Më 16 nëntor përkujtojmë Atë Zef Valentinin S. J. në 31 vjetorin e vdekjes.
(16.11.2010 RV) Atë Zef Valentini, jezuit, lindi në Padovë më 1 korrik 1900. U diplomua
për filozofi në vitin 1924 dhe më pas për teologji në vitin 1928. Ishte vetëm 20 vjeç,
kur shkoi për herë të parë në Shqipëri si misionar jezuit. Ndërmjet viteve 1922-1932
ishte mësues në Kolegjin e mirënjohur Saveriane të Shkodrës, prandaj vepra e tij e
parë, shkruar shqip e italisht, titullohet “Kolegja Saveriane ndër 50 vjetët e para
1877/´78-1927/´28”.
Më pas Atë Valentini shkroi biografinë e Garcia Moreno-s
dhe nisi një sërë përkthimesh të autorëve të njohur botërorë në gjuhën shqipe. Paralelisht
u muar me studime historike dhe letrare. Nga viti 1932 deri më 1943 drejtoi revistat
e jezuitëve “Lajmtari i Zemrës së Krishtit” dhe “LEKA”. Në fund të vitit 1943 At
Zef Valentini u largua nga Shqipëria për në Itali, ku drejtoi revistën “Letture” dhe
nisi të botojë shumë tekste mbi Shqipërinë. Në vitin 1955 ishte në krye të Katedrës
së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, ku themeloi dhe drejtoi “Qendrën ndërkombëtare
të studimeve shqiptare”. Vdiq në Palermo më 16 nëntor 1979. Për kontributin e madh
që dha si njeri kulture e si bari shpirtrash në Shqipëri, e kujtojmë sot me nderim
të thellë, duke cituar fjalët që tha për të Papa Pali VI më 25 prill 1968, me rastin
e festimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Romë: “Shqiptarë! Duajeni
Atë Zef Valentinin, se ai ju do me zemër. Çmojeni, se ai punon pa pushim për t’i bërë
të njohura para botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është juaji, sepse
i ka dhuruar çështjes suaj mendjen e zemrën e vet”. Të njihemi me veprat e Atë
Zef Valentinit, Jezuit. Po kujtojmë disa nga veprat e Atë Zef Valentinit, që
meritojnë të njihen nga të gjithë shqiptarët dashumirë të kuklturës: “Kolegja Saveriane
ndër 50 vjetët e para 1877/´78-1927/´28”; “Biografi e Garcia Moreno-s”; “Polieucte”
e Kornejt (përkthim); “Sauli” i Alfieri-t (përkthim) “Studim mbi hakmarrjen
historike të shqiptarëve” (Bashkautor me Fulvio Kordinjanon); “Kronologji mbi
historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”; “E drejta e
komunitetit në traditën juridike shqiptare” (1956); “Ligji i maleve shqiptare 1880-1932”
(1969); “E drejta juridike shqiptare”; “Akte shqiptaro-veneciane të shekujve
XIV-XV”; Revista “Letture” (themeluar prej tij në vitin 1946-n në Itali); “Shkodra
dhe poeti i saj” (ese për Ernest Koliqin); “Fishta” (studim për Gjergj Fishtën),
në të cilin jezuiti Valentini e quan françeskanin Atë Fishta: “Homeri shqiptar, poet
i madh kombëtar e një nga poetët epikë më të mëdhenjtë në botë”. Në revistën
zëmadhe të Ernest Koliqit, “Shêjzat”, Atë Zef Valentini botoi mbi njëqind artikuj
e studime, që japin ndihmesën në të gjitha fushat e kulturës. Në gjuhësi, vlen të
përmendim “Fjalorin shqip - italisht”, vepër madhore, që na paraqitet te revista,
por që në tërësi mbeti e pabotuar; si dhe studimin “Toponomastika shqiptare”. Në
letërsi kujtojmë studimin me vlerë “E ardhshmja e letërsisë shqipe” (n.23,vj.I,
sht. tet., 1957) që pasqyron në vija të përgjithshme zhvillimin e letërsisë në gjuhën
shqipe, si dhe studimet mbi figura madhore të saj nga Buzuku, te De Rada, Petrota,
Xanoni, Fishta e Koliqi. Në hisori bien në sy studimet :“Kronologji mbi
historinë e Shqipërisë nga viti 313 e deri në shekullin XIII”; “Për një histori
të Shqipnisë” (n.1-2, 1959) “Lidhjet e Kastriotit me papatin në luftën kundër turqve”
(Vj.III, n.5-6, 1959, fq.210); e studime të tjera për momentet kyçe të historisë së
Shqipërisë në rrjedhë shekujsh. Kujtojmë se vetëm në revistën e njohur të Ernest
Koliqit “Shêjzat”, botoi mbi njëqind artikuj e studime, që japin ndihmesën e vet në
të gjitha fushat e kulturës. Atë Zef Valentini nuk ishte shqiptar, por ndjehej shqiptar;
e fliste dhe e shkruante shqipen më mirë se një shqiptar dhe bëri për kulturën e vërtetë
shqiptare, atë që pak shqiptarë e kanë bërë.