Më 11 nëntor kalendari Kishtare përkujton shën Martinin e Turit, ipeshkëv.
(11.11.2010 RV) Për Shën Martinin thuhet se ishte: ushtar me zor, ipeshkëv për detyrë,
murg për vullnet. I lindur në Panoni (Hungari) prej një tribuni, ndoq karrierën ushtarake
në radhët e Rojeve të Perandorisë. Fëmijërinë e kaloi në Paví të Italisë e pastaj,
si ushtar, shërbeu në Francë. Mbasi u pagëzua, u vu nën drejtim shpirtëror të Shën
Hilarit (339). La karrierën ushtarake e, pak mbrapa, themeloi të parin kuvend rregulltarësh
pranë Puatjë. Posa u shugurua meshtar, pas vdekjes të ipeshkvit të Turit (372)
u zgjodh ipeshkëv i asaj selie. Si bari i këtij dioqezi u bë apostull, mësues e bamirës
i të gjithëve, posaçërisht i të varfërve e i fshatarëve. Me ndihmën e murgarëve të
vet, ndihmoi fuqimisht shtresat e ulta të katundarëve e të barinjve dhe i dha shkas
përparimit shoqëror të vendit e të Galisë mbarë. Vdiq në moshë të shtyrë, në vitin
397. Është i pari shenjt jo martir i nderuar në elter prej Kishës. Ikonografia
e paraqet gati gjithherë mbi kalin e vet duke prerë me shpatë mantelin e tij, për
të mbuluar një të varfër, që dridhej rrugës prej së ftohtit. Benedikti XVI, duke
e kujtuar Shën Martinin e Tur, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 11 nëntorit 2007,
i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e tij, “t’i lënë mënjanë interesat personale
e të punojnë me pasion të vërtetë për të mirën e përbashkët”. Një pasion i tillë
– theksoi Ati i Shenjtë - e shtyu, 1700 vjet më parë, ushtarin e Panonisë së lashtë,
Martinin, ta kuptonte e ta jetonte në mënyrë krejt të jashtzakonshme karrierën ushtarake.
Ishte krishterimi që e mësoi t’i respektonte e t’i mirëkuptonte të gjithë, të sillej
me shërbëtorin e vet si me një vëlla e të largohej nga dëfrimet vulgare. E krishterimi
e mësoi edhe ta ndante mantelin e vet me një varfanjak, që dridhej nga e ftohta –
gjest që e bëri një nga shenjtorët më të nderuar në Evropë. Ky gjest – pohoi Papa
Racinger – ka një logjikë të përcaktuar: “Është logjika që të shtyn ta ndash
gjithçka me tjetrin, në të cilën gjen shprehjen dashuria e vërtetë për të afërmin.
Shën Martini na ndihmoftë të kuptojmë se vetëm përmes impenjimit të përbashkët për
të mbështetur njëri-tjetrin, mund t’i përgjigjemi sfidës së madhe të kohës sonë: ndërtimit
të një bote në të cilën mbretëron paqja e drejtësia, ku çdo njeri mund të jetojë me
dinjitet. E kjo mund të bëhet realitet vetëm në se fiton epërsinë modeli botëror i
solidaritetit të vërtetë, që është në gjendje t’u sigurojë të gjithë banorëve të planetit
ushqimin, ujin, ilaçet e nevojshme, por edhe punën, burimet energjitike, pasuritë
kulturore dhe njohuritë shkencore e teknologjike”.