2010-11-09 15:10:45

Sot bie 72 vjetori i ‘Natës së kristaleve’ që shënoi shpërthimin e tmerrit nazist kundër hebrenjve.


Më 8 nëntor 2008, gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI kujtoi 70 vjetorin e shpërthimit të tërbimi nazist kundër hebrenjve, në atë natë që mbeti në histori me emrin ‘Nata e kristaleve’, shprehje e përdorur me tallje nga nazistët për shkak të vitrinave të thyera në 7500 dyqane hebrenjsh. Papa Racinger me këtë rast theksoi me forcë se kjo ngjarje nuk duhet harruar e njerëzimi duhet të bëjë çmos të mos përsëriten kurrë më tmerre të tilla.
Kurrë më tmerre naziste, kurrë më tmerre kundër hebrenjve! Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi pra një nga faqet më të trishtuara të historisë, natën ndërmjet 9 e 10 nëntorit të vitit 1938, kur shpërtheu tërbimi nazist kundër hebrenjve.
Atë natë të llahtarshme u vranë 91 vetë, u bënë rrafsh me tokë 267 sinagoga, u internuan në kampet e vdekjes, 30 mijë hebrenj. Nisi kështu – vijoi të kujtonte Papa – persekutimi sistematik e i egër i hebrenjve gjermanë, që përfundoi në Shoah – apo në shfarosjen e tyre në masë:

“Edhe sot ndjej dhimbje për çka ndodhi në atë rrethanë tragjike, kujtimi i së cilës duhet të shërbejë që tmerre të tilla të mos përsëritën kurrë më e që të impenjohemi, në të gjitha nivelet, kundër çdo forme të antisemitizmit e të diskriminimit, duke edukuar posaçërisht breznitë e reja me frymën e respektit e të mirëkuptimit reciprok. Ju ftoj, veç të tjerash, të luteni për viktimat e asaj kohe e të bashkoheni me mua, për t’i shprehur solidaritet të thellë botës hebraike”.







All the contents on this site are copyrighted ©.