Jeuziti At Zef Valentini albanalog e historian i madh
Shqiptarë! Duajeni At Valentinin, se ai ju dashuron me zemër. Çmojeni, se ai punon
paprerë, për t’ia bërë të ditur botës vlerat tuaja shpirtërore dhe artistike. Ai është
juaji, sepse i ka dhënë çështjes suaj mëndjen dhe shpirtin e vet. - Papa Pauli VI,
25 Prill 1968
Ja, këto fjalë të kumbuara nga Papa Pauli VI përpara mijëra
të ftuarve ndërkombëtarë që merrnin pjesë në solemnitetin kremtues të kongresit kastriotian
mbajtur më 25 Prill 1968 në Romë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë
të madh kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, janë maja kulmore e vlerësimit të
aktivitetit të mrekullueshëm gati 50 vjeçar të një studiuesi të shquar, të një njeriu
të ditur të shkencës, të një figure shumëpërmasore e me interesa të gjithllojshme,
të një personi me shpirt sa të ndrojtur aq dhe të paepur, të një jezuiti italian,
të lindur në Padova (bashkë me shekullin e kaluar, pasi është i datëlindjes 1900),
që me të ardhur në Shqipëri nuk u ndal në zhvillimin e thjeshtë të aktivitetit të
tij fetar dhe edukativ prej misionari, por me një dashuri të ethshme e çdo ditë e
më të fortë, shoqëruar nga një formim rigoroz shkencoro-kulturor, u hodh me të gjitha
forcat në vorbullën e njohjes së çdo këndi të jetës dhe historisë së popullit shqiptar,
të gjuhës e zakoneve të tij, të panoramës sonë të pasur etnografike e arkeologjike,
me rezultate të shkëlqyera në secilën prej këtyre, disiplinave, të atilla sa t’i japin
sot njëzëri titullin e njerit nga mjeshtrit më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë
shkenca e Albanologjisë.
Madje prania e figurës së një studiuesi me përmasa
të tilla si Atë Zef Valentini, në kaq shumë fusha të historiografisë dhe shkencave
shoqërore, e bën të pamundur cilëndo përpjekje për ta karakterizuar veprën e tij në
një fushë të caktuar. Gjithsesi nga pikëpamja e karakterit, e rëndësishme do të
qe të ravijëzohej freskia e tij e përhershme shpirtërore, kureshtja gati foshnjore,
kurrë i nginjur e asnjëherë i fashitur, i një njeriu që i sheh gjërat dhe njerëzit
me një shpirt gjithmonë të ri, paragjykim-davaritës, ku shquhet gatishmëria intelektuale
dhe vrulli “djaloshar” për të rrokur gjithçka që i intereson me një pasion kurrë të
mugëtuar e vazhdimisht të gjallë. Nga ana tjetër, gjithë rregulli i tij sistematik
në kërkime e gjithë ai formim e kultivim i vazhdueshëm shkencor, apo gjithë ai pathos
i jashtëzakonshëm për punën që e shtynte të punonte natë-ditë, duke thënë gjithmonë
“Duhet të ngutemi, sepse s’kemi shumë kohë”, nuk do të kish mjaftuar për të bërë gjithë
ato kryevepra që ai la pas, po që tek studjuesi dhe shkencëtari rigoroz nuk do të
shihnim një “burrë fjalë pak, derë-çelë, shpirtgjanë, të arsyeshëm e të matur, njëlloj
si banorët e maleve shqiptare”, - siç i pëlqente ta thërrisnin shpesh; nëse nuk do
të shihnim një enolog shije-hollë e anëtar të Akademisë Italiane të Kuzhinës, që i
njihte përbërësit e një recete gjelle po kaq mirë sa dhe “aktet shqiptaro-venedikase”,
nëse nuk do të shihnin një lexues të apasionuar të librave policorë apo të dashuruar
marrëzisht pas një Baccelli një Salgazi, një Wiecherti e një Çehovi; nëse nuk do të
shihnin vallëtarin dhe këngëtarin magjepës të melodive bizantine me kalime të tonit
të nivelit të katërt që ata të cilët kanë ndopak njohuri për muzikën i bën të rrëqethen
përpara asaj ç’ka kjo nënkupton; nëse nuk do të shihnin topografin e botanikun profesionist,
kujtojmë këtu artikujt shpjegues mbi botanistin dhe albanologun e shquar italian Antonio
Baldacci dhe një recension të tij mjaft special në këtë fushë mbi Wulfenian, një lloj
bime shumë të rrallë por e gjetur edhe në Shqipëri. Gjithësesi ia vlen të përmendim
në këtë pikë, një episod mjaft interesant në zhbirimin e raportit të tij fillestar
me shqiptarët, një episod ky i rrëfyer shumë vite më pas nga Koliqi, njëri prej bashkëpunëtorëve
dhe miqve të tij më të mirë. “At Valentini mbrriti në Shqipëri në shtatorin e vitit
1922. N’at muaj të ëmbël e të praruar vjeshtor, Shkodra e priti me heshtjen dhe nxehtësinë
e rrugëve të saj gjarpnuese, rrethuar me gjethet e zverdhura të lulvileve n’agoni
e me aromat e fshehta që asokohe vërshonin prej s’brendshmi në rrugë, tue ardhë prej
matanë mureve të larta të oborreve të mbyllura’’. Sigurisht, në periudhën e qëndrimit
të parë në Shkodër, ai do të jetë ndjerë në siklet përpara këtyre dyerve të mbyllura
fort, n’ato shtëpi prej të cilave vetëm dritaret e fortifikuara vështronin nga rruga,
përballë atyre njerëzve të sjellshëm e madje ceremonialë, por të rezervuar e me pamje
të mezidallueshme, mosbesimi, që s’lejonin me u folë as edhe një fjalë më tepër nga
ajo që përmbante fjalori i tyre ngushtësisht konvencional.
Edhe pse mundohej
të përshtatej me vullnetin më të mirë e me të gjithë “arsenalin” e tij të komunikimit,
ai nuk arriti kurrësesi ta thyente akullin me nxënësit e vet, në klasat e gjimnazit
ku jepte mësime mbi latinishten, greqishten, italishten, fenë apo historinë e natyrës.
Ndihej sinqerisht i pikëlluar për këtë dështim, kur e la Shqipërinë për të shkuar
në Xhenova e për të vazhduar studimet për filozofi. E po kaq i izoluar vazhdoi të
ndihej edhe atëherë kur u kthye përsëri në Shkodër në vitin 1926, tashmë për të qëndruar
gjatë. Mure që dukeshin të pakapërcyeshëm nga moskuptimi e pengonin të vendoste marrëdhënie
miqësore me shqiptarët në përgjithësi dhe me nxënësit e vet në veçanti. I përfundonin
pa rezultate të gjitha përpjekjet e depërtimit nëpër ata shpirtra që i dukeshin hermetikë.
Aq më tepër që ky moskuptim, po i shkaktonte edhe dështimin e detyrës së tij si misionar.
Kështu i tronditur së brendshmi nga një krizë ë rëndë shpirtërore, arrin deri në pikën
e dorëzimit dhe braktisjes së çfarëdolloj detyre. Vendos madje të kërkojë edhe transferimin.
Mirëpo e gjitha kjo ndryshoi në ditën e përvjetorit të ditëlindjes së tij, kur ai
vuri re papritmas se sjellja e atyre djelmoshave nuk diktohej nga mosbesimi apo nga
mungesa e dashurisë dhe respektit, por nga karakteri i veçantë i shqiptarit, i cili
shfaqjet e hapura të ndjenjave i konsideron si akt dobësie”.
Që prej atij
çasti, akulli u thye. Pak nga pak ai u ndje i rrethuar jo vetëm nga simpatia, por
edhe nga ngrohtësia e sinqertë e kujtdo shqiptari me të cilin takohej. Fliste hapur,
komunikonte me banorë qytetesh, katundesh, malesh, dëgjonte me vëmendje njerëz të
çdo niveli e feje, duke kërkuar të njihej madje dhe me problemet e tyre personale.
