Sot më 15 nëntor kalendari Kishtar, përkujton Shën Albertin e Madh, doktor i Kishës
Shën Alberti është njëri nga mësuesit më të mëdhenj të teologjisë skolastike. Titulli,
‘i madh’ (magnus), me të cilin mbeti në histori, flet për gjerësinë e thellësinë e
doktrinës së tij, të cilën e shoqëroi me shenjtërinë e jetës. Shën Alberti, filozof
e teolog, studiues i palodhur në kërkim të pikave të takimit ndërmjet shkencës e fesë,
domenikan, doktor i skolastikës, dha mësim ndër katedrat më të shquara të kohës e,
në universitetin e Këlnit, themeluar prej tij, pati nxënës Shën Tomën e Akuinit. Lindi
rreth vitit 1200 në Lauingen të Bavarisë. Njeri fisnik në trup e në shpirt, ishte
i paracaktuar të ndiqte karrierën ushtarake e politike, duke ecur kështu në rrugën
e traditës familjare. Por ai dëshironte më shumë të rrinte gjithë ditën mbi libra,
sesa të rrokte armët e të ushtrohej në artin e luftës. Dëshira për studim iu thellua
edhe më shumë, kur familja u transferua në Itali së bashku me mbretin Federiku II.
Ndërsa frekuentonte universitetin e Padovës, ku thellohej në shkencat natyrore,
u njoh me të Lumin Jordanin e Saksonisë, epror i dytë i përgjithshëm i Domenikanëve,
menjëherë pas Shën Dedës, që kishte shkuar në Padovë për t’u predikuar studentëve
universitarë. Vendosi ta ndiqte, së bashku me nëntë studentë të tjerë, pasi mori nga
duart e tij zhgunin domenikan. Vijoi studimin e u bë një nga njerëzit më të ditur
të kohës, njohës i të gjitha degëve të kulturës deri në atë shkallë, sa të quhej Doktor
universal e të meritonte titullin ‘i Madh’ që më të gjallë. U zgjodh provincial
i Domenikanëve në Gjermani e më pas, ipeshkëv i Regensburgut, mision nga i cili u
largua për t’iu rikushtuar mësimdhënies e predikimit. Qe ndërmjetës e lajmëtar i paqes
ndërmjet popujve e, në Koncilin e Lionit, dha kontributin e dijes së tij për bashkimin
e Kishës greke me atë latine. Ndonëse në moshë të shkuar, ngjitej me shkathtësi
djaloshare në katedër, por një ditë, ashtu si e kishte paralajmëruar Virgjëra Mari,
për të cilën kishte devocion të posaçëm, kujtesa e tij papritmas u shua. Atëherë hoqi
dorë nga dija e tokës e nisi të shikonte vetëm drejt qiellit, për ku u nis më 15 nëntor
1280. Trupi i tij pushon në paqe në kishën famullitare të Shën Andreut në Këln.
U shpall i Lum nga Papa Gregori XV në vitin 1622; Shenjt e Doktor i Kishës nga Piu
XI, në vitin 1931; Pajtor i studiuesve të shkencave natyrore nga Piu XII, më 16 dhjetor
1941. Jetëshkrim i shkurtër i Shën Albertit të Madh Shën Alberti është
njëri nga mësuesit më të mëdhenj të teologjisë skolastike. Titulli, ‘i madh’ (magnus),
me të cilin mbeti në histori, flet për gjerësinë e thellësinë e doktrinës së tij,
të cilën e shoqëroi me shenjtërinë e jetës. Bashkëkohasit e vlerësuan, që kur ishte
i gjallë, me titujt më të lartë. Një nga dishepujt e tij, Ulriku i Strasburgut, e
quajti “çudia e mrekullia e epokës sonë”. Alberti lindi në Gjermani nga fillimi
i shekullit XIII e, ende i ri, u nis për Itali. Zu vend në Padovë, seli e universiteteve
më të famshme të Mesjetës. Iu kushtua studimit të të ashtuquajturave ‘arte liberale’:
gramatikës, retorikës, dialektikës, aritmetikës, gjeometrisë, astronomisë e muzikës,
domethënë kulturës së përgjithshme, duke treguar interes të veçantë për shkencat natyrore,
që do të bëheshin shumë shpejt fusha kryesore e specializimit të tij. Gjatë qëndrimit
në Padovë, ndoqi kishën e Domenikanëve, duke u bërë, më pas, një prej tyre. Sipas
burimeve hagjiografike kuptojmë se Alberti nuk e mori menjëherë këtë vendim. Lidhja
e ngushtë me Zotin, shembulli i shenjtërisë së vëllezërve domenikanë, dëgjimi i predikimeve
të të Lumit Jordan nga Saksonia, pasardhës i Shën Dedës në krye të Urdhërit të Predikatarëve,
qenë faktorët vendimtarë, që e ndihmuan të kapërcente çdo dyshim, e edhe kundërshtimet
familjare. Shpesh, në vitet e rinisë, Zoti i foli e i tregoi planin që kishte për
jetën e tij. E ai iu përgjigj duke veshur zhgunin domenikan e duke bërë kushtet në
duart e Jordanit të Saksonisë. Pas shugurimit meshtarak, eprorët e caktuan si mësues
në qendra të ndryshme të studimeve teologjike, pranë kuvendeve të etërve domenikane.
