2010-11-10 12:38:58

8 vjetori i fillimit të procesit të kanonizimit për lumturimin e 40 martirëve në nivelin e Kishës Shqiptare.


Si sot, 8 vjet më parë, më 10 nëntor 2002, gjatë kremtimit të Meshës në Katedralen e Shkodrës, Prefekti i asaj kohe i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Sepe shpalli fillimin e procesit të kanonizimit për lumturimin e 40 martirëve në nivelin e Kishës Shqiptare.
Vizita e Kardinalit Kreshencio Sepe në Shqipëri më 8 nëntor 2002, na kujton fillimin e procesit dioqezan për lumnimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare, kryesisht viktima të diktaturës komuniste. Kardinali Kreshencio Sepe, asokohe prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, sot kryeipeshkëv i Napolit, arriti në Shqipëri më 8 nëntor 2002.
Veprimtaria e tij e parë ishte kremtimi i Eukaristisë në katedralen e re të Shën Palit në Tiranë, ndërtesë madhështore, që flet vetë e tregon sa hapa të mëdha përpara ka bërë Kisha katolike vetëm pak vjet pasi rifitoi lirinë e filloi periudhën e vështirë të rilindjes. Për këtë kardinali Sepe falënderoi kryeipeshkvin e Durrës-Tiranës, Imzot Rrok Mirditën.
E ishte pikërisht katedralja në qëndër të homelisë që mbajti Kardinali, i cili nuk mund të mos kujtonte, që në fillim, vizitën historike të Atit të Shenjtë Gjon Palit II në Shqipëri, më 25 prill 1993, ditë në të cilën jo vetëm i dhuroi Kishës shqiptare ipeshkvijtë e parë të pas salvimit, por nga Sheshi Skënderbeg i Tiranës, katedralja e parë e bashkësisë katolike kryeqytetase, i drejtoi mbarë shqiptarëve mesazhin e tij të paqes e të pajtimit.
Në vijim të homelisë kardinali Sepe vuri në dukje traditën e bashkëpunimit e të harmonisë fetare në Shqipëri, shembull për të gjithë Ballkanin, dhe e porositi bashkësinë katolike të vijojë ecjen në rrugën e harmonisë ndërfetare.
Më pas kardinali u ndal te katedralja e re e te i Kryqëzuari që sundon pamjen nga elteri i saj i madh, i cili na kujton, njëkohësisht me flijimin e Jezusit, edhe flijmin e martirëve që derdhën gjakun për t'i qëndruar besnikë. E kjo nuk është tragjedi e lashtë - nënvizoi Kardinali - madje besoj se shumë prej të pranishëmve në këtë kremtim, janë dishmitarë pamorë të terrorit të kuq. Prandaj mund të themi me plot gojën se Kisha shqiptare shkruhet me shkronja të mëdha në librin e artë të Martiriologut të shekullit XX. Duke ia ngulur sytë të Kryqëzuarit, nuk duhet t'i harrojmë kurrë fjalët e tij: "Shërbëtori nuk është më i madh se zotëria. Në se më persekutuan mua, do t'ju perskutojnë edhe juve!".
Po tani nata e zezë e komunizmit u davarit e zbardhi agimi i fesë që na fton të ndërtojmë një bashkësi të fortë, ta predikojmë Ungjillin në drejtësi, dashuri e paqe, theksoi Kardinali. Në përfundim kardinali Sepe kujtoi Nënë Terezën, bijë e kësaj toke, që ka arsye të krenohet me të e jo më pak, të ecë në gjurmët e saj të ndritura.
Të nesërmen, më 9 nëntor 2002 paradite, kardinali Sepe shuguroi katedralen e re të Rrëshenit, ndërsa pasdite, Hirësia e tij u takua me prelatët e Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare në Seminarin e madh të Zojës së Këshillit të Mirë në Shkodër, për të kremtuar më pas, lutjet mbrëmësore me rastin e 10-vjetorit të hapjes së këtij Seminari, aq të rëndësishëm për të sotmen e të ardhmen e Kishës në Shqipëri, prej nga tashmë kanë dalë meshtarët e parë vendas të pasdiktaurës.
Më 10 nëntor, ditë e dielë, kardinali udhëhoqi Eukaristinë në katedralen e Shkodrës, duke shpallur fillimin e procesit për beatifikimin e 40 martirëve; pasdite kremtoi në Vaun e Dejës.
Më 11 nëntor ishte radha e Dioqezit të Pultit: kardinali kremtoi Meshën Shenjte në katedralen e Bajzës, ndërsa pasdite u takua me priftërinjtë, rregulltarët e rregulltaret e dioqoezit të Lezhës e të Rrëshenit.Kanë kaluar tetë vjet që atëhere, e gjatë këtyre vjetëve ka ecur përpara procesi i lumnimit të 40 martirëve, hapja e të cilit shënon kulmin e vizitës që përkujtuam sot.
Mbi ecurinë e këtij procesi dhe vlerën shpirtërore që ka ky thesar shpirtëror i dëshmive heroike të martirëve që dhanë jetën dëshmimin e fesë në Krishtin e të dashurisë ndaj atdheut e ndaj popullit, për Radio Vatikanin, shkruan meshtari shqiptar don Gjovani Kokona që mirret me çështjen e 40 martirëve. Ja teksti....
Mund të kemi një martir pa famën e martirizimit?

