2010-11-12 15:13:13

Letra e Papës drejtuar presidentit iranian Mahmud Ahmadinexhad


(12.11.2010 RV)Kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinali Zhan Lui Toran, gjatë vizitës në Teheran, u takua, të martën e kaluar, me presidentin iranian, Mahmud Ahmadinexhad, të cilit i dorëzoi një mesazh të Benediktit XVI.
Në Letër, Papa “shpreh bindjen e tij të thellë se respekti ndaj përmasës së mbinatyrshme të njeriut duhet të jetë kusht i domosdoshëm për ndërtimin e rendit të drejtë shoqëror e të paqes së qëndrueshme”. Duke u nisur nga ky këndvështrim, pohon Benedikti XVI, “besimtarët e çdo feje kanë përgjegjësi të veçantë e mund të luajnë një rol vendimtar, duke bashkëpunuar në nisma të përbashkëta. Dialogu ndërfetar e ndërkulturor përfaqëson rrugën kryesore për paqen”.
Më pas Papa vë në qendër të vëmendjes gjendjen e katolikëve në Lindjen e Mesme: “në disa vende, nënvizon, bashkësitë katolike përballojnë rrethana të vështira, diskriminime e edhe dhunë. Atyre u mungon liria për të jetuar e për të praktikuar publikisht fenë e tyre”. “Katolikët e pranishëm në Iran e në pjesën tjetër të botës, e përfundon mesazhin Papa - përpiqen të bashkëpunojnë me bashkëqytetarët e tyre, për të kontribuar sinqerisht e ndershmërisht në shërbim të së mirës së përbashkët të shoqërive, në të cilat jetojnë, duke u bërë konstruktorë të paqes e të pajtimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.