuar me mjaft hijeshi dhe me elemente të ikonografisë përgjatë gjithë sipërfaqes. Kisha është e errët dhe këtë e sjell ndërtimi i saj rreth 1 metër nën sipërfaqe, pasojë e kritereve që u vendosën nga autoritetet turke që kisha të mos ngrihej më lart se xhamia.

Prej shumë vitesh, për fat të keq, shumë tablo ikonash janë bosh dhe aq më tepër në zgavrat e ikonostasit prej druri vendosen lule artificiale dhe shandanë që guxojnë të mbulojnë atë që nuk mbulohet, madhështinë e kësaj vepre të papërsëritshme me jetë mbi 180-vjeçare. Në kishë kanë mbetur shumë pak nga ato materiale prej argjendi që vetë familjet e kalasë falën, kodikët me vlerë, shandanët, skeptër dhe mjete të tjera me vlerë. Në qendër të kishës ndodhet një diell në një rreth, i realizuar me mjeshtëri në formën e një mozaiku. Nën kupolën e kishës është realizuar një pikturim mural i Krishtit, që tregon madhështinë e këtij modeli të vonë bizantin. Në absidë pikturat murale janë të dëmtuara dhe më tej edhe ikonostasi ka pësuar dëmet e para. Në pjesë të tij, ornamentet janë thyer e djegur, ndërsa lyerja me ar në disa vende të ndikuara nga lagështira, ka filluar të bjerrë. Vlerat e këtij ikonostasi janë të pallogaritshme dhe, nëse nuk mirëmbahet, dëmtimet do të vazhdojnë duke shkaktuar pasoja edhe më të mëdha.

Ikonostasi u kërkua për 1 milion dollarë nga gjermanët në 1974-n
Besimtarë dhe banorë të kalasë thonë se kisha është shumë e bukur dhe ka ikonostasin më të madh nga të gjitha kishat e tjera. Në fakt, Kisha e Shën Mërisë është itinerari për të gjithë vizitorët, personalitete ose jo, kur ndalojnë në Elbasan. Por vlerat e kishës nuk janë vetëm historike, estetike dhe shpirtërore. Ish-ministri i Arsimit, Thoma Deliana, e ka treguar shpesh faktin se kur ishte ministër në vitin 1974, një delegacion gjerman pasi ka parë kishën Shën Maria, ka kërkuar ta blejë ikonostasin e saj për 1 milion dollarë. Shteti i atëhershëm nuk e pranoi ofertën dhe kisha edhe në vitet më të zeza kundër besimit nuk u shkatërrua.

Theofan Popa e Aleks Buda e ruajtën duke e kthyer në vend magazinimi të ikonave. Një besimtare në Kala tregon se gjatë viteve të komunizmit në kishë mbaheshin shumë materiale të vjetra. "Ne i pastronim dhe i mirëmbanim ato. Kujdeseshim që të ishin të pastra e të mos kishin lagështirë", thotë një e moshuar që është edhe besimtare e Kalasë. Ajo thotë se materialet që u morën, duhet të kthehen pasi i përkasin kishës. Ikonat dhe materialet e Kishës u morën në '87-n nga Instituti i Monumenteve. Në muzeun etnografik gjenden dokumentet origjinale të inventarit dhe procesverbalit për ikonat dhe materialet e tjera të kishës së Shën Mërisë që janë marrë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Gjithashtu, në muze ndodhet i vetmi material që jep disa të dhëna mbi kishën e Shën Mërisë.
Inventari i ikonave të marra nga Instituti
Shën Gjergji, Shën Kolli, Shën Mëria, Krishti Perandorak, Joan Pagëzori, Shën Mitri, Shën Mëria e Pandorit, Lindja e Shën Mërisë në Tempull, Lindja e Shën Mërisë, Shën Mëria e vjetër djathtoshe, Skema me 39 shenjëtorë, Shën Mëria me shenjtorë, Mandili i Kristit, Shën Joan Theologu, Skema në miniaturë me shumë shenjtorë, Visarioni plak kryepeshkopi i Durrësit, E Djela e Ortodoksisë, Shën Visarioni Llazisë, Ngjallja e Llazarit, Sinodhi i parë igumenik, Shën Joan Vladimiri dhe (nuk kuptohet në dokumentin e inventarit), Hyrja e Krishtit në Jeruzalem, E djela e Thomait, Ungjillizimi, Ngritja e kryqit, Shën Kostandini dhe Helena, Shën Triadha me dy skema, 40 shënjtorët, Shën Mëria, Ikonë me dy kapakë, Ngjallja e Krishtit, Shën Jakov Persioni dhe Shën Anastasi, Shën Mëria me shenjtorë, Shën Gjergji
Sasia e përgjithshme, sipas procesverbalit, është 37 ikona
Elbasan 16 shtator 1983

