2010-11-13 14:37:09

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit Kishtar


Sot e diel 14 nëntor, Kisha kremton të dielën e 33-të gjatë vitit e po më 14 nëntor kalendari përkujton edhe shën Serapionin, ipeshkëv i Aleksandrisë e shën Shtjefnin nga Kuneo. Liturgjia na kujton se Jezusi na mëson të kënaqemi sepse jemi me Të e jo sepse bëjmë ndonjë gjë. Rëndësi ka të jesh me Zotin; rezultatet e frytet, të cilat nuk janë në dorën tonë, nuk i mungojnë njeriut që jeton me bindjen se shpëtimi vjen nga Zoti.

Nesër e hënë më 15 nëntor do të kremtohet Shën Alberti i madh, ipeshkëv e doktor i kishës dhe Shën Jozef Pinjateli, meshtar jezuit. Ungjilli na tregon se Jezusi shëroi shumë të gërbulur, po vetëm njëri u kthye ta falënderojë atë, që ka forcë të shërojë sëmundjet e korpit e të shpirtit. I krishteri i vërtetë duhet ta pranojë çdo çast pushtetin e Zotit mbi jetën e tij e duhet të jetë i vetëdijshëm se është Hyji ai, që na prin drejt të mirave të jetës së amshuar.

Duke ndjekur liturgjinë e festës së Shën Margeritës së Skocisë e të Shën Gjeltrudes, virgjër benediktine - të martën e ardhshme më 16 nëntor, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Ç’është mbretëria e Zotit? Kur do të vijë?”. Këto pyetje i bëjmë edhe sot, siç i bënin farizejtë në kohën e Jezusit. E pra Ai na fton të mos e ndjekim këtë logjikë njerëzore e ta pranojmë pa kushte në jetën tonë të përditshme.

Ta humbasësh jetën, për ta shpëtuar. Këtë mendim, në dukje kontradiktor, na kujton, të mërkurën që vjen më 17 nëntor, festa e Shën Elizabetës së Hungarisë, terciare françeskane. E pra vetëm ai që do ta ketë dhuruar plotësisht jetën, do të shpërblehet në ditën e mbramë. Ndërsa kush ia mbyll vëllezërve portat e zemrës, nuk është në gjendje ta pranojë ardhjen e Zotit.

Të ente më 18 nëntor do të kremtohet përvjetori i shugurimit të Bazikës vatikanase (1626) dhe i Bazilikës ostiense (1854). Kjo festë kujton se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjajë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurtë në rrugët që çojnë drejt qiellit.

Të premten që vjen më 19 nëntor, kalendari Kishtar përkujton festën e Shën Matildës virgjër e të Shën Abdisë profet. Festa e tyre na kujton se Hyji i bën pjesëtarë të jetës së vet hyjnore të gjithë ata që vdesin në bashkim me Të.

Të shtunën më 20 nëntor, do të përkujtohet shën Gjelazi I, papë. Liturgjia e ditës na kujton se kur duam me të vërtetë, nuk presim kurrfarë shpërblimi. Duam ashtu si na do Zoti, që na shpëtoi e na fton çdo ditë në tryezën e vet, pa kërkuar dhuratë tjetër, veç asaj të dashurisë për Të e për të afërmin.

Të dielën e ardhshme më 21 nëntor, bie solemniteti i Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë e do të kremtohet e diela e 34 –të dhe e fundit e këtij viti liturgjik.
Po të dielën më 21 nëntor kalendari përkujton edhe festën e Kushtimit të Zojës Mari. Ungjilli na paraqet një nga mrekullitë më të mëdha të Jezusit: shërimin e zemrës së Xakeut të pangopur me pasuri. Nuk duhet harruar, prandaj, se mëshira e Zotit mund t’i prekë edhe njerëzit që duken të humbur.
Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar sundon, shëlbon gjithësinë dhe çdo njeri. Cdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithë kemi jetën e amshuar duke na mundësuar pjesëmarrjen në Mbretërinë e Tij Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.