2010-11-16 16:56:20

Konferenca ndërkombëtare në Vatikan bën një bilanc të shëndetësisë nëpër botë. Kisha kërkon barazi dhe humanizëm në mjekimin e të sëmurëve.


(16.11.2010 RV)“Për mjekim të barabartë dhe human nën dritën e enciklikës Caritas in Veritate”. Kjo është tema e Konferencës XXV Ndërkombëtare promovuar nga Këshilli Papnor për Veprimtarët Shëndetësor që do të zhvillohet më 18 nëntor në Sallën e re të Sinodit në Vatikan, dhe më 19 nëntor pranë Institutit Patristik Augustinian. Kjo ngjarje u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
“Një temë kyçe për drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor”, nënvizoi drejtori i Sallës së Shtypit, Atë Federiko Lombardi, që përkon edhe me 25-vjetorin e themelimit të Këshillit Papnor për baritorinë e shëndetit. 750 do të jenë pjesëmarrësit, - ndër të cilët studjues, veprimtarë shëndetësorë, meshtarë, rregulltarë e laikë, - nga 65 vende, nga të pesë kontinentet, shumë nga Azia dhe Afrika. Ndër referuesit do të jenë kardinajt Bertone, Martini dhe Turkson, përveç kryeipeshkvijve Amato dhe Ravazi që janë në prag të krijimit kardinaj. Gjithashtu do të marrë pjesë edhe ministri italian i shëndetësisë Facio, kryetari i Institutit për veprat e religjionit, Tedeski dhe ekonomisti Xamanji.
Por, më hollësisht, synimet e kësaj konference i ilustroi kryetari i dikasterit promovues, Imzot Zigmunt Zimovski:

“Shprehim shpresën tonë të sinqertë që kjo Konferencë të hedhë dritë mbi mënyrat sesi mund të rritet barazia aq shumë e dëshirueshme e asistencës shëndetësore bazë, e që kjo të respektojë në të njëjtën kohë dinjitetin e pacënueshëm të njeriut.”

Bëhet fjalë për vlerësimin e “sistemeve ekonomike dhe shoqërore nëpërmjet thjerrëzës morale të dashurisë dhe të së vërtetës” me qëllim promovimin e plotë të personit dhe të përparimit të të gjithë njerëzimit.” – vuri në dukje prelati.

“Nën dritën e kësaj, po bëhet gjithmonë e më e vështirë përputhja e përparimit ekonomik, shkencor dhe teknik me pabarazinë në shërbimin shëndetësor, i cili është një e drejtë njerëzore themelore.”

Vazhdojnë të ekzistojnë në fakt, pabarazi të vazhdueshme ndërmjet sistemeve shëndetësore të vendeve të varfëra dhe atyre të pasura, ku ka edhe dallime të dukshme në mundësinë e shfrytëzimit të shëndetësisë. – theksoi mes tjerash Imzot Zimovski.

“Shumë të varfër e të braktisur nuk kanë mundësi për të blerë barëra apo për shfrytëzimin e teknologjive të tjera për shkak të çmimeve të larta ose të infrastrukturave shëndetësore që ekzistojnë nëpër vendet e tyre.”

Prelati vazhdoi pastaj duke vënë në dukje punën e çmueshme që Kisha Katolike kryen në sektorin e shëndetësisë me 117 mijë struktura nëpër botë, veçanërisht në vendet më të varfëra.

“Detyrimi moral që buron nga të drejtat njerëzore është se duhet të trajtojmë çdo person njësoj me veteveten, me të njëjtin dinjitet dhe me të njëjtat mundësi për të çuar një jetë të shëndetëshme. Prandaj nuk mund të përjashtojmë askënd nga shëndetësia apo t’i japim mjekime më të përcipta.” – përfundoi Imzot Zimovski.

Një thirrje të posaçme bëri edhe drejtori i Klinikës së Obstetrisë dhe Gjinekologjisë i Universitetit “Tor Vergata” të Romës, Domeniko Arduini. Teprimet me teknologjinë dhe me specializimin kanë bërë që mjekët të përqendrohen tek dijet e tyre vetjake, duke lënë pasdore individualitetin dhe pikërisht për këtë arsye është e nevojshme ta vendosim edhe një herë pacientin në qendër të vëmendjes, nënvizoi Dr. Arduini.







All the contents on this site are copyrighted ©.