2010-11-12 18:29:21

Fillon vizita apostolike në Irlandë, me dëshirën e Papës, për përtëritjen shpirtërore pas shpërdorimeve nga disa anëtarë të klerit.


Selia e Shenjtë njoftoi, përmes një komunikate, fillimin e vizitës apostolike në Irlandë: do të vizitohen kryedioqezat metropolitane irlandeze, seminaret dhe institutet rregulltare, pas rasteve të shpërdorimeve nga ana e anëtarëve të klerit. Nisma pason Letrën baritore të 19 marsit, që Benedikti XVI u drejtoi katolikëve irlandezë. Në të Papa shprehte “dhimbjen dhe keqardhjen e thellë, që i shkaktuan shpërdorimet e kryera nga ana e disa priftërinjve dhe rregulltarëve, si dhe mënyra me të cilën u trajtuan këto raste në të kaluarën”. Disa muaj pas botimit të Letrës, u organizuan takime parapërgatitore për të përcaktuar qëllimet e vizitës.

Vizita në Irlandë do të verifikojë në se marrëdhëniet ekzistuese ndërmjet pjesëve përbërëse të Kishës lokale, mund ta mbështesin rrugën për përtëritjen e thellë shpirtërore. Vizita, që nuk do të jetë as hetim për rastet e veçanta të shpërdorimeve, e as proces për të gjykuar ngjarjet e së kaluarës, do të ketë si objektiv të verifikojë pasojat e masave që janë marrë si dhe format e ndryshme të ndihmës, dhënë viktimave. Nuk do të ndërhyjë në veprimtarinë e autoriteteve gjyqësore, e nuk do ta zëvendësojë autoritetin e ligjshëm të ipeshkvijve lokalë ose të eprorëve rregulltarë.
Vizitatorët e katër dioqezave metropolitane – kardinali Kormak Mërfi-O’Konor për Armah-in; kardinali Shon P. O’Mallei për Dublinin: imzot Thomas Colins për Kashel-in dhe Emli-n; kryeipeshkvi Terrenc Prendergast për Tuam-in, do t’i takojnë të gjithë ata, që janë plagosur rëndë nga shpërdorimet e priftërinjve si dhe familjet e tyre. Do të verifikojnë, pastaj, si janë zbatuar vijat udhëheqëse të dokumentit të vitit 2009, hartuar nga “Këshilli Kombëtar për mbrojtjen e të miturve në Kishën Katolike”.
Vizitatorët e katër kryedioqezave metropolitane ka mundësi të takohen edhe me ipeshkvijtë e provincës kishtare. Përveç ipeshkvit, duhet të dëgjojnë edhe mëkëmbësin e përgjithshëm, mëkëmbësit e ipeshkvijve, gjyqtarët e Gjykatës kishtare, kancelarin, anëtarët e Këshillit Presbiteral, anëtarët e Kolegjit të këshilltarëve dhe Këshillat baritore e, mbi të gjitha, drejtuesit, në nivel dioqezan e famullitar, të Zyrës për parandalimin e shpërdorimeve e mbrojtjen e viktimave.
Vizitatori apostolik për seminaret irlandeze, imzot Timothi Dolan, kryeipeshkëv i Nju Jorkut, do të vizitojë pesë institucione dhe do të shqyrtojë të gjitha aspektet e formimit meshtarak.
Vizitatorët apostolikë të Instituteve të Jetës Rregulltare e të Shoqërive të Jetës Apostolike, që kanë shtëpi në Irlandë, motra Sharon Holland, atë Robert Malònei, motra Mairin Mk Donah dhe Atë Gero MkLaflin, do të vlerësojnë përgjigjet që i janë dhënë pyetësorit mbi shpërdorimet dhe ndihmën e viktimave. Të gjitha këto, në shërbim të gjallërimit të jetës së përkushtuar në Irlandë.
Kongregata për ipeshkvijtë, për Institutet Rregulltare e Shoqëritë e Jetës Apostolike, në bashkëpunim me Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, do të merren vesh që faza e parë e vizitës të përfundojë, mundësisht, deri në Kohën e Pashkëve 2011. Në këtë periudhë vizitatorët duhet të përcjellin rezultatet e punës së tyre, në mënyrë që, më pas, të diskutohet lidhur me hartimin e një plani për të ardhmen. Sapo të përfundojë vizita, Selia e Shenjtë do të botojë sintezën e rezultateve.







All the contents on this site are copyrighted ©.