2010-11-17 18:30:44

Thirrje e Benediktit XVI për lirimin e Azia Bibi dhe për mbrojtjen e të krishterëve në Pakistan.


(17.11.2010 RV)Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, Benedikti XVI ngriti zërin për situatën e vështirë të të krishterëve në Pakistan, gjithnjë më shpesh viktima të dhunës e të diskriminimit. Këto ditë, pohoi Ati i Shenjtë, bashkësia ndërkombëtare po e ndjek me shqetësim të thellë këtë situatë:RealAudioMP3
“Në mënyrë të posaçme - nënvizoi - i shpreh afërsinë time shpirtërore Zonjës Azia Bibi dhe familjarëve të saj, ndërsa kërkoj t’i kthehet sa më shpejt liria e plotë. Lutem edhe për të gjithë njerëzit, të cilët jetojnë në situata të ngjashme, duke kërkuar t’u respektohen dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e tyre themelore”.
Kujtojmë se Azia Bibi është pakistaneze e krishterë, e dënuar me vdekje për blasfemi.

Para kësaj thirrjeje, Papa mbajti katekizmin, përqendruar tek një figurë tjetër femërore, ajo e Shën Gjulianës di Kornijon, që njihet edhe si Shën Gjuliana e Liezhit, sepse u lind në rrethinat e këtij qyteti, ndërmjet viteve 1191-1192.
Figurë pak e njohur, por tejet e nderuar nga Kisha, e cila i shpreh mirënjohjen jo vetëm për shenjtërinë e jetës, por edhe pse, me zellin e saj të zjarrtë, dha ndihmesën kryesore për themelimin e njërës nga festat më të rëndësishme liturgjike të vitit: Corpus Domini – Korpi i Krishtit.
Për Gjulianën di Kornijon, që mbeti jetime në moshën 5 vjeçare, u kujdesën murgeshat agostiniane. Ndërmjet tyre u edukua, fitoi kulturë të admirueshme e nisi të tregojë interesim të veçantë për jetën kundruese. Gjashtëmbëdhjetë vjeçe pati vegimin e parë, që më pas u përsërit shumë herë gjatë adhurimeve të saj eukaristike:
“Shikonte në vegim hënën në kulmin e shkëlqimit, me një vijë të errët që e përshkonte diametralisht. Zoti e ndihmoi edhe ta kuptonte vegimin që kishte parë. Hëna simbolizonte jetën e Kishës mbi tokë, ndërsa vija e errët, mungesën e një feste liturgjike. I kërkohej, prandaj, të përpiqej me gjithë zemër për themelimin e kësaj feste, në të cilën besimtarët do të mund të adhuronin Eukaristinë, për të përforcuar fenë e tyre, për të përparuar në praktikimin e virtyteve e për t’i kërkuar të Shenjtnueshmit Sakrament falje për të gjitha fyerjet”.
Shën Gjuliana ua tregoi vegimin autoriteteve kishtare por, në vend të përkrahjes, iu desh të përballonte kundërshtimin e rreptë të disa klerikëve. Pas shumë ngurrimesh, ipeshkvi i asokohshëm i Liezhit, imzot Robert di Thurò, e pranoi propozimin e Gjulianës dhe nisi ta kremtonte për herë të parë, në dioqezën e tij, festën kushtuar të Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo që i ndodhi Gjulianës di Kornijon, shpjegoi Papa, përsëritet shpesh në jetën e shenjtorëve:
“Për të vërtetuar në se frymëzimi vjen nga Zoti, besimtari duhet të lutet vazhdimisht, të presë me durim, të kërkojë miqësinë e ballafaqimin me njerëz të tjerë shpirtmirë, e, sidomos, t’ia nënshtrojë gjithçka gjykimit të barinjve të Kishës”.