Një padovani si ai banesat karakteristike shkodrane, i kujtonin shtëpitë e fshatit
të vet, në Brenta. E mahniste atmosfera e botës së këtyre familjeve, mbrujtur mes
një fisnikërie autentike, e mbetur e pacënuar nga shtrëngatat shekullore. Shijonte
me ëndje shurupet e ëmbla të limonëve, rritur në oborret e shtëpive, dardhat e kopshteve
shtëpijakë, gatuar me kujdes e ngrohtësi sipas recetave tradicionale, rakinë e fortë
të rrushit të vreshtave të Bardhaj e Recit…” Në pazar të Shkodrës, i pëlqente të frekuentonte
tezgat e qëndistarëve të bastuneve t’argjendta, të rrobashitësve e tregëtarëve që
kishin shëtitur tërë botën. Ndërkohë që në Tiranë kur pas vitit 1941 filloi të punonte
si këshilltar e sekretar i përgjithshëm i Institutit Mbretëror të Studimeve Shqiptare,
kishte për zakon të vizitonte me radhë, një nga një çdo ditë, të gjitha gjellëtoret
e vogla të rrugës së Dibrës, duke shijuar pjatat e shijshme të përgatitura prej guzhinierësh
të aftë, ekspertë në artin e guzhinës të Lindjes dhe Perëndimit”.. Po më mbresëlënës
nga gjithçka ishte fakti se ai zhytej në botën shqiptare, jo vetëm me interesin e
shkencëtarit, por me ankthin e të dashuruarit që mezi pret të zbulojë pjesët më të
vërteta e më autentike të objektit të dashurisë së vet. Aq më tepër që kish qëlluar
në një kohë kur misionarët e tyre jezuitë tashmë e quanin të konsoliduar pozitën e
tyre në gjirin e katoliçizmit shkodran. Megjithatë, me mprehtësinë dhe intuitën që
e karakterizonte, ai e kuptoi menjëherë se veprimtaria e tyre vërtitej e gjitha brenda
qerthullit katolik shkodran, pa e kapërcyer gardhin e tij dhe pa hyrë në lëmin e gjerë
të lëvizjes kulturore dhe shoqërore që kishte nisur të shpërthente në Shqipëri, pas
viteve 20-të. Këtë hap cilësor jezuitët do ta bënin vetëm më vonë, në fillim të
viteve30-të me botimin e një reviste me qëllime të qarta dhe të prera filozofike,
letrare, shoqërore e kulturore, që ata e quajtën L.E.K.A. Është pikërisht kjo revistë
ku At Zef Valentini do të dëftojë gjithë pasionin e tij për shkencë, gjithë aftësitë
e tij mendore, gjithë vetitë e tij si studiues me përgatitje të thellë e të gjejë,
që kapte skajet e erudicionit të ndriçuar nga kultura e tij humaniste dhe të veshur
me petkun e largpamësisë dhe origjinalitetit të spikatur të talentit të vet, sidomos
në dyert e fushave të shkencave shoqërore.
Asokohe në Shqipëri numëroheshin
rreth 170 revista me veprimtari të përcaktuar në fusha të ndryshme të kulturës dhe
fesë. Por kriteret nga të cilat nisi punën Zef Valentini qenë goxha të larta në krahasim
me ato të të tjerëve. Dalloheshin kryesisht artikujt që filluan të përfaqësonin filozofinë
dhe teologjinë, letërsinë dhe historinë, ekonominë dhe të drejtat politike e morale;
pra, praktikisht të gjithë argumentet e nevojshëm për ringjalljen dhe zhvillimin e
ambjentit shqiptar. Ky nivel mjaft i lartë filozofiko-shoqëror i shkrimeve, pati në
fillim kritikë të shumtë që i mëshonin faktit se ai do të sillte moskuptimin e artikujve
e të lëndës në përgjithësi, në një kohë kur përkundrazi, ishte pikërisht ky stil ai
që filloi të ngjallte kënaqësinë dhe entuziazmin e lexuesve, duke i shtyrë gjithnjë
e më tej caqet e zhvillimit të tyre kulturor e duke i bërë ata të ndiheshin krenarë
që kishin nisur të arsyetonin në nivelin me të cilin trajtoheshin nga kjo revistë
argumente të ndryshëm të realitetit shqiptar.
Ishte koha kur në shpirtrat
e shqiptarëve kish filluar të frynte një erë e pastër kthjelluese, çliruese dhe shpresëdhënëse.
Ndaj, për ta përforcuar akoma dhe më shumë këtë prirje, revista LEKA, nisi të pohojë
me ngulm dhe theks moral “se traditë nuk do të thotë fosilizim brenda një guacke parimesh
anakronike, por transmetim e rimishërim progresiv i forcave dhe rezervave reaguese
të shpirtit shqiptar, gjithnjë besnik ndaj frymëzimit autokton, porse gjithnjë e më
i ndjeshëm ndaj frymës së kohrave të reja”, në mënyrë që në këtë botë të veçantë shqiptare,
që ka mënyrat e veta karakteristike në konceptimin e botës dhe vlerave të gjithkohshme
të jetës, të gjendej një pikë e palëvizshme midis tendencave përçarëse të ekuilibrit
midis Lindjes dhe Perëndimit. E po të numërojmë disa nga kulmet e shkrimeve të
mprehta, problemore, e të dendura plot me reçensa e informacione kulturore e filozofiko-shoqërore
të nivelit bashkëkohor që botoheshin në radhët e kësaj gazete të shndrruar në model
etike dhe iluminimi, do të kuptojmë menjëherë se ajo ka dhënë një kontribut vendimtar
në mësimin se si duhen vëzhguar dhe zgjidhen problemet tona kombëtare me seriozitet
dhe ndërgjegjje kritike. Theksojmë këtu faktin se Valentini, në krye të kësaj reviste,
nuk shfaqej aspak si shkencëtari i zyrave, si teoricieni pa kurrfarë kontakti me jetën,
si mendimtar i shquar, por që nuk merr lëndë nga realiteti, por një njeri që impulsi
i flaktë i dashurisë dhe humanizmit e shtynte të merrte pjesë në zgjedhjen e nyjeve
komplekse të problemeve që lidheshin jo vetëm me albanologjinë, por edhe me vetë Shqipërinë
dhe jetën e saj të brendshme. E gjitha kjo kishte vetëm një shpjegim të thjeshtë:
brenda tij tashmë rritej e gjallohej një vrull i madh pasional, brenda tij tashmë
ai ndihej përfundimisht shqiptar. Kësisoj, për të qe një dëfrim të kalonte nga kërkimi
dhe zbulimi i një dokumenti të çmuar historik në një skutë të errët e të humbur të
një rafti të pluhurosur biblioteke, në sqarimin dhe shtjellimin praktik të ideve e
doktrinave filozofike, - si tek “Ndërgjegjja”, kulturë, intelektualitet, diplomë,
kolltuk, gjurmime filozofike mbi kuptime të drejta. E mira dhe e keqja, “Lindje e
Perëndim”, “Tue gjuermue kuptimin themelor të mistikës”, “Të drejtat e metafizikës”:
- apo në diskutime social-politike të kohës, si tek “Morali i pares, “Optimizëm e
pesimizëm”, “Paqifizëm dhe atdhetarizëm”, “Ndërgjegja Publiqitare”, “Ndërgjegjja profesionale”,
“Një ligjë eugjenike” në Shqipëri” (mbi parimet morale të martesës), “Vetëvrasa, “Amicus
Socrates… por folja hakun (një polemikë drejtuar Branko Merxhanit në lidhje me meritat
e klerit shqiptar), etj. – apo në kritikë e gjuhësi, si tek “Shoqatat gjuhësore të
Rilindjes”, “Dale,…” (mbi njësimin dhe zyrtarizimin e bashkimit të gjuhëve dialektore),
“çështja e gjuhës”, vlerësim, pasurim dhe pastaj bashkim i dy dialekteve”, - apo më
një studim më vete, të titulluar “Në parahistori të shqipes”, ku hartohet një radhë
prej 277 fjalësh shqipe të dëshmuara në dokumentet historikë të kohës, shumë më parë
se sa të futeshin në tekstet shqiptare”, - Apo në një punim të gjatë e të vazhduar
në rreth 20 numra te “LEKA”, mbi “studimin më objektiv të historisë së pedagogjisë’’,
ku ai merret gjërësisht me davaritjen e kritikave dhe parashtrimin e parimeve frymëzuese
të “Radio studiorum” metodës klasike të jezuitëve në edukimin e të rinjve; - apo në
atë që mund të quhet perla e gjithë kësaj fushe hulumtimesh, që mban emrin “Nomen
Klator” (e po të mblidhej do të formonte një libër të bukur me rreth 250-300 faqe),
një fjalor bibliografik iliro-shqiptar, që përmban vërtet të dhëna deri në një pikë
të gërmës A, por që fare mirë mund të quhet orvajtja e parë drejt krijimit të një
enciklopedie të plotë e të vërtetë, e cila nëse do të vazhdonte të realizonte deri
në fund, ashtu siç ishte planifikuar, do të jepte një vizion të mrekullueshëm nga
pikëpamja sintetike, e jetës dhe shoqërisë shqiptare në rrjedhën e saj mijëvjeçare.
