2010-11-15 16:05:17

Benedikti XVI ipeshkvijve të Brazilit: të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të së vërtetës, të dashurisë e të drejtësisë


(15.11.2010 RV)Të krishterët duhet të jenë dëshmitarë të Ungjillit dhe pikë referimi për shoqërinë: kjo është këshilla e Papës për ipeshkvijtë e Brazilit, të cilët i priti në Vatikan, gjatë vizitës së tyre “ad Limina”. Benedikti XVI u ndal në rolin e Konferencave Ipeshkvnore të këtij vendi me 120 milion banorë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve dhe Atit të Shenjtë, si edhe ndërmjet atyre vetë dhe besimtarëve.
Në shoqërinë e sotme është e nevojshme që të krishterët ta dëshmojnë sërish Ungjillin e Krishtit, tha Papa pikërisht në ditën kur festohet shpallja e Republikës së Brazilit. Roli i Kishës në krijimin e identitetit të krishterë, theksoi, është tepër i rëndësishëm:
“Që prej 60 vjetësh nga themelimi, Konferenca kombëtare e Ipeshkvijve të Brazilit përfaqëson një pikë referimi për shoqërinë braziliane. Dëshmia e parë e atyre, që shpallin Fjalën e Zotit, është dashuria e ndërsjelltë. Konferencat ipeshkvnore lindin pikërisht si zbatim i drejtë i bashkimit të dashurisë së ipeshkvijve me Papën e, si mjet bashkimi efektiv dhe afektiv ndërmjet anëtarëve të tyre”.
Nga ana tjetër, shtoi Papa, Konferenca ipeshkvnore u mundëson ipeshkvijve ushtrimin e harmonishëm të disa funksioneve baritore, për të mirën e besimtarëve dhe të banorëve të një territori të caktuar:
“Konferenca Ipeshvnore nxit bashkimin e përpjekjeve dhe të synimeve të ipeshkvijve, duke u bërë kështu, një mjet, me anë të të cilit mund të merren impenjime të përbashkëta. Megjithatë, nuk duhet të kthehet në një realitet paralel, apo zëvendësues të shërbimit të çdo ipeshkvi”.
Benedikti XVI nënvizoi se, para së gjithash, ipeshkvijtë duhet të gjejnë mjetet e përshtatshme për t’ia përçuar popullit Magjisterin universal. Ata duhet të përpiqen për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të reja, duhet të orientojnë ndërgjegjet e njerëzve për të zgjedhur rrugën e drejtë të daljes prej problemeve të shkaktuara nga shndërrimet shoqërore e kulturore. E Papa foli qartë për temat më të ndjeshme në kohën e sotme:
“Promovimi dhe mbrojtja e fesë dhe e moralit, kujdesi për thirrjet në jetën e shuguruar, impenjimi ekumenik, mbrojtja e jetës njerëzore, shenjtërimi i familjes, e drejta e prindërve në edukimin e fëmijëve e, më tej, liria fetare, paqja dhe drejtësia shoqërore”.
Konferenca Ipeshkvnore, përfundoi Benedikti XVI, është organizmi, që duhet t’i shtyjë ipeshkvijtë të shqetësohen pikë së pari, për shpëtimin e shpirtrave. E iu lut Zojës së Aparesidës për besimtarët, për popullin e për Kishën e Brazilit.







All the contents on this site are copyrighted ©.