102 vjet më parë në Manastir 14 - 22 nëntor 1908 lindte alfabeti i sotëm i shqipes
Kongresi i Manastirit u mblodh nga 14 deri më 22 nëntor 1908 për të vendosur për problemin
e ndërlikuar të alfabetit. U organizua nga shoqëria Bashkimi dhe u propagandua nga
Mid'hat bej Frashëri në revistën e tij Lirija:"... ardhi një ditë e pëlqyerë për istorinë
tonë, që të nisim liruar' e papengim të punojmë për mbrodhësin' e lumtërin' e kombit
tonë, jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë
të jetë fillim, që pa atë nuku do mundim të harijmë qëllimetë tona të lartëra për
mbrodhësi të gjuhësë."- Kështu shkruante Mid'hat bej Frashëri, që e drejtoi këtë mbledhje,
ku morën pjesë 150 delegatë të të gjitha viseve e besimeve nga mbarë Shqipëria dhe
kolonitë shqiptare jashtë. Ndër pjesëmarrësit e shquar qenë Gjergj Fishta, Ndre
Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi nga Shkodra; Shahin bej Kolonja
dhe Petro Nini Luarasi nga Kolonja; Thoma Abrami nga Korça; Sotir Peci nga Bostoni,
dhe Bajo Topulli e familja Qiriazi nga Manastiri. Kongresi zgjodhi një komision
prej njëmbëdhjetë antarësh nën kryesinë e atë Gjergj Fishtës për të studiuar problemin
e alfabetit e për të dalë me propozime. U arrit menjëherë në mendimin e përbashkët
që alfabeti t’i shërbente kryesisht forcimit të unitetit kombëtar. Nismëtar i kësaj
frymne qe Atë Fishta i cili shpjegoi se sido që i dërguar prej shoqërisë Bashkimi,
s’ ishte aty thjeshtë për të mbrojtur abece-në, por për të gjetur një rrugë që çonte
në bashkimin e përgjithshëm. T re alfabetet kryesorë që u morën në shqyrtim qenë:
alfabeti i shoqërisë letrare Agimi të Shkodrës i propozuar nga Ndre Mjeda; alfabeti
i shoqërisë letrare Bashkimi të Shkodrës, i hartuar nga Imzot Prenkë Doçi dhe alfabeti
i Stambollit, i hartuar nga Sami bej Frashëri. Toskët ishin më fort për alfabetin
tradicional të Stambollit, kurse gegët zakonisht pëlqenin alfabetin e Bashkimit, i
cili ishte më praktik për botimet, sepse nuk kishte shkronja jolatine. U shqyrtuan
gjithashtu edhe dy alfabete të tjerë, alfabeti grek i përdorur nga Kostandin Kristoforidhi,
dhe alfabeti arab, të cilin shumë myslimanë të devotshëm, sidomos në Maqedoni e Kosovë,
vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për shumë kohë pas Kongresit. Komisioni
vendosi të pranojë variantet e modifikuara të alfabeteve të Bashkimit e të Stambollit.
Të dy mund të përdoreshin në shkolla e në botime. Pranimi nga të gjithë i vendimit
të komisionit do të donte ende shumë kohë, por, me vendimin për të mbështetur një
zgjidhje kompromisi, kongresi shtroi rrugën për kalimin shkallë-shkallë nga alfabeti
i respektuar i Stambollit, te alfabeti i tanishëm i shqipes i bazuar në shkronja latine,
duke mënjanuar kështu polemika e kundërshtime e duke hedhur bazat për formimin e gjuhës
letrare shqipe.