Në këtë parantezë, edhe pse të një lloji të veçantë e të shtrira nëpër fusha specifike
të dijes, janë për t’u përmendur edhe përkthimet e tij të artikujve të ndryshëm mbi
albanologjinë, si p.sh. ajo e Baldaccit kushtuar albanologut hungarez, baronit F.
Nopça; ajoa e kardinal Tagliavinit mbi “Kardinal Mezzofentin dhe gjuhën shqipe”; ajo
e Flavio Banfit me titull: “M’a i moçmi humanist shqiptar, Gjon Gazuli”, një kontribut
ky mjaft origjinal e jashtëzakonisht i çmuar, i sjellë prej shkrimesh e dokumentesh
të panjohura më parë, nga ana e historianit hungarez Ladislav Halik-Borak, që parapëlqente
shpesh në artikujt e vet pseudonimin Flovio Banfi. Për t’u përmendur gjithashtu janë
edhe studimet e tij mbi shenjtët (ç’ka mund të thuhet se shënon fillimin e traditës
sonë hagjiografike-shkencës që merret me studimin e emerave të shenjtëve), ku jepet
një listë e hollësishme e një serie emrash të shenjtëve të periudhës kristiane dhe
paleokristiane, pak a shumë të njohur e të përdorur në Shqipëri; studimin e titulluar
“Një tjetër piktor shqiptar “ku thellohen akoma më shumë studimet e nisura nga Franz
Babingeri mbi piktorin e njohur të shekullit të 16-të, me origjinë shqiptare Marco
Bazaiti; studimin mbi albanologun e njohur gjerman të balkanologjisë Alois Schmaus,
etj. Të gjitha këto, pavarësisht se janë tema që i përkasin një publiku të specializuar,
janë shembuj të padiskutueshëm të erudicionet të jashtëzakonshëm që shquante Valentinin.
Megjithatë, raporti më i veçantë që autori arriti të krijojë përtej fushës së
historisë ishte ai që i përket letërsisë shqiptare. Që në fillimet e qëndrimit të
tij në Shkodër, e pastaj edhe në Tiranë, ato pak orë të ditës që i mbeteshin të lira,
si për t’u shplodhur, ai ia kushtonte ose ndonjë përkthimi ose ndonjë krijimi të tij
origjinal si p.sh. poezia “Flamuri u ngjall”, apo oda e mrekullueshme kushtuar Shtjefën
Gjeçovit, këtij martiri të idesë kombëtare, e cila fitoi jo vetëm miratimin e të madhit
Fishtë, që e botoi atë në revistën “Hylli i dritës”, por edhe admirimin e tij, përderisa
e ndërfuti këtë odë 21 strofëshe në veprën e vet antologjike “Bota shqiptare”, botuar
më 1943. Në këtë krijim Valentini shpreh qartë gjithë cilësitë e veta poetike me të
cilat e kishte pajisur natyra, por njëherësh edhe dashurinë e tij të zjarrte për Shqipërinë
dhe njerëzit e saj të shquar. Gjithësesi, fusha ku autori ka dhënë prova me të vërtetë
të shkëlqyera zotësije poetike janë përkthimet (në prozë të ritmuar) e tragjedisë
“Poliekti” të Korneit (së bashku me At Fulvio Cardionano) dhe “Sauli” të Alfierit,
për të cilën Kalio, do të shprehehj se “e gjykonte mjeshtëror përkthimin e Valentinit”,
duke ua paraqitur lexuesve shqiptarë me këto fjalë: “Sauli një ndër kryeveprat e Alfierit,
jo vetëm i ka ruejtë vetitë e rralla artistike, por disi asht përtritun e rinue në
kët përkthim të Valentinit”. Madje aq e famshme është kjo vepër, sa përdoret ende
dhe sot si klasike e shqipes, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, në fakultetin
e letrave të Universitetit të Palermos. E ashtu siç tregon Karl Gurakuqi, “Studentët
e shumtë përgjatë brezave kanë përfituar mjaft nga ky përkthim, duke bërë krahasime
në mes të dy gjuhëve, sidomos në pikëpamje të strukturës gjuhësore dhe pasurisë së
mënyrave të shprehjes, të posaçme për secilën prej tyre. Kjo e fundit është një fushë
ku At Valentini tregoi jo vetëm pasionin dhe talentin, por edhe aftësi të spikatura
prej shkencëtari të mirëfilltë. Duke marrë parasysh shembujt e poetëve të mëdhenj
të asaj kohe si Fishta, Mjeda, Zef Skiroi, Prenushi, Asdreni e Koliqi, ai u orvat
t’u japë këshilla e t’i mësojë të rinjtë si të fillojnë të bëjnë hapat e parë në lëmin
e poezisë, si t’i njohin e t’i përdorin rregullat e metrikës, si të bëjnë numërimin
dhe theksimin e rrokjeve, si të krijojnë vargjet e rrafshta, të këputura e rrëshqitëse,
vargjet klasike e moderne, strofat dhe rimat”. Madje, në lidhje me rimat, sipas rrëfimeve
të bashkëpunëtorëve të tij, tregohet se Valentini pat punuar gjatë për të ndërtuar
rimarin e gjuhës shqipe, një vepër kjo voluminoze, që përfshinte një sasi prej 30
mijë skedash të seleksionuara, por, që s’arriti dot të shihte dritën e botimit.
Fati i kësaj vepre nuk dihet as në dorëshkrim, por ajo patjetër që do të kishte
zënë një vend me mjaft rëndësi në fondin e letërsisë sonë. Megjithatë, punimet e tij
mbi metrikën e vargjeve të botuara në shumë pjesë në revistëen “LEKA”, nën okelion
“këshilla të rinjve në punim të vjershave”, duke i plotësuar, përmirësuar e strukturuar,
Zef Valentini ia dorëzoi në formën e një traktati, Ministrisë së atëhershme të Arsimit,
për ta përdorur si tekst në shkollat shqiptare, duke parë që asokohe një libër i tillë
mungonte. Po të përjashtojmë këtu veprën e Luigj Gurakuqit të vitit 1906, “vargnimi
në gjuhën shqipe” dhe ndonjë libër tjetër pa shumë rëndësi, ky do të qe i pari libër
i këtij lloji në gjuhën shqipe, por që mjerisht nuk arriti të botohej për shkak të
trazirave të luftës në Shqipërinë e viteve 1943-1944. Gjithësesi, vlera më e çmuar
që i ka lënë letërsisë sonë, janë kritikat e një niveli elitar që ai ka dhuruar për
figurat më të mëdha letrare të Shqipërisë së asaj kohe.
Kështu, në këtë panoramë
recensionesh e artikujsh, paraqitet madhështore sprova e tij mbi Fishtën, me anë të
cilës autori mëson të japë çelësin për të hapur thesarin e poezisë fishtiane, duke
e gjetur atë në konceptin heroik të një jetese të mbrujtur nga kurajoja, qëndrueshmëria,
vlera morale, besnikëria dhe nga tërë ajo mori gjërash që janë rezultat i tyre i drejtpërdrejtë,
si mënçuria, fisnikëria, mikpritja, bujaria dhe dekori i saj pafajësor e gati naiv.
Duke vënë para syve të lexuesit jo vetëm shpirtin dhe format popullore që shfaqen
qartë në veprën e poetit të “Lahutës së Malcis” (metrika, stili, vlerat etike dhe
juridike tradicionale), por edhe brenditë e reja ideologjike që e rigjallojnë atë,
ai thekson se "”duke pranuar stilin e rapsodëve që i pëlqen aq shumë popullit të tij,
Fishta pranon gjithashtu edhe përralloren si sfond a dekor letrar, por nuk kërkon
të pranojë kurrësesi përkundjen si në djep të njerëzve të Atdheut të vet në një jetë
ëndërrimtare; Përkundrazi, kërkon ta parapërgatisë trimërisht dhe shpirtërisht popullin
e tij për një Rilindje, të kuptuar jo vetëm si një luftë apo një luftë për pavarësi,
por si një ringjallje të gjithanshme të jetës shpirtërore kombëtare, si një ngritje
totale të saj në një shkallë më të lartë qytetërimi, bazuar gjithmonë në parimet e
shëndosha etike tradicionale…”.
