2010-11-12 18:30:50

Intervistë me atë Federiko Lombardin në 50-vjetorin e kushteve të tij rregulltare.


(12.11.2010 RV)Ditë e zakonshme, e sotmja, e ngarkuar si çdo ditë tjetër, me veprimtari, për drejtorin tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardin. Por edhe e jashtëzakonshme, sepse më 12 nëntor, 50 vjet më parë, fillonte përvojën në Shoqërinë e Jezuitëve. Në një përkujtim kaq kuptimplotë, menduam të hapim një dritare në kujtimet e ndjenjat e njeriut dhe të meshtarit, që e shkriu pjesën më të rëndësishme të jetës, në shërbim të Selisë së Shenjtë:

Përgjigje: - Kur isha fëmijë, jetoja në Piemont, por pjesën më të madhe të kohës e kalova në Torino. Në këtë qytet ndiqja shkollat e jezuitëve e aktivizohesha edhe në lëvizjen e skautëve si dhe në Oratorin salezian. Kalova një rini tejet të bukur, të cilën e kujtoj me gëzim të madh, si pse familja ime ishte shumë e bashkuar, shumë fetare, ashtu edhe pse jetova në mjedise edukative, të cilat i kujtoj me mirënjohje të thellë: ato të shkollës së Jezuitëve, ashtu edhe të Oratorit e të të gjitha veprimtarive të salezianëve. Kur, pastaj, mbusha 18 vjeç dhe kreva shkollën e mesme, natyrisht nisa ta pyes veten si do ta vijoja jetën time; do të thosha se mendimi për t’ia kushtuar jetën time Zotit e të afërmit, ishte mjaft spontan në këtë çast. Përsa i përket pyetjes ku e si do ta realizoja, mendimi i parë, normal, ishte t’i kërkoja Shoqërisë së Jezuitëve të më pranonte në gjirin e saj, ndonëse vijova ta ruajë miqësinë e afërsinë me salezianët.

Pyetje: - Kush është sot atë Lombardi?

Përgjigje: - Jam jezuit, jam meshtar, jam përpjekur të bëj atë, që më është thënë, sepse ne kemi kushtin e dëgjesës: marrim, pra, misione, siç shprehemi ne, domethënë detyra, që na ngarkohen nga eprorët tanë. E pikërisht eprorët, në përfundim të formimit tim rregulltar e meshtarak, më nisën për në Romë, për të punuar në revistën kulturore të jezuitëve “Civiltà Cattolica”. Për gjashtë vjet kam qenë epror provincial i jezuitëve italianë; e pastaj, në përfundim të kësaj detyre, u ‘dërgova’ në Vatikan, si drejtor i Programeve të Radio Vatikanit; më pas, kreva edhe detyra të tjera.

Pyetje: - Në se atë Lombardi nuk do të kishte qenë meshtar, ç’do të ishte bërë?

Përgjigje: - Më duket një gjë absolutisht hipotetike. Gjithsesi pyetjes se cilat do të ishin interesat e vetvetishme të rinisë sime, nuk e pata vështirë t’i përgjigjesha. Do të ishin, sigurisht, shkencat, shkencat natyrore e posaçërisht, fizika; e, përsa u përket veprimtarive të tjera ose kohës së lirë, sigurisht, alpinizmi.

Pyetje: - A ka ndonjë çast të veçantë në jetën tuaj, që e kujtoni shpesh?

Përgjigje: - Vështirë të gjej një, më domethënës se të tjerët. Po ju rrëfej se këto ditë, kur kremtohej kushtimi i Sagrada Familia, pikërisht të dielën e kaluar, me Papën në Barcelonë, më erdhi në mendje një çast tejet i veçantë: kur isha 13 vjeç, me skautët e Oratorit të salezianëve, bëra udhëtimin tim të parë të madh me biçikletë nëpër rrugët e Evropës, duke arritur nga Torino pikërisht në Barcelonë. Udhëtonim varfërisht: mbanim çadrën në biçikletë, hanim djathë e domate... shtegtonim, pra, në mënyrë jashtëzakonisht ekonomike. Si arritëm në Barcelonë, pa ditë ku të shkonim, në një farë pike pamë katër kulla tejet të larta e thamë: po shkojmë atje. Ishte fasada e Naixement e Sagrada Familia, asokohe në ndërtim e sipër. Në moshën 13 vjeçare, pikarritja ime e parë, e shtegtimit të parë të gjatë me biçikletë, së bashku me shokët e mi – kujtoj se kam bërë më pas 4-5 shtegtime të tjera nëpër Evropë – ishte pikërisht Fasada de Naixement e Sagrada Familia-s, ku Papa kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot të dielën e kaluar. Munda të shikoj, 55 vjet më pas, sa ishte rritur kjo ndërtesë e mendova edhe për jetën time, si kaloi në shërbim të Kishës, duke u nisur pikërisht nga ajo ditë!

Pyetje: - Atë Lombardi, ju jeni drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit, i Qendrës Televizive të Vatikanit dhe i Sallës së Shtypit: sa orë ka dita juaj?

Përgjigje: - Dita ime ka 24, ashtu si ditët e të gjithëve. Natyrisht pjesa më e madhe e 24 orëve i kushtohet këtyre shërbimeve, që kujtuat. Për mua është absolutisht themelore që këto shërbime të mos shikohen vetëm se realizim eficentist, por si rezultat i një bashkësie të komunikimit. Papa e quan vetën: “shërbëtor i shërbëtorëve të Zotit”: mrekullisht mirë. Unë e të gjithë ata, që bashkëpunojnë me mua, jemi “shërbëtorë të shërbëtorëve të Zotit”.

Pyetje: - Pyetja e fundit, paksa personale: si janë marrëdhëniet tuaja me Atin e Shenjtë?

Përgjigje: - Shpresoj të jenë marrëdhënie të mira! Mos mendoni se bisedoj çdo ditë privatisht me Atin e Shenjtë. Shërbimi im ka të bëjë si me atë që thotë Ati i Shenjtë, ashtu edhe me jetën e Selisë Apostolike në përgjithësi, e edhe të Kuries Romake. Nganjëherë më mjafton një shikim a një fjalë e vetme e Atit të Shenjtë. Është njeri tejet i vëmendshëm, që e dëgjon me kujdes të madh, me mirësjellje të thellë, atë që thotë tjetri. Besoj se edhe ne duhet të kemi për të, të njëjtën vëmendje, sepse fjalët që thotë ai, janë shumë më të rëndësishme se tonat!







All the contents on this site are copyrighted ©.