Procesverbal në 11.12.1987 në muzeun e Elbasanit për marrjen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës i objekteve kishtare prej argjendi e bronzi nga shoku Eduart Sopi këto objekte: Ungjilli shqip me kapak argjendi punuar me figura relief në mënyrë të theksuar artistike, kryqi i madh i ipsartergëve, tas i madh i pagëzimit me figura në relief, Kuti lipsanes i shën Gjon Vladimirit me mbishkrimin Athinas Trikupit, kuti lipsanës i Shën Harallambit, Bazamenti i madh i kryqit me dt.1748, dorë argjendi, timatani i madh prej argjendi me 4 pjesë, Disko argjendi me yllin, kryqi i madh që i vendosej të vdekurve, kryqi prej bronzi, Brerorja argjendi e lipsanit të arkës së shën

Gjonit, bazamenti i kryqit të pagëzimit, Alabastri prej bronzi, kryq i vogël prej bronzi, lugë kungate argjendi dhe brerore e vogël argjendi.
Procesverbali është firmosur nga përfaqësuesi i monumenteve të kulturës Thoma Karanxha, janë marrë në dorëzim nga Aneta Shuteriqi, ndërsa i ka dorëzuar Kostaq Papajani.

Mbishkrimet dhe gojëdhënat për kishën e Shën Mërisë
Thuhet se kisha e Shën Mërisë është ndërtuar mbi një kishë tjetër të vjetër, pasi ajo u dogj. Një gojëdhënë e dëshmuar edhe në dorëshkrimin e vetëm që ekziston në muzeun etnografik thotë se mjeshtrit që bënë tempullin ishin nga katundi Krishnik i rrethit të Rekës të Dibrës ndërsa ikonat e kishës janë punuar nga Mihal Anagnosti nga Samarina, zonë e Dibrës. Ikona e Kostandinit dhe Elenës dhe ajo e Shijonit janë punuar nga dora e Nikollës, të birit të Mihal Zeografit prej Krushove, më 1849-n. Kisha e Shën Mërisë në Kala është një bazilikë trinefëshe me mbulesë prej kubesh hemisferike me tri absida nga lindja, me një nartekst dhe gjinekonit sipër dhe me dy hajate me strehë të mbështetur mbi harqe e kolona guri në drejtimin gjatësor të kishës. Ka një madhësi 27,70 me 12,40 metra.

Theofan Popa në studimin e tij "Mbishkrime kishtare" ka sjellë të përkthyera mbishkrimet që edhe nxjerrin në dritë të dhëna mbi ndërtimin e kishës dhe të ikonostasit. Por gjithashtu edhe konstribues të kishës të cilët kanë lënë emrat e tyre në mbishkrimet greke në ikonostas dhe në absidat e kishës.

Përkthimi
Mbishkrimi me gërma të mëdha gjendet i gdhendur në një pllakë guri me gërma në reliev, i vendosur në absidë jashtë kishës Lindja e Shën Mërisë në kalanë e Elbasanit.
"U ngrit ky tempull hyjnor i nderuar me emrin e Hyjëlindëses në vitin prej Krishtit 1833, duke filluar në 21 janar e përfundoi në 20 maj. Kjo ngjau në ditët kur peshkop ishte i gjithmëshirshmi, muzikanti i shumëditur, shenjti i Durrësit, zoti Krisanth dhe në kohën e kujdestarisë së zotit Kostë Nosi, ku nxitës e shkaktar u bë doktori i shkëlqyeshëm zoti..... nga Negatha, dhe me kontributin dhe shpenzimet e të gjithë të krishterëve të paharruar që gjenden këtu, të cilët zoti ynë i kujtoftë në mbretëri të qiejve, Amin 1833 maj 20, janar 20, 1833