“Nuk gjejmë tek Fishta kurrfarë rrethanash
motivuese e përjetuese të luftës, në një kohë kur është konstante përherë një thirrje
e fortë ndaj virtyteve shoqërore themelore për etikën tradicionale shqiptare, të mishëruar
në traditën juridike të kanunit të maleve”. E, kjo për faktin se vlera të tilla, padyshim
mjaft të çmueshme, mund të strukturojnë një bazë të fortë e për t’u pasur zili në
ndërtimin e jetës kombëtare. “Është pikërisht ky program i frymëzuar nga ide të reja
të shkrira aq natyrshëm me ato të vjetrat, e që ngjizet aq mirë në personalitetin
e spikatur të Fishtës, ai që mund të na ndihmojë në zbërthimin e poezisë së tij” –
nënvizon Valentini. “Ndaj, merita më e madhe i takon jo vetëm intuitës për të pranuar
dhe strukturuar këtë mpleksje të tillë vlerash, por edhe aftësia për t’i dhënë këtij
drejtimi të ri të jetës shqiptare një zë të fuqishëm e një program të thellë e të
ekuilibruar, të hartuar në gjirin e një poetike që e lartëson jo vetëm si poet të
madh, por edhe poet kombëtar, e padyshim njëri nga më të mëdhenjtë në botë, të cilit
për t’u emëruar si i tillë, i mungon vetëm fakti i të qenit të përkthyer në gjuhët
kryesore”.
I rëndësishëm për t’u theksuar në studimet e Valentinit mbi Fishtën
është edhe cilësia homerike dhe prirjet mikelangjeloliste që ai vëren në poezinë e
tij. Kështu, shfaqet gjenial krhasimi bazuar në vargje, detaje historike e koncepte,
i “Lahutës së Malcis” dhe kryeveprave homerike (i vazhduar në disa numra të “Leka”-s),
për të arritur në “përfundimin e lavdishëm” (siç shprehet P. Marlekaj) se “Fishta
mund të rrijë fare mirë në radhë me Homerin, ose më përpiktas, në analogji proporcionaliteti
me të”. Aq më tepër që ai e cilëson atë “homerik, por jo homerid”, me fjalë të tjera:
“Dy poemat, po të ishin dy piktura, do t’i vinim në të njëjtën dhomë galerie, për
të ba “pendant” njëra-tjetrën, pa guxuar të caktojmë diçka më tepër, por duke mohuar
prerazi se njëra është kopje e tjetrës”. E kjo për faktin e pamohueshëm se “Fishta
nuk kopjon, as nuk imiton, por mban me Homerin një ngjashmëri të përpjeshshme, mjaft
ngjashmëri që nuk e vendos nxënësin në një shkallë më të ulët nga mjeshtri, apo si
një shtojcë e tij, por baraz me të”. Po kaq e paharrueshme është edhe përpjekja
tjetër e Valentinit për të analizuar poezinë e Koliqit. Në këtë pikë, do të qe me
vlerë të paraqisnim teknikë dhe zgjidhjen e veçantë të metodës që Valentini përdorte
në kompozimin e një kritike letrare. Në studimet e tij, vendin parësor nuk e zë kurrë
vepra letrare në autonominë e saj, me përfundimet pasuese, vlerësuese apo paragjykuese;
përkundrazi, parësor dhe konstant është qëllimi për të rrokur heteronominë në thelbin
e vet, ose e shpjeguar më tej, për të ngërthyer indet e larmishme e nyjet e pazgjidhshme
të lidhjeve me format e qytetërimit dhe ethshmërinë shekullore të jetës kolektive,
prej së cilës ato marrin domethëniet më të vërteta e më të përjetshme. Shëmbulli më
i mirë i përdorimit të kësaj metodologjie është sprova “Jeta shkodrane përmes shkrimeve
të Koliqit”, e përpunuar më vonë në të famshmen “Shkodra dhe poeti i saj”, sprovë
në të cilën hapësira (vepruese) e poetit shërben me një efikasitet befasues në kuptimin
e ideologjisë dhe spiritualitetit intim që qarkullon në veprën letrare të Koliqit,
i poetit i cili qe i pari që arriti të kuptojë e të këndojë në lirikat e tij Shkodrën,
“këtë qytet sekret e shumëformësh, që sa më shumë ta njohësh e ta studiosh aq më shumë
forma të reja i zbulon; ato të duken sikur të zhvillojnë shumë kinde të këtij sekreti,
kur në realitet të bëjnë të gjendesh përballë një misteri të ri”.
Duke bërë
krahasimin midis Mjedës dhe Koliqit, Valentini vëren se “gjer në kohën e daljes së
tyre, Shkodra s’kish pasur kurrë një poet të sajin. Duam të themi jo një poet që t’ishte
biri i saj e ta ilustronte hijshëm me famën e vet, por një poet që ta ndjente e ta
kremtonte në gjithë madhështinë e saj”. Sepse janë pikërisht këto karakteristika të
historisë së qytetit, ajo lëndë që Koliqi rroku, blatoi por edhe përjetoi në mënyrën
e vet misterioze prej shpirti poeti. Është pikërisht kjo aventura në të cilën ai u
rrek: “Të ndjekë fijet e pejzave të shpirtit shkodran, me rezultat atë “shkundje”
të fortë ideologjike që ai arriti t’i japë kësaj bote në krizë të plotë transformimi,
për shkak të shqyerjes nga aspiratat e reja për të provuar bashkë me kënaqësinë e
kësaj shkundjeje edhe shijen e skandalit që i rri gjithmonë përbri gjithçkaje: “për
konservatorët ajo nuk qe mjaftësisht konservatore, për inovatorët tejmasësisht konservatorë”,
një skandal ky që asokohe nga letrar shndërrohej menjëherë edhe në moral”. Nisur nga
kjo metodë e studimit kritik dhe nga rrjedha e arsyetimit esëtetik dhe lirik të autorit
në përfundim të sprovës Valentini na jep një portret mjeshtëror të Koliqit dhe një
mesazh të sintetizuar, teknik dhe shpirtëror të veprës së tij: “Gjuha e poetit kullon
prej Shkodrës dhe maleve të saj” – shpjegon ai, por nuk është as njëra as tjetra:
“Ëmbëlsia dhe ngrohtësia e saj i drejtohet kujtimeve shkodrane, ndërkohë që entuziazmi
dhe pathosi i jepet misionit të Shkodrës në shërbim të Atdheut”, për t’u ngërthyer
në një ndjesi të vetme: “Shkodra nuk mundej e nuk do të mundet kurrë të bëjë pa poezinë
e tij. Përkundrazi, me të në gji, ajo do të jetojë gjithmonë e gjallë, si një pikturë
prekëse dhe gjallimndjellëse, një pikturë që s’e pat bërë e s’ka për ta bërë askush
ndonjëherë”.
Në vazhdim të udhës së vet në “historinë” e mendimit kritik shqiptar
i prirur nga formimi i tij i spikatur dhe i rreptë me theks klasik, Valentini shpejt
do të gjendej në pragun e kërkimit dhe të zbulimit të asaj çka klasike përmban brenda
saj tradita letrare shqiptare. Kështu, ai ishte i pari që rrëmoi në vargun e humanistëve
të mëdhenj shqiptarë duke shkruar një studim të gjatë (në disa numra) për më të madhin
prej tyre, Marin Beçikemi (me nëntitullin “Një humanist shkodran”), për të kaluar
më pas në sprovat madhështore mbi De Radën (“Jeronim De Rada në literaturën dhe historinë
shqiptare) dhe Zef Skiroi-n (Zef Skiroi: përfaqësuesi i traditës klasike të poezisë
shqiptare”). Përsa i përket veprës së De Radës, tek Valentini spikat mbi të gjitha
trajtimi i mprehtë e filozofik që ai i bën karakterit parësor e mbizotërues të shpirtit
të poetit: religjiozitetit, bazuar filologjikisht edhe në detajet që jep vetë autori
në shkrimet e tij autobiografike. Në këtë këndvështrim, duke nxjerrë në pah mistiçizmin
e De Radës, sentimenti që shfaq veten më shumë se të gjithë të tjerët në poezinë e
tij, studiuesi argumenton se prej zemrës së këtij mistiçizmi grafillon pohimi konstan
i një previdence, që ruan në vetvete fatet e njeriut, të kombeve e të gjithë botës.
