2010-11-09 14:45:25

Kalendari kishtar me 9 nëntor përkujton shugurimin e Bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, në Romë.


(09.11.2008 RV)Në aktet e martirizimit të Shën Justinit e shokëve të tij, shkruhet: “Pyeti atëherë prefekti Rustiko: ‘Ku mblidheni?”. Justini u përgjigj: “Ku mundemi e ku na pëlqen; ti kujton se ne mblidhemi të gjithë në të njëjtin vend, por nuk është ashtu, sepse Zoti i të krishterëve, që është i padukshëm, nuk mund të mbyllet në një vend të vetëm; Ai mbush përplot qiellin e tokën, prandaj nderohet e lumnohet kudo nga ata që besojnë në Të”. Duke dhënë këtë përgjigje të guximshme, Shën Justini përsëriste para gjykatësit, atë që Jezusi ia kishte thënë Samaritanes: “Më beso mua, grua, po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jeruzalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në vertetësi” (Gjn. 4, 21-24).
Festa e sotme, që na kujton ditën kur Bazilika e Lateranit iu kushtua Shëlbuesit, sigurisht që nuk i kundërvihet dëshmisë së Shën Justinit, e aq më pak Fjalës së Krishtit. Pa harruar se i krishteri e ka për detyrë të lutet kudo e kurdoherë, që në kohët e para të krishterimit u ndje nevoja për t’u mbledhur në vende ku besimtarët mund të luteshin, të shpallnin Fjalën e Zotit dhe të rijetonin së bashku vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, duke vënë në jetë fjalët e Tij: “Merrni e hani të gjithë; merrni e pini të gjithë; bëjeni këtë në përkujtimin tim!”
Fillimisht këto takime bëheshin ndër shtëpi private, edhe sepse Kisha nuk njihej nga autoritet perandorake. Por kjo njohje do të arrihej shumë shpejt e bashkë me të, do të fillonte edhe ndërtimi i vendeve të kultit të krishterë, ndërmjet të cilëve, tempujt më madhështorë të krishterimit: Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, e Shën Pjetrit në Vatikan, e Shën Palit në Ostiense dhe e Shën Marisë së Madhe në Eskuilin, që të gjitha në Romë.
Bazilika e Lateranit në Romë u themelua nga Papa Melkiadhi (311-314) në trojet e dhuruara nga perandori Kostandin pranë Pallatit Lateranens, asokohe seli perandorake, më pas seli papnore. Lindte kështu ‘Kisha nënë e të gjitha kishave të Romës e të Botës’. Më pas bazilika u shkatërrua disa herë e disa herë edhe u rindërtua. Në këtë Kishë dhe në Pallatin Lateranens (sot seli e Vikariatit të Romës) u kremtuan pesë koncile, përkatësisht në vitet 1123, 1139, 1179, 1215 e 1512.
Bazilika e Shën Gjonit në Lateran, simbol i fesë të të krishetrëve të shekujve të parë, që kishin nevojë të mblidheshin në një vend të përbashkët e të shuguruar për të kremtuar Fjalën e Zotit dhe Misteret e Shenjta, mbetet simbol i të krishterëve të të gjitha kohërave, pa harruar se tempulli i gjallë e i vërtetë i Hyjit duhet të jemi ne vetë”.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Kushtimit të Basilikës së Lateranit

Leximi i parë (1 Mbr 8, 22-23. 27-30)