Martirizimi në Kishë konsiderohet si karizma më e madhe pasi është shenjë e shprehjes supreme dhe heroike të faktorit caritas Christi në jetën e një besimtari. Nga momenti që ngjarja, eventi i martirizimit realizohet në Kishë dhe për Kishën, duhet të ketë pa dyshim edhe një karakter publik. Për këtë arsye Kisha analizon, shqyrton dhe gjykon mbi faktin e martirizimit të një të krishteri dhe ia paraqet bashkësisë së besimtarëve si kujtesë aktuale të Misterit të Krishtit i shfaqur në mënyrë konkrete te ai i krishterë i martirizuar. Është shkaku për të cilin Kisha e ndien veten të thirrur për tu shprehur, për tu pronuncuar, mbi faktin konkret të një martirizimi, dhe në këtë mënyrë kryen një gjest juridik, gjest apo akt që i përket misionit të saj. Në këtë kuptim flitet për një kuptim jo vetëm teollogjik por edhe juridik të martirizimit.

Duke iu kthyer pyetjes së artikullit, pra “nëse mund të kemi një martir pa famën e martirizimit”, mund të themi në një këndvështrim të parë që “po”, pra që mund të kemi; e kjo, duke u nisur nga fakti që një person nëse është martir, është i tillë jo nga përhapja e famës së martirizimit të tij, por nga fakti që ka dhënë jetën për Krishtin, pamvarësisht nëse nga të tjerët mbahet o jo i tillë.

Por në këtë pikë është e mira ti kushtojmë pak vëmendje mësimit të Kardinalit Lambertini, i cili pas zgjedhjes si Papë do të marrë emrin Benedikti XIV, i cili me veprën e tij De servorum Dei beatificatione et Beatorum canonizatione, ka hedhur themelet që shërbejnë edhe sot e kësaj dite në procedurën kanonike për njohjen nga Kisha të martirizimit të një të krishteri.

Lambertini bën një ndarje mjaft të rëndësishme. Ai dallon martirin “përballë Zotit” (martyrium coram Deo) dhe martirin “përballë Kishës” (martyrium coram Ecclesia). Ai bën këtë ndarje apo dallim sepse, siç do ta shohim më tutje, koncepti i martirit në sensin juridik është më i ngushtë sesa ai i sensit teollogjik. Dhe në fakt ndodh që të gjithë martirët “përballë Kishës” janë po ashtu edhe martirë “përballë Zotit”, por mjaft prej martirëve “përballë Zotit” nuk do të shpallen ndonjëherë nga Kisha si martirë, në formën e lumturimit apo shenjtërimit (kanonizimit).

Martiri me aktin e tij suprem të dhurimit të jetës, dëshmon besnikërinë e plotë ndaj Ungjillit. Paskal na kujton që “shembulli i vdekjes së martirëve na prek, sepse ata janë gjymtyrë tonat. Ne jemi të lidhur me ta; vendimmarrjet e tyre mund të kushtëzojnë apo formojnë tonat, jo vetëm për shembullin që na japin, por mbi të gjitha sepse kanë bërë të mundshme edhe tonën, vendim”.
Jeta e martirit është një jetë e dhënë për dashuri! Kaq është sublim akti i martirit saqë, në ato procese në të cilat verifikohet plotësisht martirizimi në aspektin juridik, jipet dispensa nga kushti i mrekullisë, edhe pse normalisht kjo dispensë vlen vetëm për lumturimin, ndërsa është gjithmonë i detyrueshëm plotësimi i këtij kushti përsa i përket kanonizimit.