Një sentiment ky që e bindi De Radën të ndihej i shënjuar për të ringjallur shpirtin
e bashkëkombasve të tij, që ai besonte se kish një mision të pashlyeshëm nga çfarëdolloj
shtypje dhe pengimi. Një misioni të cilit Valentini do t’i përgjigjej me të gjithë
pathosin shqiptar të kredos së tij. “Edhe ne si ai, besojmë në providencën e kësaj
vepre”… “E mund të thuhet pa ndroje se De Rada qe i pari që arriti t’i bëjë të njohur
Evropës ekzistencën e një Shqipërie – Atdhe të heronjve e truall të njerëzve me ndjenja
fisnike, të denjë për të rrojtur një jetë të tyren krahas të gjithë atyre kombeve
që Zoti u ka dhënë një fytyrë, e rrjedhimisht një mision”. Por nga ana tjetër, s’mund
të lëmë pa përmendur e pa i quajtur filatë, të gjithë ata që nuk arrijnë dot të njehësohen
me konceptin fetar fisnik të Atdheut, pikërisht pse për ta është më interesante lënda
se sa shpirti i veprës”. E diku më tej, shpall hapur thirrje-sfidën e tij për të gjithë
shqiptarët, duke thënë: “Ndaj, ne vazhdojmë të kemi edhe sot, të njëjtën kredo me
De Radën. Besojmë si dhe ai në Zot, e besojmë si dhe ai në Providencë, rrjedhimisht
besojmë edhe në misionin që zoti i ka dhënë Shqipërisë e që do të bëhet realitet vetëm
atehëre kur të vihen në jetë idealet fisnike të De Radës”.
Pra, po të kalojmë
përtej meritave letraro-shkencore të studimi dhe ta zhveshim atë nga petku i klerikut,
fjalë të tilla janë emblemë e faktit se brenda zemrës së At Zef Valentinit, nuk flakëron
vetëm zjarri i një albanofili (gjë, që dhe më vete do të qe kolosale), por gjallon
regëtima më përshkënditëse e zemrës së një shqiptari të zhurritur për Atdheun e vet.
Për këtë lloj zjarrmie proverbiale dashurie, brezat le t’i mbeten përjetësisht mirënjohës
kujtimit të tij. Gjithësesi, ai nuk mbeti me kaq. E vazhdoi hulumtimin edhe me veprën
e italo-arbëreshit tjetër të madh, Zef Skiroit, duke nxjerrë në dukje frymëzimin e
poetit bazuar nga njëra anë në njohjen e thellë të këngëve tradicionale shqiptare
dhe nga ana tjetër në traditën klasike të Karduçit, Dantes dhe Naim Frashërit, për
të arritur në një formë aq të përpiktë e të lëmuar rime e ritmi e me një mjeshtëri
të atillë në përdorimin dhe ndriçimin e vlerës së fjalës, që asnjë poet shqiptar para
dhe pas tij s’arriti ta tejkalojë. Madje për kryeveprën e (pambaruar) të Skiroit,
“Kthimi”, Valentini do të shprehej akoma dhe më bujshëm, duke i mëshuar idesë së njohjes
së saj në rolin e një poeme të shenjtë të një doktrine të lartë – si kryevepra e poezisë
filozofike dhe religjoze shqiptare, e cila për nga shtrirja dhe thellësia e doktrinës
që përfaqëson, për nga kthjelltësia, fuqia shprehëse, shkrepëtima dhe lartësia marramendëse
e gjuhës së përdorur, është për shqiptarët ajo ç’ka është për italianët “komedia hyjnore”
e Dantes. “Madje, përveç kësaj, “Kthimit” duhet t’i njihet - akoma dhe më shumë se
çdo gjë tjetër - parësia në rang botëror si poemë e ekumenizmit, ku çdo e vërtetë
filozofike dhe religjioze arrin të shprehet ashtu siç mund të konceptohet më mirë,
brenda ambjentit të vet, të marrë, të çliruar nga lënda bazë, e pastaj të ripunuar
si një diamant, të ngallmuar për të shkëlqyer fisnikërisht në kurrorën e mrekullueshme
të katoliçizmit më ortodoks; e bashkë me të edhe vetë Shqipëria e vogël, aq e ngucur
në kufij, po aq vërshonjëse në vitalitet njerëzor, gjithnjë e më shumë efikase sa
më shumë e injoruar, aq xheloze në ruajtjen e individualitetit të saj etnik, po njëherësh
edhe aq universaliste, kaq fatkeqe, por dhe gjithmonë e ruajtur nga Zoti në vijim
të misionit të saj sekret; Ja, falë tij, Shqipëria e vogël dhe e madhe, zë një vend
të merituar, në mos nderi, në historinë e ekumenizmit botëror”.
Megjithatë,
pavarësisht nga ky kontribut i çmuar në lëtersinë shqiptare dhe në fondin e mendimit
kritik të figurave të saj të shquara, pasioni i tij më i gjallë për gjatë gjithë jetës
dhe fusha shkencore e studimeve ku ai shpalosi gjithë erudicionin e vet të stërmadh
ishte historia e Shqipërisë, shoqëruar me predispozitën më se konkrete për një rradhitje,
seleksionim e dokumentim kapilar të të gjitha burimeve të saj të mundshme. Në këtë
pikë, si për ta ilustruar këtë predispozitë të tij të brendshme, ia vlen të theksohet
një karakteristikë a dhunti e veçantë e Valentinit: rregulli i përpiktë mendor në
të cilin çdo ide për aq sa është e mundur nga pikëpamja njerëzore, shoshitet, kontrollohet
e zinxhirësohet racionalisht në të gjitha të tjerat. “Shqiptarët janë një popull i
çuditshëm. Të huajve u duket se kanë një tërësi ligjesh e parimesh që kundërshtojnë
njëra-tjetrën, konflikte të pashërueshme, grindje të brëndëshme ku ndryshimet fetare,
rajonale dhe kulturore, nxisin impulse të papërmbajtshme shkatërruese, mirëpo pas
kësaj, kur bëhen gati të shprehin një gjykim negativ mbi mundësitë e mbijetesës kombëtare,
vërejmë se si shpërthen papritmas prej thellësive të shpirtit të tij një ndjenjë e
fortë vëllazërimi që të shtang e të magjeps’’.
Valentini e njihte këtë fenomen
të jashtëzakonshëm, por dëshironte që të gjente prova shkencore që manifestimet e
unitetit kombëtar nuk ishin shpërthime çastnore të krenarisë, por simptoma të pandryshueshme
të një homogjeniteti të fshehtë të themelit të vet autokton. Ja, kjo ishte arsyeja
madhore që ai iu përvesh punës studimore nëpër rafte e arkiva bibliotekash, duke grumbulluar
një sasi të bollshme dokumentash të pa botuara ose të botuara veç pjesërisht apo të
mbetura në dorëshkrim. Qëllimi i tij kryesor ishte sistemimi në mënyrë të qartë i
periudhave më të trazuara të historisë shqiptare, nëpërmjet sitës së një kontrolli
të saktë të dokumentacionit. Për këtë arsye, ai ndërmorri fushata të shpeshta kërkimesh
arkivistide në Itali, veçanërisht gjatë verës, duke filluar që në vitin 1932 në Arkivin
Civil të Padovës, më 1934-35 në atë të Ambasadës së Spanjës në Romë pranë Selisë së
Shenjtë, nga 1935 deri më 1938, frekuenton dendur Arkivën Sekrete të Vatikanit dhe
atë të Shtetit në Venecia. Më 1939 shkon në Napoli, ku viziton Benedeto Crocen, asokohe
filozof me famë botërore, duke i kërkuar atij tregues shpjegimorë për Arkivën e Napolit
dhe një letër rekomandimi për drejtorin e këtij arkivi. Madje tregohet se ai s’u zmpraps
së vazhduari kërkimet e tij si inspektor i Arkivës historike të Korfuzit më 1942,
edhe pse gjatë shfletimit të materialeve i duheshin mjete të posaçme mbrojtëse nga
infeksioni që mund t’i përhapte mortaja e një lloji të veçantë që shkakton “lunga”
të mëdha në trup e që mikrobin e saj mund ta mbajë të mbijetuar për shekuj të tërë.
