2010-11-17 16:18:48

Ipeshkvijtë e Haitit: të gjithë të mobilizohen kundër kolerës. Vendi drejt zgjedhjeve në mesin e vështirësive


(17.11.2010 RV)“Të mobilizohemi, të bashkojmë forcat për të ndalur përhapjen e shpejtë të kolerës”: kjo është thirrja e ipeshkvijve të Haitit, që u drejtohet mjekëve, vullnetarëve, gazetarëve, edukatorëve dhe krerëve të fesë për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet nga epidemia e kolerës, e cila ka shkaktuar mëse njëmijë të vdekur e 17 mijë të shtruar nëpër spitale. Përhapja e kolerës shqetëson edhe bashkësinë ndërkombëtare, për pasojat shoqërore dhe politike, që mund të ketë mbi Haitin. Gjendja, e rëndë që nga tërmeti i janarit të kaluar, po krijon tensione në popull, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe legjislative të 28 nëntorit. Por a mund të shkohet drejt votimeve në këtë situatë? Të dëgjojmë gazetarin italian, Marko Belo, i sapokthyer nga Haiti:RealAudioMP3
Teknikisht – e ndoshta edhe politikisht – nuk ekzistojnë kushtet për të bërë zgjedhjet. Por, problemi është se njerëzit janë të lodhur nga mënyra si po e administron qeveria rindërtimin e vendit, prandaj, ndryshimi është i nevojshëm. Gjendja është shumë e vështirë: janë regjistruar 4 milion zgjedhës, por në fakt, akoma nuk dihet se kush e ka kartën e votimit.
Një qeveri e re do t’i zgjidhte problemet, sipas jush?
Sigurisht, njerëzit duan ndryshime e institucione të qëndrueshme. Faktikisht, kjo qeveri e ka përjashtuar krejtësisht shoqërinë civile nga procesi i analizës së nevojave të vendit e nga rindërtimi i tij, duke e lënë gjithçka në dorën e bashkësisë ndërkombëtare. Por, në të vërtetë, administrimi bëhet në mënyrë kaotike, sepse ndërhyhet sipas qejfit e kjo qeveri nuk është në gjendje t’u japë rregulla e plane organizatave joqeveritare ndërkombëtare, apo edhe vetë OKB-së. Kjo do të thotë se 10 muaj pas tërmetit, praktikisht, askush nuk ka arritur të hyjë në shtëpinë e vet e njerëzit akoma jetojnë në tenda. Natyrisht, nëse kjo gjendje do të ishte marrë në dorë që në fillim, kolera mund të ndalej.
Cili e ka përgjegjësinë më të madhe për këtë emergjencë të dyfishtë në Haiti, për tërmetin dhe për kolerën?
Së pari, qeveria, e cila nuk arriti të mobilizojë shoqërinë civile haitiane. Së dyti, bashkësia ndërkombëtare, së cilës i mungon koordinimi. Ndryshimi i qeverisë – një qeveri bashkimi kombëtar – dhe përfshirja e shtresave të ndryshme të shoqërisë haitiane, duke vënë disa rregulla, mund të ndihmojë në daljen nga kaosi, pasi, vërtet, në këtë çast, Haiti është në kaos të përgjithshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.