Por kthehemi akoma tek pyetja fillestare. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje është e nevojshme të sjellim në kujtesë fjalët e Papës së tanishëm, Benedikti XVI, fjalë të cilat ai ia drejton Asemblesë Plenare të Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve më 24 prill 2006. Ndër të tjera ja çfarë thotë Ati Shenjtë: “Çështjet [e kanonizimit] duhet të ndiqen dhe të studiohen me shumë kujdes, duke kërkuar me përkujdesje të madhe të vërtetën historike, nëpërmjet provës së dëshmive dhe asaj të dokumentave ‘omnino plenae’, pasi ato nuk kanë tjetër qëllim veçse lavdin e Zotit dhe të mirën shpirtërore të Kishës dhe të të gjithë atyre të cilët janë në kërkim të së vërtetës dhe të përsosmërisë ungjillore. Barinjtë dioqezanë […] do të vlerësojnë nëse kandidatët drejt nderit të lterit gëzojnë me të vërtetë një famë të qëndrueshme dhe të përhapur shenjtërie dhe mrekullishë apo martirizimi. Një famë të tillë, që Kodi i së Drejtës Kanonike të 1017, në kanonin 2050 § 2, e kërkonte të ishte “spontanea, non arte aut diligentia procurata, orta ab honestis et gravibus personis, continua, in dies aucta et vigens in praesentu apud maiorem partem populi” (spontane, jo e siguruar me ndonjë marifet apo me forcë, buruar nga njerëz të ndershëm dhe të respektueshëm denjësisht, e vazhdueshme, e shtuar dita ditës dhe e qëndrueshme akoma në pjesën më të madhe të popullit), është një shenjë e Zotit që i tregon Kishës ata të cilët meritojnë të vendosen mbi shandan për tu bërë “dritë të gjithë atyre që ndodhen në shtëpi” (Mt 5, 15).

Kongregata për Çështjet e Shenjtërve, në normativën e saj të viti 1983, në artikullin numër 3, vendos që postulatori duhet “bëjë hetimet mbi jetën e shërbëtorit të Zotit […], që të njohë famën e tij të shenjtërisë dhe rëndësinë kishtare të çështjes”. Sepse nuk është e mundshme të fillohet një proces kanonizimi nëse personi nuk gëzon një famë të vërtetë shenjtërie apo martirizimi, apo mrekullishë e po ashtu edhe të një devocioni privat. Edhe Lambertini (Benedikti XIV) kërkonte provat e famës (famae comprobatio). Kjo provë duhet të jetë e vërtetë, reale; do të thotë që duhet të jetë e atillë saqë ti rezistojë kohës.

Fama e shenjtërisë, në përgjithësi, është njohja popullore e shenjtërisë së jetës, të martirizimit apo të mrekullive të një shërbëtori të Zotit, e kjo është edhe bazë e devocionit privat dhe e qëndrueshmërisë së kësaj me kalimin e kohës.
Nëse fama e shenjtërisë apo e martirizimit e ka fillesën shumë vite pas vdekjes së shërbëtorit të Zotit, mund të lind dyshimi që kjo famë të jetë nxitur në mënyrë artificiale nga ana e atyre personave të cilët duan lumturimin e këtij apo atij shërbëtori të Zotit. Në të kundërt, kjo famë duhet të jetë spontane dhe reale që në kohën kur shërbëtori i Zotit ishte akoma gjallë ose menjëherë pas vdekjes së tij. Gjithashtu është e rëndësishme që kjo famë të jetë e qëndrueshme, e pandërprerë dhe biles duke ardhur e duke u shtuar sa më shumë me kalimin e kohës, po ashtu edhe hapësira e saj, e cila duhet të përqafojë një pjesë të mirë të popullsisë, në mos popullsinë në tërësi. Ka raste, siç është edhe ai i shërbëtorëve të Zotit në famë martirizimi në Shqipëri, në të cilat fama e shenjtërisë apo e martirizimit, e fshehtë gjatë periudhës së persekutimit; fuqizohet, konsolidohet dhe përhapet e fuqishme kur persekutimi përfundon. Megjithatë edhe këtu duhet një kujdes sepse nëse i referohemi rastit të Shqipërisë fama në disa shërbëtorë të Zotit normalisht duhet të rezultojë e lindur në momentin e vdekjes nëse kemi parasysh që disa shërbëtorë të Zotit si p.sh. Don Dedë Maçaj, Don Luigj Prendushi, etj., janë pushkatuar jo në fshehtësi por përkundrazi përpara njerëzve të sjellë apostafat për të qenë të pranishëm në vendin dhe momentin e ekzekutimit.