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, Salomoni qëndroi para lterit të Zotit në praninë e mbarë bashkësisë së Izraelit, i shtriu duart e veta drejt qiellit dhe tha: “O Zot, Hyji i Izraelit! Nuk ka Hyj të ngjashëm me ty as lart në qiell, as poshtë mbi tokë! Ti e mban besëlidhjen dhe e ruan mëshirën për shërbëtorët e tu që ecin në praninë tënde me gjithë zemër.
Dhe njëmend a mund të merret me mend se Hyji banon mbi tokë me të vërtetë? Qielli vetë e qiejt e qiejve ty nuk mund të të zëjë! Aq më pak kjo shtëpi që unë ta ndërtova! Por, vëri veshin uratës së shërbëtorit tënd dhe lutjeve të tija, o Zot, Hyji im! Dëgjo britmën dhe uratën që shërbëtori yt po e drejton sot para teje! Le të jenë natë e ditë sytë e tu të çelur mbi këtë shtëpi, mbi vendin, për të cilin the: ‘Këtu do të jetë emri im!’ Dëgjoje uratën që po ta bën shërbëtori yt në këtë vend!
Denjohu ta plotësosh uratën e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd Izraelit: për çkado që të kërkojnë me uratë në këtë vend. Dëgjo prej vendit ku banon, prej qiellit: dëgjo e fal!”

Fjala e Zotit

Psalmi 95

Ejani ta adhurojmë Zotin, Shëlbuesin tonë!
-----
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!

-----
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti,
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës,
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti: ai e krijoi,
duart e tija e formuan tokën.

-----
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.

Leximi i dytë (1 Pjt 2, 4-9)

Lexim nga Letra e Parë e shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Krishtit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin. Këndej thuhet në Shkrim shenjt: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!”
Për ju, pra, që besoni, nder; kurse për ata që nuk besojnë, “gur që përbuzën ndërtuesit, u bë gur i këndit.” E “gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.” Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. Porse ju jeni “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.”

Fjala e Zotit

Ungjilli (Gjn 4, 19-24)

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, gruaja Samaritane i tha Jezusit: “Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet të bëhet adhurimi.” Jezusi i tha: “Më beso mua, o grua: po vjen koha, kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që s’e njihni, ne adhurojmë atë që e njohim, sepse shëlbimi vjen prej judenjve. Por po vjen koha – e tani është! – kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë, sepse Ati kërkon shi adhurues të tillë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”
Fjala e Zotit