Mbishkrimi me gërma të mëdha gjendet i gdhendur në një pllakë guri me gërma në reliev, i vendosur në apsidë jashtë kishës Lindja e Shën Mërisë në kala të Elbasanit. Sipas kodikut të familjes Deliana, 20 fq 26, kisha e Shën Mërisë në Kala është djegur më 1818-n. Në mbishkrim flitet për rindërtimin e kishës në gërmadhat e kishës së djegur. Mitropoliti i Durrësit që përmendet është Krisant Karamanlisi ,muzikant i shquar i muzikës bizantine. Emri i doktorit nga Negatha e Zagorit të Epirit, sipas gojëdhës së sipërme është prishur nga guri me urdhër të pleqësisë së lagjes së krishterë të qytetit pas transferimit të mitropolitit Krisant, sepse ky i fundit e kishte futur emrin e doktorit në mbishkrim si mik të vetin pa qenë ai nismëtar për ndërtimin e kishës.

Në një tjetër mbishkrim me gërma të mëdha që gjendet i gdhendur në reliev në një pllakë guri mbi absidën jashtë kishës së Shën Mërisë jepen emrat e mjeshtrave që kanë punuar. Gojëdhëna thotë se ata ishin vlleh nga lagjja "Shën Koll" e qytetit.
"Duhet ditur pra se kryemjeshtrit që ndërtuan këtë tempull të hirshëm kanë qenë Stefo, Vlashi, Mitro, Zhapa, Gjergj Batani dhe Gjon Prendi, kurse pagesa e punës së tyre ka qenë 60 tallanta"
Rreth absidës gjenden gjithashtu edhe 4 mbishkrime me gërma të mëdha në reliev mbi gurë. Mbishkrimet janë një këngë kishtare, një pjesë e uratës së fundit të meshës së Shën Gjon Gojartit, kënga e tretë e Zbritësores dhe vargu 5 i gërmës në Hymnin Akatist

Mbishkrimi i Ikonostasit
Mbishkrim mbi një pllakë druri të varakosur mbi derën e ikonostasit në kishën e Shën Mërisë. Gojëdhëna e Elbasanit thotë se ikonostasi është punuar nga mjeshtër Filipi nga Reka e Dibrës. Mbishkrimi është shkruar me gërma të vogla dhe është botuar nga Theofan Popa.
"Ky ikonostas u gdhend dhe u tornua në vitin 1859 në kohën e peshkopit të Janiqit dhe kur ishte epitrop Dhimitër Andre Kazanxhiu dhe Kostandin Andoni. U varakos në vitin 1868 në vitet e peshkopatit të gjithhirshmit, shenjtit të Durrësit Z.Z.Visarion dhe kur ishin epitropë Kostandin Papajani, Jan Xhufka dhe Kostandin Simoni, me dëshirën e devotshme të të gjithë krishterëve krishtdashës të kalasë, Dora e Josifit 1868 në muajin dhjetor, ditë, 21".
Ikonat e mëdha të ikonostasit kanë qenë pikturuar nga Mihal Anagnosti nga krahina e Dibrës.

Ndërkohë një mbishkrim i gravuar ndodhet rreth bazamentit të potirit të kungimit në kishën e Shën Mërisë në Kala të Elbasanit. Potiri është prej argjendi dhe punuar në mënyrë artistike të hollë. Nga kodiku i familjes Popa, Jakovi i Vogël rezulton si një nga stërgjyshërit e kësaj familjeje.
"Ky potir që u punua me asprat e kishës, është i së mbishenjtës së Neokastrës kohën e epitropit Papa Stilian Nosit. Dora e apostolit të mbiquajtur Jakovit të vogël, qershor 1780".

