Më 17 nëntor kalendari Kishtar përkujton Shën Elizabetën e Hungarisë, rregulltare
(17.11.2010 RV)Elizabeta qe një ndër figurat më poetike e më në shenjë të shekullit
XIII, jo për salltanet e famë, por për bukurí të mbinatyrshme virtytesh e shenjtëri
jete. Ishte një ndër poemat e Artistit të Madh, Zotit të Kryqëzuar. E bija e Andreut
II, mbretit të Hungarisë, krejt e re u fejua për Ludovikun IV, princin e Turingjisë
në Gjermani, në oborr të të cilit edhe u rrit e u edukua. Katërmbëdhjetë vjeçe u martua
e, një vit më pas, pati fëmijën e parë. Pozita e saj si princeshë, si bashkëshorte
e si nënë, nuk e pengoi asnjëherë të kryente vepra të mira dashurie për të varfër,
për të sëmurë, për pleq e për të lënë mbas dore. Pas tyre e për ta shpenzoi të gjitha
pasuritë e veta. Për ta, e sidomos për të gërbulur, s’e kurseu shërbimin. Njëzet
vjeçe mbeti e vejë, shtatzënë me të tretin fëmijë. Më pas u dëbua nga oborri i principatës.
Vuajti salvime, varfëri, përbuzje, por s’i harroi kurrë të varfrit e të sëmurët. Vdiq
terciare françeskane 24 vjeç, në vitin 1231 në Marburg, ku kishte hapur spitalin e
të varfërve në emër të Shën Françeskut.