2010-11-15 17:58:01

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Haxhinasto, vjen nesër për vizitë në Vatikan


Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, vjen nesër për vizitë në Vatikan. Nesër pas dite në ora 18. 30 Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të takohet me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, kryeipeshkvin imzot Domenik Mamberti. Në qendër të takimit do të jenë marrëdhëniet ndërmjet dy Shteteve, raporti i Kishës katolike me institucionet shtetërore në Shqipëri si dhe kontributi e roli i Kishës katolike në shoqërinë shqiptare.
Të mërkurën, ministri Haxhinasto do të marrë pjesë në audiencën e përgjithshme të Papës e në mbarim të audiencës ministri i jashtëm i Shqipërisë do të përshëndetet me Atin e Shenjtë Racinger.
Kujtojmë se marrëdhëniet diplomatike mes Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë janë vendosur pas rënies komunizmit, më 7 shtator 1991 në nivelin e Nunciaturës për Vatikanin e në nivelin e Ambasadës për Shqipërinë.
Pra, sivjet bie 19 vjetori marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Shqipërisë, që u vendosen në rang Nunciature apostolike për Vatikanit dhe Ambasade për Shqipërinë më datën 7 shtator 1991.
Kujtojmë se Nunci (ambasador) i parë i Selisë së Shenjtë në Shqipëri qe emëruar më 22 tetor të vitit 1991 prelati indian, imzot Ivan Dias, sot kardinal Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve. Më 18 dhjetor 1991 Nunci Apostolik imzot Ivan Dias paraqiti Letrat Kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Tiranë.
Ndërsa ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Vatikanit qe emëruar më 1993 prof. Willy Kamsi, i cili Letrat Kredenciale tek Papa Gjon Pali II i paraqiti më 22 prill 1993, tri ditë para vizitës historike të Atit të Shenjtë Karol Wojtila në Shqipëri.
Sot Nunc Apostolik në Tiranë është kryeipeshkvi imzot Moliner Inglés Ramiro, ndërsa Ambasador i Shqipërisë pranë Vatikanit është Shkëlqesia e tij zoti Rrok Logu.
Në shtatorin e kaluar, Ambasadori i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Rrok Logu, me rastin e 19 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy Shteteve, pohoi për Radio Vatikanit se marrëdhëniet janë teje të mira e të frytshme për të dy palët. 19 vjetori i marrëdhënieve diplomatike rrëfen për një lidhje historike e të pazgjidhshme, që përshkon thuajse një gjysmë shekulli nën papninë e Gjon Palit II e vijon të forcohet nën papninë e Benediktit XVI. Këta dy Papë, ashtu edhe paraardhësit e tyre gjatë shekujsh, kanë treguar gjithnjë kujdes e vëmendje të veçantë ndaj popullit shqiptar e të Kishës në trevat shqiptare, duke ndërmjetësuar e ndihmuar vazhdimisht për përparimin e Vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. E kjo gatishmëri e Vatikanit u vërejt e madje është rritur edhe në kohën e papnisë së Benediktit XVI.







All the contents on this site are copyrighted ©.