2010-11-11 14:46:05

Çelësi i fjalëve të Kishës: "shtegtimi"


(11.11.2010 RV)Të dashur dëgjues, Papa Benedikti XVI sapo u kthye nga udhëtimi i tij apostolik në Spanjë. Themi se Ati i Shenjtë shtegtoi në këtë vend. Shpesh për vizitat e besimtarëve në ndonjë shenjtore, apo në ndonjë vend të shenjtë keni dëgjuar të thuhet se ata shtegtuan, ose u bë një shtegtim, apo pelegrinazh drejt atij vendi. Por “shtegtimi” do të thotë vetëm të shkosh në një vend të caktuar, që lidhet me fenë? Të përpiqemi të shpjegojmë se ç’kuptim ka “shtegtimi” në Shkrimin e Shenjtë…


Lëvizja mund të bëhet një shembëlltyrë e jashtëzakonshme e jetës dhe e përshpirtërisë: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta” thotë Jezusi (Gjn 14,6). Prandaj kemi shtigje të shenjta, shtegtime, por edhe përvoja udhëtimesh, që shndërrohen në simbole. Shtegtojmë për t’u takuar me Zotin, në një vend të shenjtë, që na ndihmon për këtë, por shtegtojmë edhe për të shkuar drejt horizontit të fundmë të jetës, që është bashkimi përfundimtar me Hyjin. Bibla është dëshmi e gjallë e kësaj, duke filluar që nga Abrahami, i cili “i grishur nga Zoti, dëgjoi të çohet dhe të niset drejt vendit, që do ta fitonte në trashëgim; e lëshoi vendin edhe pse nuk dinte se ku do të shkonte” (Heb 11,8). Vendimtare është përvoja e daljes nga Egjipti, me ngjarjet dramatike e të lavdishme të shkretëtirës: është shembëlltyrë e përhershme e jetës së Izraelit në kalimin nga skllavëria në liri, nga shtypja e së keqes dhe e mëkatit në dritën e tokës së premtuar, që bëhet shenjë e amshimit dhe e gjithësisë së re e të përsosur.
Pikërisht për këtë arsye, një nga aspektet themelore të përshpirtërisë biblike është shtegtimi, apo pelegrinazhi në tempullin e Sionit, që duhet bërë tri herë në vit, me rastin e tri festave kryesore: Pashkëve, Rrëshajve dhe festës së Tendave. Të ashtuquajturit “Psalme të ngritjes në qiell” (nga 120 deri në 134) dëshmojnë këtë prirje drejt lartësive jo vetëm fizike (Jeruzalemi ndodhet në lartësinë 800 m), por edhe shpirtërore, drejt qiellit, drejt transhendencës e hyjnores. Në këtë rrugë takojmë edhe Jezusin, i cili që i vogël, ngjitet në shtegtim në Sion. Është domethënës fakti, që Shën Luka Ungjilltar i kushton 10 kapituj përshkrimit të rrugës, që e çon Krishtin në Jeruzalem, vend i vdekjes dhe i ringjalljes së Tij.
E në gjurmët e tij ecin edhe dishepujt: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!” (Mt 16,24). Pas këtyre fjalëve të Krishtit, që i gjejmë në Ungjillin e Shën Mateut, dishepujt kanë përpara krejt botën, siç do t’u thotë më vonë vetë Jezusi (“Shkoni në të gjithë botën”) e siç dëshmojnë sidomos udhëtimet apostolike të Shën Palit Apostull. Ndoshta, emblema më sugjestive e shtegtimit të krishterë është në tregimin e udhëtimit të dy dishepujve të Krishtit, nga Jeruzalemi në Emaus. Jezusi, megjithëse nuk njihet prej tyre, i shoqëron me fjalë, ua ndez zemrat dhe i çon drejt shenjtërores së përditshme, që është shtëpia, ku ai ndan bukën eukaristike (Lk 24, 13-35).
Në këtë shtegtim, apo pelegrinazh, nuk janë ftuar vetëm dishepujt, por të gjithë njerëzit, që e kërkojnë Zotin me zemër të sinqertë, si Mbretërit Dijetarë, për shembull: “Shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit” (Mt 8,11). E qëllimi i fundit i kësaj rruge nuk është kthimi në të kaluarën nostalgjike, siç ndodhi me Odisenë e Homerit. Jeta e krishterë, që në Veprat e Apostujve quhet simbolikisht “udha”, priret drejt një fundi transhendent, i përfaqësuar shkëlqyeshëm nga Jeruzalemi Qiellor, për të cilin këndohet në Librin e Zbulesës.
Atje do të zhduken gjërat që turbullojnë rrugën tonë tokësore, si “vdekja”, “zia”, “vaji”, “lodhja”, sepse “Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë” (21,3-4). Bashkimi me Zotin do të jetë i plotë, sepse “ne që do të jemi ende në jetë…do të merremi në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu, do të jemi gjithmonë me Zotin” (1 Sel 4,17) e do të bëhemi “bashkëqytetarë të shenjtërvet dhe anëtarë të familjes së Hyjit” (Ef 2,19). Ky është qëllimi dhe horizonti përfundimtar i shtegtimit të çdo besimtari.







All the contents on this site are copyrighted ©.