2010-11-10 16:41:55

Së paku 6 viktima në Irak, në valën e re të sulmeve kundër të krishterëve


(10.11.2010 RV)Një valë e re bombash e sulmesh kundër shtëpive të të krishterëve në Irak shkaktoi, dje e sot, vdekjen e së paku 6 personave. Mëse 30 të tjerë janë plagosur, sipas bilancit zyrtar. Kanë kaluar vetëm 10 ditë nga masakra e 31 tetorit në kishën siro-katolike të Zojës Ndihmëtare në Bagdad, ku gjetën vdekjen dhjetra vetë. Edhe kësaj radhe, bombat shpërthyen në shtëpitë dhe para një kishe të krishterë në kryeqytetin irakian.
Patriku i Babilonisë së kaldejve, Emanuel III Deli ka deklaruar se terroristët e Al Kaidës “po i përndjekin të krishterët në çdo lagje të Bagdadit”. Kryeipeshkvi siro-katolik i Bagdadit, imzot Atanaze Mari Shaba Matoka shpreh dëshpërimin e tij të thellë përmes agjensisë katolike Fides dhe denoncon qeverinë irakiane, e cila, pavarësisht nga fjalët e bukura, nuk ka bërë asgjë për të ndalur dhunën. “Janë goditur familje të krishtera kalde, siro-katolike, asire dhe të konfesioneve të tjera, në zonën e Dourës… Terrori troket në dyert tona”, pohon prelati, për të cilin qëllimi kryesor i terroristëve islamikë është largimi përfundimtar i të krishterëve nga ato troje. Vërtet, familjet janë lodhur nga gjendja e kush mundet, largohet për në vende të tjera. Imzot Atanaze Mari Shaba Matoka u bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare, Papës dhe Kishës universale të ndërhyjnë në ndihmë të bashkësisë së krishterë. “Sot për sot – përfundon kryeipeshkvi – nuk mund të bëjmë tjetër, veçse të shpresojmë e të lutemi, duke ia besuar jetën tonë Zotit”.
Në planin politik, kryeministri Nuri al-Maliki vizitoi dje kishën siro-katolike të Bagdadit, teatër i atentatit dramatik të 31 tetorit dhe, u bëri thirrje të krishterëve të mos e braktisin vendin. Atentatet e sulmet bëhen edhe për shkak të mungesës së sigurisë. Akoma nuk është formuar qeveria e re e parlamenti mblidhet nesër për të diskutuar mbi këtë problem. Të dëgjojmë prokuratorin kalde në Romë, imzot Filip Naxhim:
Sigurisht, teorristët duan t’i tregojnë botës mbarë se vota në Irak është thjesht politike dhe se nuk ekziston bashkim kombëtar. Duan të tregojnë se sot, me këtë klasë udhëheqëse, Iraku është i paaftë të krijojë një qeveri, e cila të marrë përsipër përgjegjësitë, që i takojnë, para popullit; një qeveri, që ta shohë si përparësi edukimin dhe sigurimin e jetës normale për të gjithë.
Ditëve të fundit, dhuna kundër bashkësisë së krishterë është rritur dukshëm…
Terroristët përpiqen gjithnjë të shkaktojnë frikë. Duan të tregojnë se kemi të bëjmë me konflikt ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve. Por nuk është kështu. Të krishterë e myslimanë kanë jetuar gjithnjë bashkë, e kanë ndërtuar sëbashku vendin dhe të ardhmen e Irakut. Terroristët përpiqen, edhe përmes mas mediave, të krijojnë frikë e të ushqejnë paqëndrueshmërinë, për të treguar se vendi është kaq i dobët, sa nuk mund të sigurojë as jetën e qytetarëve të vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.