Pra si në rastin e sipërpërmendur, duke qenë se kemi të bëjmë me një proces martirizimi, është e nevojshme dhe e dobishme që të bëhet e njohur, duke filluar nga meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, qëndresa në fe e shërbëtorëve të Zotit në aktin suprem të dhurimit të jetës, dhe të nxiten besimtarët, qoftë laikë qoftë të kushtuar, për ti lutur shërbëtorët e Zotit në mënyrë që çdonjëri prej nesh i frymëzuar nga oferta e tyre e jetës, të mund të përforcohet në fe dhe falë ndërmjetësisë së tyre të mund të ketë secili prej nesh nga Zoti hiret e dobishme që na nevojiten në jetë.
Një famë e tillë shërben edhe për të verifikuar një tjetër element po aq të rëndësishëm në një çështje që është ai i domethënies që kjo çështje ka për Kishën, e sidomos për Kishën vendase.

Fusha kanonistike i ka zgjeruar motivet e shprehura nga Benedikti XIV, motive në bazë të të cilave kandidati për kanonizim duhej të dallohej, duke shtuar edhe të tjera, si për shembull, nevoja e fuqizimit të besimit katolik, devocioni i madh i shërbëtorit të Zotit ndaj Papës, urtësia e spikatur e kandidatit për kanonizim, fuqizimi dhe mbështetja morale dhënë besimtarëve, për shembull, në momente persekutimi. E gjitha kjo është e nevojshme pasi çdo lumturim ve në dukje shenjtërinë e Kishës dhe ngulit përforcimin në fe.

Ky është qëllimi për të cilin është e këshillueshme që të përgatitet një përmbledhje e veçantë apo një konferencë në të cilën duke vënë në dukje kushtet dhe situatat konkrete të Kishës në një dioqezë apo komb të caktuar, të lidhen këto të fundit me jetën e shërbëtorit të Zotit duke dëshmuar kështu mundësinë reale që lumturimi i tij mund të ndikojë te njerëzit e ditëve tona.
Pra, pas kaq sa shprehëm më sipër, mund ta kuptojmë mirë, që përpara se të verifikohet ngjarja e martirizimit, personi martir, persekutori dhe motivi i vërtetë i persekutimit, duhet të verifikojmë nëse shërbëtori i Zotit gëzon apo jo në popull një famë të tillë, famë, e cila, siç e shprehëm edhe më sipër, me kalimin e kohës mund të shtohet duke përfshirë sa më shumë njerëz që të jetë e mundshme, të cilët, falë shembullit të kandidatit për kanonizim, mund të forcohen edhe më shumë në fe për të jetuar kështu bukurinë e Ungjillit dhe një herë të prekur nga kjo bukuri ungjillore të mund ta dëshmojnë me dhurimin e përditshëm të jetës së tyre.

Le të urojmë që edhe 40 shërbëtorët e Zotit në famë martirizimi në Shqipëri të gëzojnë, ashtu siç e meritojnë, famën e martirizimit, të ofertës së tyre të jetës për Krishtin dhe Ungjillin, ndër besimtarë klerikë apo laikë të dioqezave të trevave shqiptare e pse jo edhe më gjerë e këta të fundit duke i lutur këta shembuj të qëndrueshmërisë në fe të dashurohen përherë e më shumë me Kishën e në veçanti me Kishën në Shqipëri e cila në momentet kritike ka ditur të nxjerrë bij e bija të tilla që si pishtarë vazhduan ti ndriçonin rrugën të gjithë njerëzve vullnetmirë, pamvarësisht nga terri i egër që i rrethonte, me dritën e fesë.

Dom Gjovani Kemal Kokona







All the contents on this site are copyrighted ©.