2010-11-13 14:36:28

Të kthehemi tek fjala e Zotit: editoriali i atë Lombardit mbi Këshillimin apostolik “Verbum Domini”


Bëri jehonë të madhe Këshillimi apostolik postsinodal “Verbum Domini”, publikuar të enjten, që përmbledh reflektimet dhe propozimet e Sinodit të Ipeshkvijve, zhvilluar në Vatikan, në tetor 2008. Mbi këtë dokument të rëndësishëm të Magjisterit të Benediktit XVI, të dëgjojmë editorialin javor të drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht zëdhënës i Selisë së Shenjtë:...........RealAudioMP3
“Pse një dokument i ri, kaq i gjatë, mbi Fjalën e Zotit? Para 45 vjetësh, Koncili II i Vatikanit pati publikuar kushtetutën “Dei Verbum”, që shumë e konsiderojnë një nga dokumentet më të rëndësishme të tij, disa madje, më të rëndësishmin, pikërisht sepse vinte në dukje burimin, zanafillën e jetës dhe të misionit të Kishës. Ai pati pa dyshim një rol themelor në rinovimin konciliar, por – siç vëren imzot Ravazi – me kohë, ndihej “një lloj lëshimi e ngopjeje”, që solli si pasojë, nga ana e specialistëve, “përgjithësimin e spiritualizmin e vagëllt, ose, në të kundërt, teknicizmin e shterpët”. E kardinali Oje ka folur qartë për “një defiçit në jetën shpirtërore të popullit të Zotit, i cili duhet mbushur”.
Pra: Shkrimi i Shenjtë është libër feje, që lind nga feja e popullit të Zotit e mund të kuptohet si duhet vetëm në këtë perspektivë, që duhet ushqyer nga feja.
Dokumenti i ri papnor është kaq i gjerë dhe i pasur, sa shumë lexues e analistë rrezikojnë të humbasin në aspektet e shumta të përmbajtjes së tij. Për këtë arsye, po i lejoj vetes të ngul këmbë në këto dy aspekte themelore: të lexohet dhe të interpretohet Shkrimi i Shenjtë me metodat, që na ofron shkenca, por në dritën e fesë, për të takuar kështu Fjalën e gjallë të Zotit, Jezu Krishtin; të jetohet e të praktikohet dëgjimi dhe shërbimi i Fjalës në jetën e përditshme të Kishës, për t’i ndihmuar besimtarët e krejt njerëzimin të takojnë Zotin, përmes Jezu Krishtit.
Për këtë, Benedikti XVI nuk na jep vetëm një dokument të madh për t’u studiuar e asimiluar: na jep edhe ndihmë e shembull. Me librin e tij mbi Jezusin na ofron të gjithëve një model për leximin dhe interpretimin e Shkrimit të Shenjtë, me homelitë e veta na ofron, në veçanti ne meshtarëve, një model predikimi, që frymëzohet gjithnjë nga Fjala e Zotit, por harmonizohet e pasurohet me teologji, përshpirtëri, aktualitet. Mund të shpresojmë vërtet – nën udhëheqjen e tij – në gjallërimin e lëvizjes së madhe, të dëshiruar nga Koncili II i Vatikanit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.