Formula e vjetër dhe restaurimi
Vladimir Caridha që ka ndjekur dhe studiuar mundësinë sesi është prodhuar një ikonostas i të tilla përmasave dhe sidomos me të tillë jetëgjatësi, thotë se mjeshtrat me përvojën e tyre ia kalonin çdo lloj eksperimenti shkencor. "Druri i përzgjedhur jo vetëm stazhonohej, por futej në amoniak 10-12 orë që i shtonte fortësinë e rezistencën duke larguar edhe brejtjen. Më pas, pasi dërrasat gdhendeshin, ngjyroseshin me pluhur ari. Pluhuri krijonte dritëhijet dhe ngjyrën që ka ikonostasi. Më pas pikturoheshin pjesët në bazë të skenave biblike dhe bashkoheshin duke krijuar madhështinë e këtij ikonostasi. Kjo i jep edhe përgjigjen e jetëgjatësisë së tij. Gjithashtu, skulptori Caridha shton se gdhendjet ishin aq të imta dhe puna aq e kujdesshme saqë nuk gjen asnjë element stonues.

Por ajo që të bën përshtypje sot, është dëmtimi. Në ikonostas ka pjesë lulesh të këputura, efekt lagështire në shtyllat me degë dhe në djegien në disa pjesë. Po kështu pjesë pjesë lyerja me pluhurin e arit e ka humbur shkëlqimin dhe ka pësuar shkëputje e dëmtime. Të gjitha këto sjellin urgjencën dhe nevojën e restaurimit të ikonostasit. Në këtë drejtim skulptori Caridha thotë se në asnjë rast restaurimi të mos bëhet pa e studiuar përbërjen dhe materialin. Ai është i mendimit që të gjendet një rrugë e ndërmjetme me metodën e vjetër të mjeshtrave të mëdhenj që përdoren pluhurin e arit. Një lyerje me varak, thotë Caridha, do ta shkatërronte përfundimisht dhe në mënyrë të pakthyeshme.

Puna konkrete në dru është një ansambël kuadratësh që mbahen nga një seri kolonash. Puna me to është tmerrësisht e vështirë me thellime e shkëputje detajesh duke krijuar çudi në realizim. Detaji vjen me vërtetësi realiste e pa ekzagjerim për të krijuar frymën bizantine në tërësinë e saj. Një ansambël të tillë thonë se kanë punuar për 10 vjet. Është një vepër kolosale dhe e papërsëritshme.

Skulptori që ka realizuar një sërë veprash në qytetet dhe që është pasardhës i një prej priftërinjve që kanë shërbyer në kishën e Shën Mërisë thotë se jo të gjithë e kanë kundruar kishën për shkak të paragjykimeve për besimin. "Unë e kuptoj që një pjesë e njerëzve nuk e ndiejnë ose, më mire, nuk hyjnë dot në shijen e saj pasi paragjykimi mbi objektet fetare është i fortë. Themi se ka tolerancë fetare dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, por nga ana tjetër, nivelin artistik të ikonostasit nuk arrijmë ta prekim të gjithë.

Duke shprehur nivelin e lartë të veprës, mahnitesh dhe njëherësh thua se vështirë se vjen artizanati i ditëve tona në të tilla nivele jo kopjuese, por me një shprehje që mbart frymën dhe idetë e kohës, të frymëzuar nga idetë kristiane që mjeshtrat materializuan.
Ikonostasi më unikal i mbetur nga tradita skulpturore e qytetit tonë, vepër madhështore e një niveli cilësor i barabartë me simotrat kryevepra që ndodhen kudo në ortodhoksinë ballkanike. Ikonostasi është shembulli që tregon shkrirjen e mrekullueshme të formës artistike në një ansambël ornamental muzikor i lëvizshëm ritmik drejt frymës së lartë dhe shpirtit ideator të krijuesit.

Niveli cilësor i tij, ndonëse në skajet më perëndimore të perandorisë, qëndron akoma si dëshmi e lartë e së njëjtës vlerë me urdhrin e kanonin bizantin, si në Kostandinopojë në Malin e Shenjtë edhe në Neokastër (kështjella e rindërtuar në Elbasan), ikonostasi mbetet kryevepër arti", përfundon ai në vlerësimin artistik për ikonostasin.

