Ati i Shenjtë për sportin: të mësojë respektin dhe vlerat morale. Falënderim Italisë
për mikpritjen e katolikëve të plagosur në Bagdad.
(15.11.2010 RV)“I praktikuar me pasion e vështrim etik, sporti është shkollë
e vlerave njerëzore dhe kristiane”. Këtë pohoi Papa, duke takuar sot në Vatikan, një
përfaqësi të mësuesve italianë të skive. I pranishëm në audiencë, edhe Ministri
i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini, të cilin Benedikti XVI e falënderoi për ndërhyrjen
e qeverisë italiane në ndihmë të katolikëve irakianë, të plagosur gjatë atentatit
të 31 tetorit të kaluar, në Bagdad. Është fjala për sulmin kundër Katedrales siro-katolike
të Bagdadit, natën e Solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve. Atentati shkaktoi vdekjen
e 60 vetëve, ndërmjet të cilëve, 8 fëmijë, 10 gra e 2 meshtarë. Shumë të plagosur
u shtruan menjëherë në strukturat e asistencës shëndetësore italiane. Duke u folur,
pastaj, mësuesve të skive, Benedikti XVI ripohoi se veprimtaria sportive është një
nga mjetet, që ndikon fuqimisht në zhvillimin e harmonishëm të njeriut dhe në arritjen
e përsosurisë së tij morale, duke kontribuar edhe në krijimin e disa aftësive, si: “...
për shembull këmbëngulja për arritjen e qëllimeve, respektimi i rregullave, guximi
për t’i përballuar e për t’i kapërcyer vështirësitë. I praktikuar me pasion e me sens
etik, sporti, përveç frymës së shëndoshë të garës, bëhet shkollë në të cilën njeriu
mëson të përvetësojë vlerat njerëzore e kristiane”.