Sot është festa e Shugurimit të Bazilikës së Lateranit. Kremtimi i shugurimit të Kishës në liturgji kuptohet si festë e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse çdo kishë i kushtohet para së gjithash Jezu Krishtit. Prandaj liturgjia e kësaj feste ka përparësi para liturgjisë së të dielës. Për këtë arsye edhe leximet e meshës dhe lutjet sot i kemi marrë prej festës së kushtimit të kishës.
Përvjetori i kushtimit të bazilikës, të cilën e ka ndërtuar perandori Konstantin mbi kodrën e Lateranit në Romë, që nga shekulli XII. kremtohej më 9 nëntor. Fillimisht kjo ishte festë vetëm për qytetin e Romës. Më vonë kremtimi u shtri në të gjitha Kishat e ritit romak për të nderuar bazilikën e quajtur “kisha – nënë dhe kryet e të gjitha kishave të Qytetit (të Romës) dhe të botës”, dhe si shenjë dashurie dhe bashkimi ndaj katedrës së shën Pjetrit apostull, që, sipas shën Ignacit të Antiokisë, “e udhëheq të gjithë bashkësinë e dashurisë”.
Në shekullin 16. është ndërtuar bazilika e re e shën Pjetrit, mbi varrin e kryeapostullit shën Pjetr në Vatikan, kështu që sot kjo Kishë Bazilikë është simbol bashkimi i besimtarëve të krishterë. Megjithatë festa e Shugurimit të Bazilikës së Lateranit na nxit të mendojmë jo vetëm për Kishat tona materiale prej ndërtese, që i kemi lartuar për ta nderuar në to Zotin, të cilin nuk mund ta përfshijnë as qielli e toka së bashku, e jo më një vepër e duarve të njeriut – por edhe më tepër kjo na nxit të meditojmë për Kishën e Krishtit, bashkësinë e besimtarëve, të cilën e ka ndërtuar vetë i madhi Zot, që të jetë banesë e denjë shpirtërore për Hyjin e gjallë, i cili nuk banon në ndërtesa guri, por në shpirtra të besimtarëve të vet.
Origeni thotë: Sikurse nga gurët materialë, që në themel vendosen ata që janë më të fortët dhe më të qëndrueshëm, që të mund t’u besohen atyre dhe mbi ta të vihet pesha e tërë ndërtesës, kështu ndodh edhe me gurët e gjallë: disa prej tyre janë të vendosur në themelin e ndërtesës shpirtërore. Cilët janë këta gurë të vendosur në themel? “Apostujt dhe profetët”. Vërtet, kështu mëson shën Pali: “Jemi të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi” (Ef 2, 20).
Shën Augustini na shpjegon se si bëhemi ne banesë e Hyjit, tempull i tij:
»Kushtimi i shtëpisë së lutjes është festa e bashkësisë sonë. Kjo ndërtesë është bërë shtëpia e kultit tonë. Por, ne vetë jemi shtëpia e Hyjit. Ndërtohemi në këtë botë dhe do të kushtohemi vetëm në fundin e shekujve. Shtëpia, ose më mirë të themi ndërtesa, kërkon mund. Porse kushtimi bëhet me gëzim.
Ajo që ndodhte këtu derisa ndërtohej kjo shtëpi, përtërihet kur besimtarët mblidhen në Krishtin. Me anë të fesë ata bëhen material i gatshëm për ndërtim ashtu si kur prehen pemët dhe gurët në male dhe në bjeshkë. Kur të katekizohen, të pagëzohen, të formohen, janë porsi të latuar, të gdhendur, të lëmuar në duart e ndërtuesve.
Megjithatë nuk bëhen shtëpia e Hyjit vetëm se kur janë të bashkuar në dashuri. Nëse këta drurë dhe këta gurë nuk puthiten së bashku me një lloj rregulli, nëse nuk lidhen me harmoni, nëse duke u lidhur mes tyre në një farë mënyrë nuk do të donin njëri-tjetrin, asnjëri prej tyre nuk do të hynte në këtë shtëpi. Dhe në të vërtetë, kur të shohësh në ndonjë ndërtesë gurë dhe drurë të lidhur mirë, ti hyn i sigurt dhe nuk ke frikë se ajo do të shembet.
Duke dashur, pra, Krishti Zot të hynte dhe të banonte në ne, gati në çastin e ndërtimit thoshte: “Po ju jap një urdhër të ri” (Gjn 13, 34). Ishit plakur dhe nuk më ndërtonit ende një shtëpi, por rrinit të shtrirë në gërmadhat tuaja. Për këtë arsye, për t’ju shpëtuar nga shkatërrimi i gërmadhave tuaja, duajeni njëri tjetrin. ...
Pra, çka këtu shohim të realizuar materialisht në mure, le të bëhet shpirtërisht në shpirtra; dhe ajo që shohim të përmbushur në gurë dhe në drurë, le të përmbushet në trupat tuaj me anë të hirit të Zotit.«
Secili besimtar është tempull i Shpirtit Shenjt, tempull i Zotit, por sidomos krejt Kisha si bashkësi është tempull i Hyjit, vendbanimi i pëlqyeshëm për Zotin tonë. Por që të bëhet gjithnjë e më i bukur, më i çmueshëm, më i shenjtë dhe më i pëlqyeshëm për Hyjin tonë – ne duhet dita ditës të formohemi, të pastrohemi, të shenjtërohemi dhe të përsosemi në dashuri të ndërsjellë me njëri-tjetrin dhe me Kishën e gjithmbarshme.
Po të ishim të përçarë ndër vete, do ta shkatërronim tempullin e Zotit – e ne jemi të ftuar që ta ndërtojmë, e jo ta shkatërrojmë. Për këtë arsye edhe festojmë këtë festë të Kushtimit të Bazilikës së Lateranit – si simbol bashkimi, si dëshmi të dashurisë së gjallë të krejt Kishës me Kishën e Romës në krye me papën, të cilin vetë Jezu Krishti e ka vendosur në themel të Kishës së vet, që të jetë një e vetme, e lidhur në mënyrë të pandashme me lidhje të pashkatërrueshme të dashurisë vëllazërore.

nga Atë Ilija Kovaçeviç OFM, Gjakovë







All the contents on this site are copyrighted ©.