2010-11-10 15:44:24

Nesër, mbledhja e G20-ës në Seul. Ç’luhet në Azi?


(10.11.2010 RV)Një ekonomi më e fortë dhe një kontribut më i madh i SHBA-ve në përmirësimin e gjendjes botërore. Kështu shkruan presidenti amerikan, Barak Obama në letrën për G20-ën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili mbërriti në Seul për të marrë pjesë nesër në mbledhjen e G20-ës, i fton krerët botërorë të bëjnë ç’është e mundur për të sjellë ekuilibrin në treg. Këto ditë, Obama vizitoi Indinë dhe Indonezinë, ndërsa etapa e ardhshme e udhëtimit të tij në Azi do të jetë Japonia. Ndërkaq, vazhdon vizita në Kinë e kryeministrit britanik, Dejvid Kamerun, i cili është takuar me presidentin Hu Jintao. Të dy krerët anglosaksonë kanë në qendër të vizitës së tyre marrëdhëniet ekonomike me vendet aziatike, nga të cilat sheh me interes edhe pjesa tjetër e Evropës. Pse ndodh kjo? Përgjigjet në mikrofonin tonë, eksperti i Azisë lindore, profesor në Universitetin e njohur Bokoni të Milanos, Karlo Filipini:RealAudioMP3
Ka dy arsye: njëra afatgjatë, në kuptimin që Azia, në veçanti Kina, po zhvillohet me shpejtësi dhe po zë vende mbizotëruese në të gjitha fushat e ekonomisë botërore. Arsyeja e dytë është aftashkurtër. Kriza ekonomike i ka dobësuar vendet e Evropës dhe SHBA-të. Një nga rrugëdaljet është rritja e eksportimeve në pjesën tjetër të botës: në këtë çast, Kina dhe vendet e tjera aziatike – për shembull India – duket se janë tregjet më premtuese.
Sipas jush, zhvillimi i vendeve aziatike po sjell ndryshime strukturore në sistemin botëror?
Sigurisht që po. Ekuilibri botëror po zhvendoset. Thuhet se ky do të jetë shekulli i Paqësorit, ashtu siç qe i Atlantikut, ai, që sapo përfundoi. Brenda Azisë, në veçanti në Azinë Lindore, Kina zë vendin e parë, por nuk duhet të harrojmë Indinë, Japoninë – megjithëse duket e dobësuar shumë – Korenë dhe dhjetë vendet e organizatës Asean.
Kriza financiare është ndjerë edhe në Azi, por jo kaq shumë sa në Evropë dhe në SHBA-të. Pse?
Kjo varet natyrisht nga dinamizmi më i madh, nga rritja më e madhe ekonomike e këtyre vendeve; varet edhe nga kontrolli më i madh i autoriteteve monetare, sidomos i atyre qeveritare, mbi ekonominë. Për shembull, monedha kineze nuk mund të kthehet akoma krejtësisht në valutë, prandaj kontrolli i Bankës së Kinës mbi sasinë e monedhës në qarkullim e, në një farë mase, edhe mbi këmbimin e saj është shumë më i fortë se në ekonomitë e tregut. Përveç kësaj, shkaqet specifike, që sollën krizën në SHBA-të – si kreditë që s’paguheshin, problemet bankare dhe obligacionet shtetërore, të themi, të sëmura – nuk ishin të pranishme në asnjë nga vendet aziatike. Megjithatë, në disa, e edhe në Kinë, ekziston rreziku i spekullimit me shitblerjen e pasurive të patundshme.
Po diskutohet për një monedhë të re shkëmbimi tregtar në nivel botëror. Ç’mund të presim në të ardhmen në këtë front?
Fronti vë në dukje menjëherë përpjekjen e shumë vendeve për ta zëvendësuar dollarin, i cili deri tani, është e vetmja monedhë ndërkombëtare. Pikërisht dje u fol për kthimin në standartin me bazë arin. Nga ana tjetër, kemi përpjekjet e dhjetë vendeve të organizatës Asean, pra të Azisë Juglindore, si edhe të Japonisë, Koresë e Kinës, për t’i dhënë jetë një monedhe të ngjashme me euron në Bashkimin Evropian. Ka pastaj, aspekte të tjera plotësuese. Për shembull, manovrat monetare ekspansive të SHBA-ve e kanë dobësuar dollarin e ky është një rezultat i qëllimshëm, për të favorizuar eksportin. Amerikanët, por jo vetëm ata, kërkojnë edhe rivlerësimin e monedhës kineze, të juanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.