Fryt i gjithë kësaj veprimtarie hulumtuese qenë studime me të vërtetë të çmuara
për shkencën e historiografisë shqiptare, ku më hollësisht mund të përmendim serinë
e gjatë të dokumenteve të botuara në “Leka”, në okelion “Përpjekje për liri të Shqipnisë”
nga sundimi turk në fundin e shekullit të XXI dhe fillimin e shek. XVII, “Hulumtime
të para ndër arkiva spanjolle për historinë e Shqipërisë”; serinë tjetër të gjatë
të dokumentave me titull “Shkodra dhe Shqipëria në vitet 1732-1735; “Prej dokumentave
të Farlatit”, tekst, përkthimi në shqip dhe komenti historik i një dorëshkrimi anonim
shkodran midis viteve 1772-1798, mbi gjëndjen e dioqezës së Shkodrës; “Dokumente mbi
kohën e Mustafa Pashës (1826-1827); “Dokumente mbi Pashallarët e Shkodrës në shekullin
e XVIII”, botim ekstraktesh e komentimi historik i Relatave të paraqitura Princit
dhe Senatit nga Zorzi Grimani, proveditor i përgjithshëm i Dalmacisë dhe Shqipërisë
(1732-1735); etj, Duke i këshilluar studiuesit të dilnin nga rebuloza e miteve patriotike
dhe t’i përvisheshin argumentimeve shkencore, por edhe duke flakur tej vetes pohimet
e disa etnologëve dhe linguistëve të huaj mbi Shqipërinë, At Zef Valentini filloi
të bindej përditë e më shumë se ishte i pranishëm në një komb me fizionomi të veçantë.
Dora-dorës zbulonte tek ai elementë origjinalë dhe me intuitën që e karakterizonte,
dallonte brenda tij një strukturë të fshehtë unitare. Megjithatë, me instinktin e
shkencëtarit, ai donte që të gjitha këto cilësi të arrinin të shpalleshin shkencërisht.
Synonte t’u vinte sa më shumë në ndihmë historianëve të Shqipërisë për të pikasur
e përcaktuar si duhet konturet e qenies shqiptare, e për të saktësuar kështu qëndrueshmërinë
dhe autenticitetin e vlerave origjinale të racës. Mirëpo çelësin për të zhbiruar
hapësirat e fshehta të shpirtit shqiptar, atij ia dha kodi i maleve shqiptare, “kanuni
i Lekë Dukagjinit” në të cilën përmblidhen rregullat dhe të drejtat zakonore, që organizonin
jetën e këtyre njerëzve. Do të qe kjo një dashuri e re për jezuitin e pasionuar nga
e cila s’do të shqitej dot gjer në fund të jetës. Madje, tregohet se ai u zhyt aq
shumë në njohjen e mentalitetit shqiptar të rrëfyer nga kanuni, e përqafoi atë me
aq shumë entuziazëm, saqë shumë gjëra të jetës (qoftë edhe të përditshme) nisi t’i
arsyetonte bazuar në parimet e këtij Kanuni. Ndaj, nuk ke si të mbetesh i mahnitur
përballë ndërmarrjes që ai i kushtoi studimit të kodit tonë zakonor, për t’i dhuruar
kështu kësaj fushe të kulturës sonë, një korpus të tërë veprash monumentale. E filloi
me “Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi kanunin” të botuar më vete në vitin
1942 në “Studime dhe tekste”, së cilës i shtoi “Tributë e Shqipërisë së Veriut’’:
Shënime mbi organizimin e tyre shoqëror dhe politik” (botuar në vitin 1943). Pastaj
vazhdoi me “Kanunin e Lek Dukagjinit sipas versionit të Mark Sadikut’’, të parit të
djelmnisë së Shalës” (po në “Studime dhe tekste”), për ta përfunduar me ajkën e hulumtimeve
të tij në lëmin e studimeve mbi kodin tonë zakonor, ku spikasin: “Familja në të drejtën
tradicionale shqiptare” (Vatikan, 1945); “E drejta e komunitetit në traditën juridike
shqiptare’’ (Firence, 1956), ku trajtohen gjërësisht parimet themelore të së drejtës
publike shqiptare dhe në shtojca të veçanta jepet një informacion i bollshëm mbi fiset
antike ilire dhe tributë shqiptare të mesjetës dhe kohëve moderne”, “Ligji i maleve
shqiptare” (Firence,1969), ku përmblidhet një bashkësi prej 252 dokumentesh mbi të
drejtën tonë zakonore, të mbledhura e të strukturuara nga Zef Valentini, bazuar në
kërkimet e bëra nga misionet e ndryshme jezuite gjatë viteve 1880-1932; e së fundi
“Akte juridike shqiptare”, botuar në dy vëllime, në Munich në vitet 1968-1969, dhe
kushtuar kujtimit të historianit me famë ndërkombëtare Franc Babinger. Është një vepër
që përfshin një korpus interesant dokumentesh nga historia e së drejtës shqiptare
në një periudhë të gjatë kohore. Janë rreth 320 tekste juridike, latine, greke, sllave,
italiane, franceze e shqiptare, të mbledhura nëpër arkiva e koleksione të ndryshme,
të përkthyera në latinisht, që shkojnë që nga shekulli V e.s. deri në vitin 1406.
Janë këto 3 veprat e fundit, maja më gjeniale e studimeve të tij në këtë fushë,
që së bashku me përshkrimet e Gjeçovit e të misionarit italian Ernesto Cozzi mbi kanunin,
formojnë bazën themelore për njohjen e thellë dhe shkencore të këtij aspekti magjepës
të traditës shqiptare. Po ajo që ia vlen të nënvizohet është se në të gjitha këto
punime, filli përshkrues i mendimit të tij ishte kundrimi jo i vlerës letrare të kanunit
si diçka kalimtare, por i shpirtit të tij të pavdekshëm, për të vënë në lëvizje racën
e vjetër, me qëllim që ajo t’i shërbejë krijimit të një shteti të ri e të pavarur
drejt arritjeve të larta të qytetërimit, në përputhje me nevojat e kohrave të reja.
E pikërisht për të arritur këtë mision gjatë 8 vjetëve që drejtoi revistën “Leka”,
Valentini ndërrmori një program tendencë që synonte analizimin e së tashmes dhe ndërtimin
e së shkuarës, që përgjatë një orvajtje të guximshme të vendoste bazat e një ardhmërie
të karakterizuar nga cilësitë e veçanta të shpirtit etnik, që janë dashuria për lirinë,
lidhja e fortë me traditat e shëndosha, ndjenja e lartë e nderit, tek e cila shkrihen
njëherësh ndjenjat e dinjitetit të drejtësisë, aq shumë të përhapura mes shqiptarëve
në bazë të ligjeve të sakta gdhendur në kanun.
Në këtë kuptim analet historike
të revistës “Leka”, mbeten një monument i shkëlqyer i veprës së ringjalljes kombëtare,
që u nxit dhe u udhëhoq me një urtësi gjeniale dhe ngutje vëllazërore në shërbim të
Atdheut të vet të “adaptuar”, Shqipërisë, nga ana e Zef Valentinit dhe e bashkëpunëtorëve
të guximshëm që e rrethonin. Edhe pse në vitin 1940, e ndërpreu botimin e kësaj reviste,
për shkak se siç pohoi ai vetë më pas, “nuk ndihej i lirë të thoshte atë ç’ka dëshironte”,
ndërmarrjen e vet të palodhur hulumtuese ai se rreshti kurrë. Në vitet 1937-40 punon
për hartimin e një vëllimi të çmuar me titull “Sprovë mbi një rregjistër historik
të Shqipërisë” të botuar në bzshkëpunim me At Fulvio Cordignano, e të vlerësuar me
çmim nga Akademia Italiane. Është ky një vëllim me rreth 150 faqe, në të cilin listohen
rreth 1500 dokumente që i përkasin shekujve të XII-XV, duke arritur saktësisht deri
në vitin 1568, me një rëndësi të jashtëzakonshme për të saktësuar panoramën historike
të ngjarjeve të ndryshme në të cilat është trazuar jeta shqiptare gjatë këtyre shekujve. Pas
kësaj përpjekje triumfale, në detyrën e re si këshilltar i Qendrës së Studimeve Shqiptare,
ai nis përpilimin e dy serive të reja nën emrin “Studime dhe tekste”, që përmbajnë
një vëllim me studime dhe tekste juridike dhe një tjetër me studime dhe tekste arkeologjike.
Gjatë kësaj kohe, i ngarkuar nga Qendra e Studimeve të Akademisë Italiane, ai vazhdon
të hulumtojë e të skedojë disa qindra vepra, shumica prej të cilave pranë Institutit
Oriental të Romës, për të arritur kështu në hartimin dhe redaktimin e 5 vëllimeve
të mëdhenj të një kronologjie krahasuese të quajtur “kontribute të kronologjisë shqiptare”.