Cilësitë e shkëlqyera intelektuale, i krijuan mundësi t’i përsoste studimet e teologjisë
në universitetin më të famshëm të epokës, atë të Parisit. Që asokohet Shën Alberti
nisi veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme si shkrimtar, duke e vijuar gjatë gjithë
jetës. Iu ngarkuan detyra tejet të larta. Më 1248, u caktua të hapte një studio
teologjike në në Gjermani, e pikërisht në Këln, kryeqendër nga më të rëndësishmet,
ku jetoi herë pas here, duke u lidhur aq me këtë qytet, sa ta konsideronte vendlindje
të dytë. Nga Parisi solli me vete një nxënës të jashtëzakonshëm, Tomën e Akuinit.
Do t’i mjaftonte merita si mësues i Shën Tomës, për të qenë thellësisht i admiruar.
Ndërmjet këtyre dy teologëve linden marrëdhënie nderimi e miqësie, që i ndihmuan fuqimisht
në veprimtarinë e tyre për zhvillimin e shkencës. Në vitin 1254 Shën Alberti u
zgjodh Provincial i Provincës Teutoniae” (teutonike) të Etërve domenikanë, që përfshinte
bashkësi të përhapura në një territor të gjërë në Qendër e në Veri të Evropës. Aftësitë
e tij të shquara i ranë në sy Papës Aleksandri IV, që e thirri për ca kohë pranë vetes,
në Ananji, ku papët shkonin shpesh, në Romë e në Viterbo, për ta pasur pranë si këshilltar.
Nga 1260 deri më 1264 qe ipeshkëv i Regensburgut. Më 1263-12654 predikoi në Gjermani
e Bohemi Njeri i paqes e i pajtimit, më 1274 mori pjesë në Koncilin e Lionit. Metodat
e tij mbështeteshin kryesisht në vëzhgimin, në përshkrimin e në klasifikimin e fenomeneve
të studiuara. Natyrisht këto metoda shkencore nuk janë ato, që do të afirmoheshin
në shekujt pasardhës. E, megjithatë, ai mund të na mësojë ende shumë gjëra. Vdiq
në Këln, më 15 nëntor 1280.
Veprat: Vepra e plotë e Albertit u botua
për herë të parë në Lion, në vitin 1651, nën kujdesin e Atë Pietro Xhemit, O.P.; për
herë të dytë, në Paris, më 1890-99, nën drejtimin e Abatit të Kryedioqezës së Reimsit,
Auguste Bornje. Shenjti trajtoi argumente nga më të ndryshmet, duke i dhënë përgjigje
shumë problemeve të dijes së kohës. Më poshtë po radhisim titujt e traktateve, që
la Alberti i Madh, sipas disiplinave të ndryshme shkencore: Logjikë: Shtatë
traktate Shkencat fizike: Physicorum De Coelo et Mundo De Generatione
et Corruptione Meteororum De Mineralibus De Natura locorum; De passionibus
aeris Biologji: De vegetabilibus et plantis De animalibus De
motibus animalium De nutrimento et nutribili De aetate De morte et vita
De spiritu et respiratione Psikologji: De Anima De sensu et sensato
De Memoria, et reminiscentia; De somno et vigilia; De natura et origine
animae; De intellectu et intelligibili De unitate intellectus contra Averroistas
Philosophia pauperum Moral e ë: Ethicorum
Politicorum Metafizikë: Metaphysicorum De causis et processu
universitatis Teologji: Commentario su Dionigi l'Areopagita Commentario alle Sentenze di Pietro Lombardo Summa Theologiae Summa
de creaturis De sacramento Eucharistiae Super evangelium missus Esegjezi:
Commentari sui Salmi e sui Profeti Commentari sui Vangeli Sull'Apocalisse Sermone (Predikime) De quindecim problematibus Vepra që besohet të jenë
shkruar prej Shenjtit: De apprehensione Speculum astronomiae De alchimia Scriptum super arborem Aristotelis Paradisus animae Liber de Adhaerendo
Deo De Laudibus Beatae Virginis Biblia Mariana Compendium theologicae
veritatis De causis et proprietatibus elementorum De erroribus philosophorum
De fato De lapidibus De praedicabilibus De praedicamentis In categorias
Aristotelis Super geometriam Euclidis.