Për çështjen e Festës së Korpit të Krishtit, tha në vijim Ati i Shenjtë, nisi të interesohej vetë Papa Urbani IV, që edhe e miratoi. Më pas Benedikti XVI kujtoi fjalët e Bulës së 11 gushtit 1264, me të cilën themelohej festa e Corpus Domini:
“Megjithëse Eukaristia kremtohet çdo ditë solemnisht, na duket e drejtë që, të paktën një herë në vit, të nderohet në mënyrë të veçantë e të kujtohet më me solemnitet. Gjërat e tjera i kujtojmë me shpirt e me mend, por kjo nuk na ndihmon t’i bëjmë vërtet të pranishme. Ndërsa në këtë përkujtim sakramentor të Zotit, ndonëse nën një formë tjetër, Jezu Krishti është i pranishëm, i gjallë mes nesh. Të mos harrojmë: kur po ngjitej në qiell, Zoti pati thënë: “Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës”.
Papa Urbani IV, shtoi Benedikti XVI, i kërkoi, pastaj, njërit nga teologët më të mëdhenj të kohës, Shën Tomës së Akuinit, të hartonte tekstet liturgjike të festës së Korpit të Krishtit:
Edhe sot e kësaj dite në përdorim në Kishë, ato janë kryevepra, në të cilat shkrihen teologjia e poezia. Janë tekste, që i bëjnë të dridhen kordat e zemrës, për t’i shprehur mirënjohjen të Shenjtnueshmit Sakrament e për ta lavdëruar, ndërsa mendja, duke hyrë në mahnitjen e misterit, ndjen në Eukaristi, praninë e gjallë e të vërtetë të Jezusit, të Flijimit të tij për dashuri, që na pajton me Atin e na dhuron shëlbimin”.
Festa e Corpus Domini mbetet në shekuj mrekullisht prekëse e, edhe sot e kësaj dite, kremtohet me devocion të thellë nga populli i krishterë:
“Dëshiroj të pohoj me gëzim se sot Kisha jeton stinën e pranverës eukaristike: sa njerëz gjunjëzohen në heshtje para Tabernakullit, për të biseduar plot dashuri me Jezusin! Ngushëllohesh, në sa mëson se jo pak grupe të rinjsh e kanë zbuluar bukurinë e çastit, kur njeriu lutet në adhurim para së Shenjtnueshmes Eukaristi. Edhe unë lutem, që kjo pranverë eukaristike të përhapet përherë më shumë në të gjitha famullitë, posaçërisht në Belgjikë, atdhe i Shën Gjulianës”.
Adhurimi i të Shenjtnueshmit Sakrament, vijoi Papa, e mbush shpirtin e njeriut me gëzim e me ngushëllim: “Zoti e tërheq pranë vetes, e thith në misterin e tij, për ta shndërruar, ashtu siç shndërron bukën e verën”:
Të shumëdashur miq, besnikëria ndaj takimit me Krishtin Eukaristik në meshën shenjte të së dielës, ka rëndësi të dorës së parë për ecjen e të krishterit në rrugën e fesë, pa harruar se duhet të përpiqemi ta vizitojmë çdo ditë Zotin e pranishëm në Tabernakull! Duke e shikuar, në adhurim, Hosten e shuguruar, ne takohemi me dhuratën e dashurisë së Hyjit, takohemi me Mundimet e me Kryqin e Krishtit, por edhe me Ringjalljen e tij”.
Duke përshëndetur shtegtarët e Bazilikatës, ardhur në Sheshin e Shën Pjetrit për të kujtuar 30 vjetorin e tërmetit, që dëmtoi rëndë viset e tyre, Papa u ndalua tek veprimtaria e Kishës, e cila u dha menjëherë jo vetëm ndihmën materiale, por edhe dritën e shpresës në Krishtin e Ngjallur, në ato çaste zije, të errëta e të rënda, kur njeriu nuk e ka të lehtë të gjejë ngushëllim.







All the contents on this site are copyrighted ©.