2010-11-15 17:16:33

Mbledhja plenare e kulturës. Imzot Ravazi: Kisha duhet të aftësohet gjithnjë më shumë për t’i folur botës.


(12.11.2010 RV)Plenaria e Këshillit Papnor të Kulturës me temë “Kultura e komunikimit dhe gjuhët e reja”, mbajtur javën e kaluar, u hap me një seancë publike, në Kapitol, me pjesëmarrjen e kryetarit të bashkisë së Romës, Xhani Alemano. U mbyll, me audiencën tek Papa, në Vatikan.
“Të flasësh për komunikimin dhe gjuhën e tij, për besimtarët do të thotë t’i afrohen misterit të vetë Zotit që, me mirësi dhe urti, deshi t’u dëftohet njerëzve e t’u tregojë vullnetin e tij”. Këtë theksoi Benedikti XVI gjatë takimit me bashkëpunëtorët e tij në fushën e kulturës.
Por mbi ç’mënyra e mjete komunikative e vunë theksin pjesëmarrësit në plenare?
Biseduam me imzot Xhanfranko Ravazin, kryetar i dikasterit për kulturën e kardinal i ardhshëm, duke i drejtuar pyetjen e parë: pse u vendos që mbledhja plenare të hapet jashtë Vatikanit?

Përgjigje:- Ishte një vendim gati –gati i detyrueshëm, mbasi tema e zgjedhur, për vetë natyrën e saj, hamendëson atë, që njihet me emrin ‘polis’, domethënë, qytetin; hamendëson lojën e rrugëve që kryqëzohen; njerëzit, që komunikojnë me njëri –tjetrin, që ulërijnë, por që, nganjëherë, mjaftohen vetëm me pëshpëritje. Për këtë arsye zgjodhëm Kapitolin, një lloj simboli, prej nga komunikimi përhapet në të gjithë qytetin.

Pyetje: - Kisha e bazon dëshminë e vet mbi Fjalën e Zotit, e megjithatë nuk e ka të lehtë të flasë me gjuhën e kohëve moderne. Pse?

Përgjigje: - Ekziston një problem thuajse paraprak: nga njëra anë, ne duhet të pranojmë se komunikimi dhe gjuha janë dy shprehje themelore të njeriut e të vetë fesë. Nuk duhet harruar se Bibla, dmth si Besëlidhja e Vjetër, ashtu edhe e Reja, nisin me frazën” Hyji tha!” dhe “Në fillim ishte Fjala”. Kështu fjala kremton fitoren e vet, në kulturë, në fe, në komunikim, ashtu si ndodh tani ndërmjet nesh. Por, nga ana tjetër, pranohet nga të gjithë se tashmë gjuha dhe komunikimi janë të sëmurë: kanë sëmundje nga më të ndryshmet, degjenerative, e te koka e krevatit të këtij të sëmuri janë shumë specialistë. Ndërmjet tyre, duhet të jetë, pa dyshim, edhe bashkësia kishtare, ndonëse nganjëherë kjo bashkësi, ndoshta, nuk di ta përdorë më këtë gjuhë.

Pyetje: - Imzot Ravazi, është Kisha që nuk di ta përdorë më këtë gjuhë, apo përmbajtja e asaj që komunikon, nuk i intereson më opinionit publik?

Përgjigje: - Ne e dimë thënien, që citohet vazhdimisht: mjeti e mesazhi! Përmbajtja e mjeti i komunikimit gërshetohen pandërprerë ndërmjet tyre, duke krijuar një lloj realiteti me lidhje të pazgjidhshme. Për këtë arsye, përmbajtja ka rëndësi të dorës së parë. Ne kemi një mesazh për të komunikuar, shpesh tejet të ndryshëm, në krahasim me atë të shoqërisë bashkëkohore, por që për ne mbetet i tillë, për vlerat që ruan, për pasurinë, që përmban. Por, nga ana tjetër, është mjeti, e mjeti, për fat të keq, shumë herë na ka humbur: nga ana e shoqërisë bashkëkohore është përdorur një gjuhë e një mënyrë të shprehuri, për të cilën Kisha nuk është interesuar aq sa duhet, por ka vijuar të flasë me gjuhën e vet. Ja pra, prej këndej buron nevoja për të komunikuar jo vetëm me përmbajtjen, por edhe me mjetin, me komunikimin!

 
Pyetje: - Ndjehet edhe nevoja e formimit të barinjve të Kishës për përdorimin e gjuhës së re...

Përgjigje: - Kjo është një nga nevojat, ndoshta më themelore. E jo vetëm për të shmangur kritikën ironike, që i bënte Volteri predikatarëve, kur shkruante se ‘gojtaria është si shpata e Karlit të Madh: e gjatë dhe e sheshtë, sepse predikatarët, atë që nuk janë në gjendje ta japin me thellësi, ta japin me gjatësi!”. Nevoja për të gjetur një gjuhë sigurisht më të aftë, për të hyrë në sintoni me kulturën e me njeriun e sotëm, është e domosdoshme. Por, duke mos harruar se ekziston një gjuhë themelore referimi, nga e cila nuk mund të hiqet dorë. Ka fjalë që duhen ruajtur.

Pyetje: - Plenarja u hap jashtë Vatikanit: a duhet të presim përfundime të reja nga punimet e asamblesë?

Përgjigje: - Sigurisht origjinaliteti i hapjes jashtë Vatikanit, siç bëhet gjithnjë, është domethënës në vetvete. E reja tjetër e plenares është se në të morën pjesë njerëz të të gjitha ngjyrave: regjisorë kinematografikë, artistë e arkitektë, studiues të gjuhës së komunikimit e specialistë të internetit... Kjo është një nga mënyrat për t’i folur një areopagu shumë të gjërë, një sheshi të mbushur përplot me njerëz. Mendoj, nga ana tjetër, e këtu rikthehemi tek fjalët e Jezu Krishtit – se nuk duhet të kumtojmë vetëm në gjysëmhijen e rrethuar me aureola-e, ndoshta, edhe e tymitur me temjan, të bashkësisë kishtare, të kishave, por duhet të flasim, siç thoshte Jezusi, edhe nga tarracat e nga çatitë: ne u ngjitëm pikërisht në tarracën e Kapitolit ose, më mirë të themi, të gjithë shoqërisë bashkëkohore.







All the contents on this site are copyrighted ©.