2010-11-12 19:22:33

Në zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë do të marrin pjesë 28 parti politike


28 subjekte, parti politike, koalicione e iniciativa qytetare të të gjitha komuniteteve do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë.
Mesnata e kaluar ishte afati i fundit për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).Partitë politike kanë dorëzuar në KQZ listat e kandidatëve për deputetë.
Për shkak të pragut zgjedhor të lartë, prej 5 për qind, të përcaktuar me Ligjin për zgjedhjet, të miratuar me procedurë të përshpejtuar para shpërbërjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, partitë e vogla dhe inciativat qyetare u janë bashkuar partive të mëdha me synim që të fitojnë vende në parlament.

Koalicioni me numërin më të madh të partive: AKR-PD-PSD-PPI-PPK-PNDSH-PGJK, është i pari në listën e 28 subjekteve që kanë aplikuar në KQZ.
Subjektet e tjera shqiptare, në renditjen sipas listës së KQZ, janë: Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), Lidhja Demokratike e Kosovs (LDK), AAK-Ramush Haradinaj-Dr.Ibrahim Rugova, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Fryma e Re (FER).
Këto shtatë subjekte të shumicës shqiptare, brenda të cilave garojnë edhe përfaqësues të partive të vogla e inciativave qytetare, në listën e 28 subjekteve të paraqitura në KQZ për certifikim për zgjedhje mbesin minorancë në krahasim me numrin e subjekteve të paraqitura nga komunitetet pakicë - serbe, turke, boshnjake, malazeze, ashkalie, gorane, egjiptiane, rome.
Media lokale serbe thekson faktin se "dhjetë subjekte politike serbe do marrin pjesë në zgjedhjet kosovare".

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka 120 vende, të cilat do të plotësohen me 100 deputetët e zgjedhur drejtpërdrejtë me votë dhe 20 të tjerë që i kanë vendet e rezervuara -10 të komunitetit serb e 10 të komuniteteve të tjera pakicë.

Sot, në një takim me Presidentin në detyrë të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqin, përfaqësuesit e subjekteve politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 12 dhjetorit, nënshkruajnë Kodin e Sjelljes për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme.
Fushata parazgjedhore e shpalosjes së programeve dhe e tubimeve me elektoratin në kërkim të votës do të zhvillohet vetëm 10 ditë, duke filluar nga nga 1 dhjetori, për shkak se zgjedhjet e jashtëzakonshme organizohen brenda afateve të shkurtuara.

Nënshkrimi i Kodit të Sjelljes për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme nga subjektet politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme të 12 dhjetorit në Kosovë, i paralajmëruar për sot nga Presidenca kosovare, u shty për javën e ardhshme, edhe pse takimi i përfaqësuesve të subjekteve me Presidentin në detyrë, Jakup Krasniqi, u mbajt sot paradite.
"Në këtë takim u diskutua rreth tekstit të deklaratës së përbashkët të të gjitha partive politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, e cila ka të bëjë me kodin e sjelljes në këto zgjedhje", bëhet e ditur në një njoftim nga zyra e shtypit e Presidencës.
Pas këtij takimi, në një konferencë me gazetarë, Krasniqi, tha se "patëm një takim me partitë politike, që janë të regjistruara në Komisionin Qendror Zgjedhor dhe kemi ofruar një tekst të një deklarate, që ka të bëjë me një kod të mirësjelljes në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010".
"Ne biseduam rreth kësaj deklarate. Pati disa vërejtje, të cilat do t'i reflektojmë në tekstin e ri dhe të hënën në mënyrë ceremoniale partitë politike do të nënshkruajnë këtë deklaratë të mirësjelljes për zgjedhjet e jashtëzakonshme të këtij viti", shtoi Krasniqi. (nga ATSH.ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.