2010-11-10 12:30:17

Papa, e ardhmja e BE-së plot shpresë, nëse mbetët besnike rrënjëve të saj e vlerave.


“Një dialog i frytshëm ndërmjet fesë e arsyes, ndërmjet politikës e religjionit, ndërmjet ekonomisë dhe etikës, do të mundësojë ndërtimin e një Evrope, e cila duke qëndruar besnike ndaj rrënjëve të veta të krishtera të pamohueshme, do të mund ti përgjigjet plotësisht thirrjes së vet e misionit në botë”.
Kështu pohoi sot Papa Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur në Vatikan, duke përshkuar udhëtimin e tij të këtyre ditëve në Spanjë. “I bindur në mundësitë e jashtëzakonshme që ka Kontinenti evropian e me besim në një të ardhme të saj plot shpresë, kam ftuar Evropën – theksoi Papa – që ti hapet gjithnjë më shumë Zotit, duke favorizuar kështu perspektivat e një takimit të vërtetë, me respekt e solidar, me popullsitë e qytetërimet e Kontinenteve tjera”.
“Derisa isha në Barcelonë – shtoi Papa Racinger duke folur para mase tetë mijë besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në sallën e Palit VI në audiencë – i jam lutur fort Zotit për familjet qeliza jetike e shpresë e shoqërisë dhe e Kishës. Kam përkujtuar edhe ata që vuajnë, në mënyrë të veçantë në këto momente të vështirësive serioze ekonomike.
Pata para sysh, në të njëjtën kohë edhe të rinjtë, që më kanë shoqëruar gjatë tërë vizitës sime në Santiago e Barcelonë me entuziazmin e tyre dhe me gëzimin e tyre, sepse duke zbuluar bukurinë, vlerën dhe angazhimin e Martesës, ku burri e gruaja formojnë familjen, e cila me bujari e pranon jetën dhe e shoqëron atë që nga zënia e saj e deri në mbarimin e saj të natyrshëm”. “Gjithçka bëhet për të mbështetur martesën e familjen, për të ndihmuar njerëzit më nevojtarë, gjithë ajo që e rritë madhështinë e njeriut e dinjitetin e tij të pacenueshëm, kontribuon - pohoi Ati i Shenjtë – në përsosmërinë e shoqërisë. Asnjë orvatje nuk është e kotë në këtë kuptim e drejtim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.