Është ky një tjetër “moment”, që me plot gojën mund të emërtohet i rrallë për nga
vlera që ka në mbushjen e periudhave të errëta e të pak-dokumentuara të historisë
sonë. Madje në parathënien e vëllimit të parë, autori shpjegon se “ka për qëllim të
mbledhë me 16 vëllime me nga 350 faqe secili, ngjarjet më kryesore historike, etnografike,
religjioze e politike të Shqipërisë, duke filluar nga epoka e Ilirisë antike deri
në vitin 1945. Kështu, vëllimi i parë, sipas idesë së Valentinit përmban kronologjinë
e periudhës romano-bizantine nga vdekja e Konstantinit deri në vdekjen e Teodosit
dhe ndarjen përfundimtare të Perandorisë (331-395 p.k). Kurse vëllimi i dytë, i ndarë
në dy pjesë, (nga i cili u botua vetëm pjesa e parë), merret me trajtimin e “Invazioneve
barbarike” të periudhës 395-700. Në fakt, materiali i mbledhur dhe i redaktuar nga
ana e autorit për 5 vëllimet e para shkon deri në shekullin e XIII.
Gjithësesi,
edhe në vëllimet e botuara, me aq ndërgjegjje shkencore dhe me aq dashuri për vendin
tonë, Zef Valentini arriti të tregonte me fakte se Iliria në atë periudhë ka luajtur
një rol të dorës së parë në historinë e Romës, duke i dhënë asaj: perandorë, gjeneralë
e dijetarë të lartë. Gjejmë ilirë të mëdhenj jo vetëm në administratën civile e ushtarake,
por edhe në lëmin kultur e fetar, ç’ka dëshmon kontributin tonë me të vërtetë të madh,
në fushën e “euristikës” historike. Të rëndësishme në këtë periudhë janë edhe studimet
e llojit të veçantë që Valentini kreu mbi numizmatikën të kulmuara në artikujt: “Numizmatika
saveriane” (1939), ku bëhet një përshkrim i hollësishëm i koleksionit të këtij kolegji,
me rreth 3500 njësi monedhash të ndryshme, ku interes special paraqesin ato ilirike
dhe mesjetare; “Numizmatika në Shqipëri” (1939) ku bëhet një panoramë e përgjithshme
e elementeve numizmatikë të vendit tonë dhe “Sprova mbi numizmatikën shqiptare” (1941),
një seri artikujsh të fokusuar kryesisht mbi numizmatikën iliro-epiriote.
Në
vijim të kësaj veprimtarie mund të përmendim një studim të veçantë mbi arkeologjinë,
të botuar në “Leka”, të pajisur me skica, planimetri e foto, e të titulluar “M’a e
bukura kishë e moçme shkodrane”, që i bashkëngjitet një studimi më të gjerë të quajtur
“Shëtitje historike në Shqipërinë e Veriut”, një punim ky i rrallë, i botuar me vijime
gjatë viteve 1941-1942, në revistën “Drini”, i pajisur me mjaft ilustrime të qyteteve,
kishave, kështjellave dhe kostumeve shqiptare, përbri shumë disenjove të monedhave
tona antike; Një punim ky që po të mblidhet e strukturohet do të përbënte një libër
të mrekullueshëm, tërheqës e të rrëfyer këndshëm, në rolin e një guide udhëheqëse
për këdo që donte të vizitonte Shqipërinë e të njihej me aspekte arkeologjike, historike,
etnografike, folkloristike e toponomastike të shoqërisë së saj. Për fat të keq, lastrat
madje të shtypura të librit u varrosën nën gërmadhat që lanë bombardimet e vitit 1943,
po gjithësesi, një kopje e bocës së tij gjendet sot në Institutin Albanologjik të
Palermos.
Në po këto vite zënë fill edhe shkrimet e para mbi atë që do të
përbëjë më vonë kryeveprën e tij në fushën e historisë, hulumtimet mbi dokumentet
arkivorë të epokës së Skënderbeut. Që në pjesën e parë të punimit “Shënime mbi historinë
kulturore të Shqipërisë”, (Palermo, 1956), Valentini do të theksonte se “Fryma mbizotëruese
perëndimore në kulturën e Shqipërisë nuk duhet t’i detyrohet vetëm faktit që ajo gjeografikisht
hapet e tëra para Adriatikut dhe është pothuajse krejt e mbyllur nga malet për karshi
Lindjes, por gjithashtu edhe falë ndikimit të madh ndaj saj të perandorisë romake,
si gjatë periudhës së parë ashtu dhe gjatë periudhës bizantine e në vazhdim, në shpërhapjen
prej Romës së rrezatimit të kulturës latine dhe Perëndimore”. Një ide të tillë ai
e kish shtjelluar më parë edhe në studimin “Qytetërimi katolik: elementët romako-katolikë
në kulturën shqiptare” (1940), studim ky me të vërtetë erudit, i udhëhequr nga një
kthjelltësi dhe objektivitet i pazakontë, që përmbledh gjithë historinë e letërsisë
shqiptare që nga fillimet e saj, për të vënë theksin në fokusimin që ajo ka pasur
në sferën e kulturës romako-katolike. Por mbi të gjitha bota jonë kulturore (pse jo
dhe ajo shtetërore) lipset t’i kushtojë nderimin dhe respektin e vet më unikal këtij
hulumtuesi të jashtëzakonshëm me ndërgjegje dashurore dhe shkencore për Shqipërinë,
që ajo sot ka në dorë një material të bollshëm për të shtuar faqet më kryesore të
Historisë së Shqipërisë, sidomos ato të periudhës së Skënderbeut.
Për fat
të keq, shteti ynë në vitet e trazuara të luftës e në vazhdim, tregoi – më e pakta
– një shenjë të lartë mosmirënjohje ndaj një njeriu që me famën e krijuar nëpërmjet
dy revistave që drejtoi dhe aktivitetit të stërmadh në fushën e Albanologjisë, kish
arritur të përfaqësonte një nga majat më të larta në etikën dhe iluminimin e kulturës
shqiptare të atij brezi të viteve 30-të, që u shfaq plot energji e vullnet përtëritës
në skenën shoqërore dhe politike të Shqipërisë. Nga mirëdashës dhe mirëbërës i kulturës
sonë kombëtare, ai u “shndërrua” menjëherë në një armik të Atdheut, madje në njërin
nga më të rrezikshmit. Se si mund të klasifikohet i tillë një njeri kaq i ditur, kaq
i butë, kaq i qetë e i ndrojtur, e mbi të gjitha kaq shqiptardashës, ndoshta është
një enigmë që s’do të zgjidhet kurrë. I shpëtuar, ndoshta falë intuitës së Koliqit,
i cili duke parë përkeqësimin e gjendjes në Shqipëri e dërgon të punojë në arkivat
e Italisë, ai do të vazhdonte të kërkohej për vite të tëra e të proçesohej vazhdimisht
nga ana e rregjimit komunist, njëlloj si kriminelët e tjerë të luftës, si ai që “kish
guxuar të monopolizonte kulturën shqiptare apo si spiun i vjetër i SIMit e Gestapos”,
- siç tregon vetë Valentini në kujtimet e tij. Por në këtë pikë, do të qe me vlerë
të citonim një pasazh nga një shkrim i vonshëm i Koliqit me rastin e 70-të vjetorit
të lindjes së Valentinit, ku ai thekson: “ai nuk u morr kurrë me politikën militante.
Aq më tepër që një qëndrim i tillë del qartë në pah edhe nga citimet e kujtimeve të
At Valentinit ku ai shprehet: “Kam luftuar gjithmonë hapur marksizmin si koncept,
por kam luftuar gjithashtu edhe çdo koncept fashist që nuk më dukej i pranueshëm”.
Ndaj, do të ishte e rëndësishme të nënvizohej qëndrimi që ai ruajti pas largimit nga
Shqipëria, duke shfaqur prerazi madhështinë e një shpirti fisnik dhe dashurinë e vet
të kulluar e sublime për të, një dashuri që gjallonte veç për hir të vetvetes, që
buronte nga vetë thelbi i qenies e që ngrihej mbi zhgënjimet, mohimin apo mosmirënjohjen.
