2010-11-09 12:16:08

Reforma e Fondit Monetar ndërkombëtar: më shumë peshë për Kinën, Indinë dhe Brazilin


(09.11.2010 RV)RealAudioMP3 Krerët e Fondit Monetar Ndërkombëtar miratuan të premten e kaluar në Uashington, marrëveshjen për reformimin e institucionit. Parashikohet një rindarje e së drejtës së votës, sipas peshës së ekonomive në zhvillim të vrullshëm, si ajo e Kinës, që bëhet vendi i tretë më i rëndësishëm në drejtimin e Fondit, pas SHBA-ve dhe Japonisë e para Gjermanisë, Francës e Britanisë së Madhe. Këshilli i Fondit do të mbetet me 24 anëtarë, por ekonomitë e zhvilluara të Bashkimit Evropian humbin dy vende. Mbi domethënien e këtyre ndryshimeve, flet në mikrofonin tonë, pedagogu i Politikave të zhvillimit në universitetin e Milanos, Rikardo Moro:
Gjithmonë është denoncuar Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore për mjete vendimarrjeje, që përfaqësonin kryesisht vendet e Veriut të botës dhe përjashtonin të tjerët. Reforma e brendshme e Fondit dhe e Bankës, që quhet “e zërave dhe e votës”, ka filluar vite më parë: ky është, ndoshta, hapi më domethënës, pikërisht sepse i jep një rol më të rëndësishëm Kinës, por edhe vendeve të tjera në zhvillim të vrullshëm. Nga njëra anë, s’ka asgjë për t’u çuditur, sepse kemi të bëjmë me riekuilibrimin e forcave, por, nga ana tjetër, nuk mund të mos vërejmë se më të varfërit mbeten gjithsesi jashtë. Kuotat e Afrikës nuk ndryshojnë shumë e në “dhomën e butonave” – siç thuhet – sëbashku me evropianët e perëndimorët do të jenë më të pranishme Kina, India e Brazili, por sigurisht, jo të fundmit e planetit.
Ç’do të sjellë zhvendosja e influencës drejt ekonomive me zhvillim të vrullshëm?
Ndoshta një proces më demokratik vendimarrjeje. Kriza financiare e vitit 2008 pati ndikim më të madh në Evropë, në Japoni e në Amerikën e Veriut, ndërsa sidomos vendet e Amerikës Latine, por edhe disa nga të Azisë, u treguan më të qëndrueshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka për detyrë, sot më shumë se në të kaluarën, të qeverisë, të kontrollojë e të këshillojë. Është interesant fakti, që ky kontroll nuk është më vetëm në duart e vendeve perëndimore. Loja ka ndryshuar prej vitesh e sigurisht, zgjedhja e presidentit amerikan Obama e kriza e 2008-ës kanë nxjerrë në pah nevojën e rishkrimit të rregullave të saj.
Meqë përmendët Obamën… Ai ndodhet këto ditë pikërisht në Azi, duke u dhënë rëndësi sidomos Kinës e Indisë, pavarësisht se nuk parashikohet ndonjë etapë e vizitës në Pekin. Si e interpretoni këtë vëmendje?
S’ka dyshim se kemi një rritje të vëmendjes amerikane ndaj Azisë, e sidomos ndaj Kinës. Po bëhen përpjekje të jashtëzakonshme që Kina të zhvillojë tregun e brendshëm, që të shesë brenda vendit një pjesë të prodhimeve të saj dhe të ketë një monedhë, që të përfaqësojë më mirë forcat në lojë. Për këtë, SHBA-të po u drejtohen në radhë të parë vendeve të Azisë jugore, pra jo kinezëve, dhe Amerikës Latine. Pas disa vitesh do të shohim rritjen e dukshme të marrëdhënieve tregtare të SHBA-ve me Amerikën e Jugut dhe me pjesën jo kineze të Paqësorit.







All the contents on this site are copyrighted ©.