Varri i Kristoforidhit
Vetëm pak larg absidës kryesore të kishës Shën Maria ndodhet varri i Kostandin Kristoforidhit, gjuhëtarit të madh elbasanas. Në fakt, nuk ka të dhëna që ai të ketë shërbyer në kishë, por shkaku pse iu vendos varri në këtë vend ka lidhje me veprën e tij. Kostandin Kristoforidhi (Krishtëmbajtësi) Nelko është i pari që përktheu biblën në shqip. Përkthimet i filloi qysh në 1866-n me përkthimin e parë gegërisht "Katër ungjijtë dhe punën e Apostujve", duke vijuar më pas me shumë përkthime si Psalltiri 1868 toskërisht, Psalteri 1868 gegërisht, i ribotuar më 1872, Dhiata e re 1869, Ungjij të veçantë, Katërungjijtë më 1879, Dhiata e re e plotë 1879, Të bërët dhe të dalët toskërisht 1880 etj. Kostandin Kristoforidhi shërbeu gjithashtu si mësues në shkollën e Kalasë.

Shkolla e Kishës
Godina i ka fillesat qysh në vitin 1736 kur u hap shkolla greke nën kujdesin e komunitetit ortodoks. Në komunitet njihej si shkolla e kishës. Ndërtesa u ngrit në truallin e kishës më 1837-n. Aty dhanë mësim Kristoforidhi, Dhimitër Paparisto, Petër Dodbiba, Sif Shuteriqi, Fot Papajani etj. Në fund të shekullit XIX ndërtesa e shkollës u shemb dhe në fillim të shekullit XX u ndërtua godina e re që është edhe sot. Më 1-9 nëntor të vitit 1909 në këtë godinë u zhvilluar Kongresi i Elbasanit. Pas shpalljes së pavarësisë shkolla u bë zyrtare dhe mësonin të dy komunitetet, si ortodokse ashtu edhe myslimane. Më parë në të ishte mësuar fshehurazi gjuha shqipe.

Psallti Robert Bici: Zoti e shpëtoi kishën nga shembja
Diagaçi s'mund të arrinte kishën nga rrugicat e ngushta
Kisha e Shën Mërisë ka një histori të veçantë qysh nga vitet 1600 e deri sot. Robert Bici, pasardhës i një prej familjeve të Kalasë që ka shërbyer brez pas brezi në kishë, tregon se nga gojëdhënat të dëshmuara edhe me dokumente, kur u ndërtua kisha ka qenë e vështirë të merrej leja nga Porta e Lartë. "Duke ditur se në kala nuk kishte vend për kishë të madhe, porta e lartë e dha lejen. Kryesia e lagjes u mblodh dhe vendosi ta ndërtojë mbi varreza, duke u vënë eshtrat e të parëve në bodrumet e kishës. Në konfirmimin e dytë erdhi edhe një kusht tjetër, për lartësinë e kishës. Autoritetet turke dhanë leje për ndërtimin e kishës, por me kusht që çatia e kishës të mos e kalonte minarën e xhamisë së Kalasë.

Atëherë të moshuarit me zgjuarsi vendosën të gërmojnë, duke e ndërtuar nën nivel kishën. Nga kjo gjë ata fituan kurbaturën e kishës". Roberti tregon gjithashtu se ka pasur shumë familje që i kanë shërbyer kishës, si: Papajani, Papamihali, Popa, si dhe familja e tij Bici. "Gjyshi im ka qenë psallt në këtë kishë. Këndohej shqip në kishën e Kalasë. Brez pas brezi familja ime ka shërbyer në kishë. Edhe babai im ka kënduar në korin e kishës. Më 1918-n Fan Noli ka vizituar kishën duke vlerësuar të gjithë ata që kujdeseshin dhe organizonin gjithçka. Kisha ka qenë ekonomi më vete, kishte dyqane, ullishta, madje edhe një hotel". Roberti tregon se gjatë komunizmit kisha u ruajt prej vetë Zotit.

