2010-11-17 18:31:26

Pakistan: fushatë e madhe lutjesh për Azia Bibi, në të gjitha kishat e vendit


(17.11.2010 RV)Kisha në Pakistan i përgjigjet thirrjes së Papës, duke shpallur një fushatë lutjesh. Imzot Endrju Frensis, ipeshkëv i Multanit, në Penxhab, njofton agjensinë Fides se në të gjitha kishat e vendit ka filluar një fushatë lutjesh për jetën e Azia Bibi-t. Besimtarët po luten së bashku për lirimin e saj, para të Shenjtnueshmit Sakrament. Azia, nënvizon Prelati, është nënë e katër fëmijëve, njëri nga të cilët, me kufizime fizike. Jemi para një vuajtjeje të padrejtë, që i shkaktohet kësaj familjeje e para një shpërdorimi të ri të ligjit mbi blasfeminë.
Nasir Sajed, i krishterë pakistanez, koordinator i një qendre, që i ofron asistencë ligjore falas të krishterëve të persekutuar, pohon se ka ardhur koha që qeveria ta marrë seriozisht në konsideratë çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut. OKB-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë presione për këtë, thekson Sajed, duke kujtuar edhe se gjatë dy ditëve të fundit 1300 vetë janë bashkuar me fushatën e shpallur nga agjensia AziaNjuz për të shpëtuar jetën e gruas pakistaneze. Me qindra, edhe mesazhet që arrijnë nga Spanja e nga Amerika Latine, por edhe nga Vietnami, Kina e Malajzia.







All the contents on this site are copyrighted ©.