2010-11-10 16:41:30

Në audiencën e përgjithshme, Papa kujton vizitën në Spanjë dhe përsërit thirrjen drejtuar Evropës për besnikëri ndaj rrënjëve të krishtera.


(10.11.2010 RV)Sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në praninë e tetë mijë besimtarëve, Papa kujtoi etapat kryesore të shtegtimit të tij të fundit apostolik në Santiago të Kompostelës dhe në Barcelonë, duke nënvizuar se shtegtoi si dëshmitar i Krishtit të Ngjallur, për të hedhur farën e shpresës, që nuk të gënjen e as të zhgënjen, sepse e ka zanafillën në dashurinë e pafundme të Zotit për të gjithë njerëzit. Posaçërisht kujtoi thirrjen e tij drejtuar Evropës për besnikëri ndaj rrënjëve të krishtera.
Papa e quajti Kompostelën “vend shpirtërisht i jashtëzakonshëm, që vijon të jetë pikë referimi për Evropën e sotme, për format e perspektivat e saj. Duke pasur parasysh mundësitë e pakufishme të Kontinentit dhe me besim në ardhmërinë e tij plot shpresë, tha Papa, e ftova Evropën t’ia hapë gjithnjë më shumë zemrën Zotit, duke krijuar kështu, kushtet e favorshme për një takim të vërtetë, plot respekt e solidaritet, me popujt dhe qytetërimet e kontinenteve të tjera.

Para se të mbante katekizmin, Ati i Shenjtë u ndalua për disa çaste në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, për të përshëndetur dy grupe, ardhur nga Republika Çeke dhe nga Karpineto Romano, vende, vizituar nga Benedikti XVI ndërmjet viteve 2009-2010.

Papa kujtoi se shtegtoi mbi gjurmët e Shën Jakut e të një Evrope, e cila në Kompostelë mund të kujtojë si lindi shpirti i saj. E pastaj shprehu emocionet që provoi duke vizituar një mrekulli arkitektonike, ku feja shprehet në bukuri e liturgjia në art. Ndërmjet këtyre dy poleve u zhvillua shtegtimi Apostolik i Benediktit XVI në Spanjë. Shenjtërorja e Galicisë ishte etapa e parë e Papës shtegtar, në gjurmët e miliona njerëzve, që kanë shkelur në Kompostelë gjatë shekujve. Duke i dhënë, me emocion të thellë, përqafimin tradicional Shenjtit, shtoi Papa...
“... mendova se ky gjest mikëpritjeje e miqësie, ishte edhe një mënyrë për të shprehur pranimin e fjalës së tij e pjesëmarrjen në misionin e tij. Një shenjë e fortë e vullnetit për t’u bërë një me mesazhin apostolik i cili, nga njëra anë, na impenjon të jemi rojtarë besnikë të lajmit të Mirë, që transmetuan Apostujt, që nuk u tunduan kurrë për ta ndryshuar, për ta ngushtuar ose për t’ia nënshtruar interesave të tjera; e, nga ana tjetër, vijoi Papa, e shndërron secilin nga ne në lajmëtar të palodhur të fesë në Krishtin, duke na kujtuar se duhet ta dëshmojmë me fjalë e vepra në të gjitha fushat”.
Benedikti XVI i ftoi shtegtarët t’ia hapin gjithnjë më shumë zemrën Zotit, në mënyrë që...
“Të ruhet e të fuqizohet lidhja me trashendenten, me Hyjin, ashtu si edhe dialogu i frytshëm ndërmjet fesë e arsyes, politikës e fesë, ekonomisë dhe etikës, që do të krijojnë kushtet për ndërtimin e një Evrope e cila, besnike ndaj rrënjëve të saj të krishtera, do të mund t’i përgjigjet plotësisht thirrjes e misionit të saj në botë”.
Ati i Shenjtë, me fjalë që shprehnin gjithë admirimin e tij, kujtoi edhe kushtimin e Bazilikës minore të Sagrada Familia, në Barcelonë:
“Kjo vepër e shkëlqyer, e pasur me simbolikë fetare, me gërshetim formash të çmuara, mahnitëse në lojën e dritave e të ngjyrave, gati-gati një skulpturë vigane në gur, fryt i fesë së thellë, i ndjeshmërisë shpirtërore dhe talentit artistik të Antoni Gaudí, na çon në shenjtëroren e vërtetë, në vendin e kultit real, në Qiell, ku Krishti hyri për t’u dukur para fytyrës së Hyjit, në favor tonë”.
Mund të themi, prandaj, se, ndërsa Gaudí punonte për ndërtimin e tempullit, Hyji ndërtonte në zemrën e tij ngrehinën shpirtërore, duke ia fuqizuar fenë e duke e afruar gjithnjë më shumë me Krishtin:
“Në këtë ndërtesë kaq madhështore, ai e vuri gjenialitetin e tij në shërbim të së bukurës. Arkitekti i famshëm e konsideroi këtë punë si mision, për të cilin shkriu gjithë vetveten, duke u lutur, duke agjëruar e duke jetuar në varfëri, sepse vetëm kështu mund të arrinte të shprehte, në realitetin material, misterin e pamatshëm të Hyjit”.
Papa e përfundoi katekizmin me kujtimin e vizitës në “Nen Deu”, kushtuar fëmijëve me kufizime fizike, duke shprehur edhe një herë kënaqësinë për këtë vepër bamirësie.
Më pas i ftoi të gjithë të luten për Ditën Botërore të Rinisë, ku do të jetë i pranishëm verën e ardhshme, përsëri në Spanjë, po këtë herë, në Madrid.

“Mos u lodhni kurrë duke kërkuar Krishtin, duke ia besuar vetveten e duke e kumtuar, me jetën tuaj, në familje e në çdo mjedis, sepse edhe sot njerëzit presin pikërisht këtë nga Kisha”. Janë fjalët e Papës në pjesën e parë të audiencës, mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku u takua me 1 mijë shtegtarë, ardhur nga Karpineto Romano e me 1 mijë e 500 të tjerë, nga Republika Çeke, si dhe me besimtarë të shumtë, që nuk kishin gjetur vende në Sallën e audiencave.
Duke përshëndetur ipeshkvin e Karpineto Romanos, imzot Lorenzo Loppa, Papa kujtoi vizitën e shkurtër, por të ngarkuar me ngjarje, në dioqezën e tij, shtatorin e kaluar, si dhe mikpritjen e përzemërt, që i bëri Kisha vendase.
Kujtimi i kësaj ngjarjeje, plot domethënie kishtare e shpirtërore, uroi Papa Razinger, gjallëroftë dëshirën e të gjithëve për ta thelluar më shumë jetën e fesë, duke ecur në gjurmët e bashkëqytetarit tuaj të ndritur, Papës Leoni XIII, atë i Doktrinës Shoqërore të Kishës, i cili, me veprimtarinë e tij të guximshme, i dha një shtytje të re impenjimit të katolikëve në shoqëri.
Një mijë e pesëqind shtegtarët e Republikës Çeke, Papa i uroi t’ua përcjellin, pa frikë, dëshminë e tyre ungjillore të gjithë njerëzve, edhe atyre, që janë larg nga Kisha, duke u nisur nga kërkimi i vlerave të vërteta njerëzore e shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.