"Zoti e ndihmoi që kisha të mos shembej, sepse këtu nuk arrinte dot diagaçi për ta prishur. Për këtë arsye kisha u ruajt. Librat dogjën në mes të kishës dhe ikonat u morën. Gjatë komunizmit vinim në oborr, ndiznim qiri. Me derë mbyllur kuptohet. I bënim të gjitha ritet në fshehtësi. Figurat i morën e i çuan në Tiranë. Morën vulën e shenjtë që ishte qysh në kohën e Kostandin Kristoforidhit. Ato duhet t'i kthehen patjetër kishës. Historia është këtu, ndërsa materialet rrinë në Tiranë. Ato që kanë qenë këtu në këtë kishë, duhet të jenë po këtu.
Besimtarët
Myneveri: Kisha duhet të shihet nga të gjithë
Unë vij për herë të parë këtu dhe kam një përshtypje të mrekullueshme. Kam parë edhe në Itali, por kjo është më e bukur. Më la shumë përshtypje të veçantë. Është shumë antike dhe shumë e rregullt. Ne si familje jemi myslimane dhe unë edhe pse kam jetuar në Elbasan, s'e kisha parë kurrë më parë kishën.

E. Leka, besimtare banore e kalasë
Kjo është kisha më e vjetër. Unë jam rritur tek kjo kishë. Mamanë e kemi pasur shumë fetare dhe ritet i bënim gjithmonë. Më përpara për Shën Koll prifti vinte shtëpi më shtëpi dhe bekonte dyert. Atëherë ishte një mrekulli dhe besimi më i fuqishëm.
Ikonat kanë qenë origjinale, por u larguan dhe u vodhën. Duhet t'i kthehen kishës e të ketë të njëjtën pamje madhështore që ka pasur. Kisha ka qenë shumë e bukur më parë. Do ishte mirë që ikonat të ishin origjinale në këtë ikonostas të madh.

Zana Bibaja Shkëlzeni, stërmbesa e Kristoforidhit
Zana Bibaja është stërmbesa e Kristoforidhit, autorit të përkthimit të Biblës në shqip. Zana vjen çdo javë në kishë dhe tregon duke kryer ritet se gjithmonë ka ardhur kur ishte e vogël. "Kisha ka qenë shumë e bukur, por ca ikona u vodhën e ca u zhdukën. Këtu ka pasur edhe shandanë të mëdhenj shumë më të bukur se këta që janë tani. Të afërmit e mi kanë shërbyer në kishë. Taq Deliana, kushëriri im, ka pasur zë të mrekullueshëm si psallt. Madje më kujtohet se ai bashkë me priftin vinin në çdo shtëpi dhe bekonin. Nuk dihet ku kanë përfunduar objektet që ka pasur gjithmonë kisha. Nuk e dimë çfarë fati kanë pasur ikonat dhe materialet. Do ishte shumë mirë që të rivendoseshin aty ku kanë qenë. Kisha është pasuri që duhet ruajtur e mirëmbajtur.

At Nikolla Marku, famulltar i kishës
Prifti i kishës që kujdeset që ky objekt të jetë i hapur dhe në shërbim të besimtarëve, thotë se ikonat e vendosura në ikonostas kanë qenë një zgjidhje pas largimit apo vjedhjes së ikonave origjinale. Një pjesë e tyre përfunduan në Institut dhe bashkë me to edhe dyert e shenjta të Ajodhimës, të cilat ndodhen në muzeun kombëtar. "Në liturgji këto dyer kryejnë anë funksionale të shenjtërimit. Ne kemi kërkuar t'i kthehen kishës por nuk na i japin. Ato plotësojnë anën rituale të liturgjisë, sepse janë dyert e Zotit. Të gjitha materialet që janë marrë nga kjo kishë, duhet t'i kthehen pasi i shërbejnë këtij objekti dhe ritualit të kishës. Në këtë kishë vijnë vizitorë nga e gjithë bota. Kjo është një kishë monument kulture dhe është plotësisht shqiptare. Ikonostasi me rikthimin e ikonave origjinale do të marrë pamjen e tij të plotë si kopshti i Edenit. Ndërkohë, Ikonostasi ka nevojë për një pastrim me një solucion kimik që nuk dëmton vetë ikonostasin dhe sidomos pikturat.







All the contents on this site are copyrighted ©.