Menjëherë pas luftës, më 1945 At Zef Valentinit në Itali i caktohet drejtimi i
revistës kulturore “Letture”, një revistë të cilën ai e orientoi, strukturoi dhe frymëzoi
në mënyrë aq efikase, sa që brenda 10 vitesh të aktivitetit ajo arriti të transformojë
në mënyrë radikale gjithë këndvështrimin kritik katolik italian përballë letërsisë
moderne. Me këtë qëllim, Valentini sajoi e më në fund ia doli mbanë edhe të diktojë
edhe rregullat e reja, të kritikës katolike në përzgjedhjen e kësaj literature. Madje
tregojnë se për të përballuar sa më mirë rreziqet e profesionit të tij të ri si kritik
letrar, Valentinit – asokohe mesoburrë, me flokë ende të zinj e të dendur – iu desh
të linte një mjekërr të gjatë e të rruar me kujdes. “Letërsia është një botë misterioze,
e ndërlikuar, kështu që nevojitet një mjekërr e dendur, shenjë e një diturie dhe një
përvoje të gjatë jetësore, për të qarkulluar sa më i mbrojtur në rrethet e kolegëve
apo shkrimtarëve që recensoj” – rrëfente ai me shaka. Është pikërisht kjo periudhë
ku nisin edhe miqësitë e mëdha. Kështu, ai bëhet mik i ngushtë i botuesit Bompiani,
me të cilin shkëmbente shpesh batuta humori, por miqësi të forta zë edhe me Mondadorin
dhe Vallecchin, Safanin apo Marcellianin. Për t’u përmendur këtu edhe miqësitë me
autorë të njohur, ku më të veçantë për të qenë Bacchell dhe Sagonaro.
Megjithatë,
ishte pikërisht metoda e tij e hartimit të një kritike, cilësia e lartë e mendimit
të tij kritik, të shquar për shqetësimin gjithmonë të gjallë, kuriozitetin gjithnjë
të pashterrur e të shtrirë në çfarëdo lloj caku të ri, besnikëria e pasuruar me harenë
më të madhe të mundshme ndaj ndershmërisë intelektuale, ato që pas disa mijëra recensionesh
i dhanë emërtimin “Papa Gjovani i kritikës”. Në këtë aspekt, mund të dallojmë si madhështore
interpretimet e tij sa të thella aq edhe të guximshme mbi Hamletin Shekspirian apo
në atë që mbahet si “perla e recensioneve valentiniane, të quajtur “Roma oratoriane”
mbi një libër të titulluar “Jeta e lutjeve në artin e Romës”. Megjithatë, dashuria
e tij më e thellë shpirtërore, Shqipëria dhe historia e saj, nuk e la kurrë të qetë.
Pas drejtimit të “Letture”, duke filluar që nga viti akademik 1952-53, pas vdekjes
së profesor Gaetano Pettvota, Ventini pas shumë përpjekjeve, lejohet të drejtojë katedrën
e gjuhës dhe literaturës shqiptare në Universitetin e Palermos. Këtu, ai shpalos gjithë
dijet e tij mbi botën shqiptare dhe gjithë zellin e vet të parrëfyer mbi Shqipërinë.
Nxit profesor Karl Gurakuqin të hartojë një gramatikë të gjuhës shqipe, shkruan vetë
për ta përdorur si tekst mësimor dispencën “Shënime mbi historinë e kulturës shqiptare”,
mban leksione mbi kanunin, mbi Fishtën dhe Koliqin, mbi Mjedën e Bernard Palaj, duke
u bërë kështu shëmbulli i një përkushtimi autentik në punë dhe i një forme altriuzmi
nga më fisnikët që mund të ekzistojë. Ndërkaq, vit pas viti, me një zell vërtet
të pashoq, me një durim të mrekullueshëm e me një dashuri e kopetencë shkencëtari,
aktiviteti i tij i drejtonte energjitë e veta kah asaj që do të ishte projekti më
madhor i gjithë jetës, korpusit gjigand prej 30 vëllimësh, të mbledhura e të dokumentuara
mes mijëra e mijëra skedash biblioteke, të titulluar “Akte albane-venese të shekullit
XIV-XV”, një kompleks ky sa monumental aq edhe i gjithanshëm, rigorozisht shkencor,
që përmbledh një numër prej 4000 dokumentesh që, sipas vëllimeve, datojnë që nga viti
1301 deri në vitin 1447, duke përbërë kështu panoramën gjërësisht më të plotë dokumentare
që ekziston deri më sot për historinë e Shqipërisë. Nga ana tjetër, kjo vepër është
e një rëndësie kapitale edhe për dy arsye të tjera. Së pari, ajo shënon kulmimin e
një studimi kapilar dokumentacionesh mbi historinë e përiudhës së Skënderbeut dhe
veçanërisht mbi lidhjet shqiptaro-venedikase që fillon me artikujt më të hershëm “Venecia
dhe Shqipëria”, ku shtjellohen lidhjet e shumta tregtare, kulturore dhe politike midis
këtyre dy vendeve; Vazhdon me “Instalimet venedikase në Shqipëri gjatë shekullit XIV-XV”
(1966)., një studim ky i hollësishëm mbi një periudhë të caktuar të këtyre marrëdhënieve,
atëherë kur përfaqësuesit e Princit dhe komunitetet shqiptare vendosën ngritjen e
“instalimeve” venedikase në tokën shqiptare, veçanërisht përgjatë bregdetit, me qëllim
sigurimin e trafikut të mallrave në Adriatik; për të përfunduar me “Statutin personal
të Shqipërisë në epokën e Skënderbeut (1966), një vepër kjo me shënime të mbledhura
nga arkivat e Republikës së Venecias, që sjell mjaft vërtetësi mbi historinë e Skënderbeut,
këtij kampioni të kristianizmit dhe pararoja e Evropës përballë turqve”, – siç e përcakton
vetë Valentini.
Së dyti, ky korpus monumental vëllimesh hedh mjaft dritë rrezatuese
mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me perëndimin, që shkojnë përtej këtyre shekujve, thellë
gjer në historinë e Romës, duke i ngritur kështu një përmendore madhështore këtij
profili të kulturës shqiptare. Në këtë pikë, do të qe me vend të citonim pasazhe nga
letrat e dy profesorëve të njohur të Universitetit të Mynihut, në lidhje me vlerën
e saj; kështu, profesor Stadmüller shkruan se këto vëllime janë “… dëshmi mbresëlënëse
të këmbënguljes së tij të shquar për erudicion”, ndërsa doktor Martin Camaj shprehet
se “botimi i këtyre dokumenteve po bën mjaft bujë në rrethet shkencore gjermane duke
bërë që At Zef Valentini të konsiderohet sot historiani më i madh i kohës, jo vetëm
në Shqipëri, por njeri nga më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin Ballkanik”. Ja,
pse Papa Pauli VI, në atë ditë prilli të vitit 1968, u shpreh me fjalë aq lëvdonjëse
e triumfale për këtë albanolog të madh, që sa herë flitet për punët e Shqipërisë nuk
thotë kurrë “… Shqiptarët…”, por “Ne shqiptarët…”, për këtë njeri që luftoi gjithë
jetën, pa lënë rast pa humbur për ta lartuar emrin e Shqipërisë, historinë dhe kulturën
e saj, para syve të gjithë botës, siç qe psh. rasti i një konference të mbajtur në
Romë (1966) ku nëpërmjet referatit “Shqipëria dhe ekumenizmi” ai arriti që me fakte
e dokumente të theksojë kontributin e çmuar të shqiptarëve dhe arbëreshëve në lëvizjen
kulturore dhe universale ekumenike. Ndaj, është me të vërtetë shtangëse, por edhe
e hidhur në thelbin e vet, që një autor i tillë i përmasave ndërkombëtare në Albanologji
të mos ketë rrezatuar me gjithë fuqinë e diellit të tij shqiptar-dashës në hapësirat
e ftohta kulturore dhe akademike të Shqipërisë së pas 90-ës. Si është e mundur të
lihet në harresë lëvdata e pazakontë e një Pape? Si mund të ketë ndodhur vallë anashkalimi
i një historiani me një famë të tillë? Gjithësesi, “hija” ku ai është lënë duhet të
ndriçohet medoemos; ajo s’duhet të ngelet “pre” e skutave të egoizmit qoftë intelektual
qoftë njerëzor. Në këtë vit të 25-vjetorit të vdekjes së tij, do të qe në nderin dhe
dinjitetin tonë kombëtar që figura e tij të nderohej ashtu siç e meriton. E kjo jo
vetëm pse veprat që ai la pas mund të na shërbejnë si një domethënie e sigurtë në
konjukturat e sotme gjeopolitike, por edhe pse është e një rëndësie jetike që shoqëria
shqiptare ta kthejë kokën e ta shohë drejt e përballë këtë diell dashurie dhe erudicioni,
të atij që mund të quhet pa pikë droje emblema e një albanologu të madh, por mbi të
gjitha e një albanofili të jashtëzakonshëm.
Përgatitur nga Ndriçim Kulla
dhe Dritan Thomollari Gazeta ALBANIA, 2-12-2004