Komisioni Evropian publikoi Raportin e Progresit për Kosovën, ku theksohet se janë
gjetur përparime të kufizuar në disa fusha, mirëpo krimi i organizuar, korrupsioni,
shpëlarja e parave, politizimi i gjyqësorit, mungesa e lirisë së mediave, vazhdojnë
të konsiderohen shqetësime serioze. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, ka thënë
se kur Kosova të plotësojë kriteret, do të fillojë dialogun me BE-në për liberalizimin
e vizave. Të gjitha këto vlerësimeve janë paraqitur në raportin që Komisioni Evropian
publikoi sot në Bruksel. “Korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe mbetet një
problem shumë serioz”, thuhet në raport. Po ashtu thuhet se korrupsioni vazhdon të
jetë i pranishëm në nivele të larta dhe si i tillë është shqetësim serioz. Në këtë
drejtim, Raporti i progresit i Komisionit Evropian përmend faktin se ka mospërputhje
të madhe të të ardhurave të zyrtarëve dhe pasurisë së tyre. Komisioneri për Zgjerim,
Stefan Fule, duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian, tha se ky proces është
në interes të vet këtij unioni. Ai përmendi kushtet rigoroze për procesin e zgjerimit
në përgjithësi dhe kredibilitetin si pika esenciale për procesin e zgjerimit. Ndërkaq,
për Kosovën tha se procesi i decentralizimit ka shënuar progres, mirëpo vazhdojnë
të mbesin sfida politike. Sipas tij, qeveria e Kosovës ka ngritur kapacitetet e saj
në zbatimin e agjendës evropiane. Megjithatë, sfidat më të mëdha, tha ai, janë në
reformën e administratës publike dhe sundimin e ligjit.
“Menjëherë pasi Kosova
të implementojë Strategjinë për riatdhesimin dhe riintegrimin e të kthyerve, Komisioni
Evropian është i përkushtuar që së shpejti të nisë dialogu për liberalizimin e vizave”,
tha Fule, raporton e dërguara jonë në Bruksel, Besnike Salihu. Në Raportin e Progresit,
Kosova kritikohet edhe për progres të pamjaftueshëm në luftë kundër trafikimit të
drogës, ndërkaq Komisioni po ashtu shpreh shqetësim edhe për problemin e shpëlarjes
së parave. Financimi i partive politike thuhet se nuk është në përputhje të plotë
me standardet e Bashkimit Evropian, ndërkaq shqetësime serioze konsiderohen prokurimi
publik, gjyqësori dhe sistemi i zbatimit të ligjit. “Ndikimi politik në procesin
e ri-emërimit dhe propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës është një çështje serioze
shqetësuese”, thuhet në raport, ndërsa në përgjithësi thuhet se performanca e sistemit
gjyqësor kosovar mbetet e dobët. Në këtë drejtim përmendet edhe veriu i Kosovës, me
ç’rast thuhet se sundimi i ligjit në veri nuk është plotësisht i garantuar.Në raport
kritikohet edhe fusha e lirisë së medieve. Përveç shqetësimeve që prezantohen në
raport, po ashtu shënohen edhe disa përparime. Në raport thuhet se Kosova ka shënuar
përparim në integrimin e pakicave, por shton se puna edhe këtu duhet të vazhdojë.
Përparim shënohet edhe në qeverisjen lokale. “Ka pasur pak progres në reformën
e qeverisjes lokale. Kosova ka shënuar progres në fushën e decentralizmit…”, thuhet
ndër të tjera në raportin e Komisionit Evropian. /nga Telegrafi/