2010-11-08 16:15:37

Sot më 8 nëntor kalendari Kishtar përkujton të Lumin Gjonin Duns Skot.


I Lumi Gjon Duns Skot, teolog i famshëm mesjetar, lindi në vitin 1265 në Skoci, prej nga mori edhe llagapin (mbiemrin) Skot, apos skocez. Rreth vitin 1280 hyri në Urdhrin Françeskan, ndërsa meshtar i shugurua nga ipeshkvi i Linkolnit në vitin 1291. Studioi për shumë vjet në Universitetin e Kembrixhit e në atë të Parisit.
Mësues i madh i teologjisë, i quajtur “mendimtar i së ardhmes” nga filozofi gjerman Martin Heidegger, Duns Skot mund të krahasohet me shën Tomën e Akuinit e me shën Bonaventurën. Qëllimi i tij ishte të realizonte një sintezë të filozofisë e të teologjisë. Me bindje për epërsinë e dashurisë mbi njohjen e lirinë, i LumiGjoni Duns Skot e paraqet teologjinë si shkencë praktike, shkencë që i prin njeriut drejt dashurisë. I mbiquajtur “doktor subtilis” – “dijetar i hollë” për mprehtësinë e tij gjeniale dhe “doktor marianus” – “dijetar marian” për devocionin që pati ndaj Zojës së Bekuar të Papërlyer, zënies pa faj të së cilës i kushtoi një nga veprat e veta më të rëndësishme. Vdiq më 8 nëntor të vitit 1308 në Këln të Gjermanisë. Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumtur më 20 mars 1993 duke e quajtur “këngëtar të Fjalës së Mishëruar e mbrojtës të të Zënit të Papërlyer të Marisë. Trupi i tij pushon në kripten e Kishës së fretërve të vegjël në Këln.
Papa Benedikti XVI flet për Gjon Duns Skot e thotë në audiencë e përgjithshme të 7 korrikut 2010. Populli i Zotit është magjistër që paraprin teologjinë.
(07.07.2010 RV)Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme të 7 korrikut 2001 pohoi: "besnikëria ndaj Krishtit mund të paguhet me armiqësi e persekutime". Historia e krishterë ka pasur gjithnjë njerëz besnikë ndaj Kishës e ndaj Papës, pavarësisht nga persekutimet. Një nga këto dëshmitarë ishte teologu i famshëm mesjetar, Gjon Duns Skoti, të cilit Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin e audiencës së përgjithshme të paradites së sotme, mbajtur në Sallën e Palit VI në Vatikan. Pasdite Papa u nis për në Kastel Gandolfo, ku gjatë korrikut do të kremtojë vetëm lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke i ndërprerë të gjitha veprimtaritë e tjera.

Ëndrra e madhe e njerëzimit të të gjitha kohëve, quhet Liri! Është vlerë, që kërkohet e emfatizohet, posaçërisht në epokën moderne, u kujtonte një vit më parë Papa seminaristëve të Romës. Po ç’mund të themi për kufijtë e kësaj ëndrre të bukur, për të cilën luftuan njerëz të panumërt gjatë shekujsh, duke i kushtuar gjithçka, deri në flijimin e vetvetes? Papa shpjegoi se teologu skocez i shekullit të 13-të, Gjon Duns Skot, pati sqaruar një pikë, që shqetësonte prej kohe mendjen e intelektualëve: liria, pohoi, është cilësi themelore e vullnetit njerëzor, që megjithatë do të mbetej e paplotë, në se do të absolutizohej e nuk do t’ia vinte veshin zërit të Zotit:
“Historia moderne, ashtu si përvoja jonë e përditshme, na mëson se liria është autentike e ndihmon për ndërtimin e një qytetërimi të mirëfilltë njerëzor, vetëm kur përkon me të vërtetën. Në se shkëputet nga e vërteta, liria bëhet tragjikisht parim i shkatërrimit të harmonisë shpirtërore të njeriut, burim i shpërdorimeve të njerëzve më të fortë e më të dhunshëm e shkak vuajtjesh për të gjithë”.
ndërsa, vërejti Benedikti XVI, liria , ashtu si të gjitha vetitë, me të cilat është i pajisur njeriu…:
“Rritet e përsoset, pohon Duns Skoti, kur njeriu e pranon Fjalën e Zotit, duke e vlerësuar mundësinë për ta dëgjuar zërin e tij: kur ne ia vëmë veshin Zbulesës hyjnore, kur e dëgjojmë Fjalën e Zotit, për t’ia hapur, pastaj zemrën, atëherë në shpirtin tonë arrin një mesazh, që e mbush me dritë e me shpresë jetën tonë e na bën me të vërtetë të lirë”.
Duke reflektuar për një episod nga jeta e Duns Skotit, që pranoi më mirë të merrte udhën e hidhur të mërgimit, sesa të nënshkruante një dokument armiqësor kundër Papës, siç pretendonte mbreti Filipi i Bukur, Benedikti XVI arriti në këtë përfundim:
“Të dashur vëllezër e motra, ky fakt na fton të kujtojmë se shpesh herë, në historinë e Kishës, besimtarët u panë me sy të shtrembër e madje edhe u persekutuan për shkak të besnikërisë e të devocionit të tyre ndaj Krishtit, ndaj Kishës e ndaj Papës. Ne të gjithë i shikojmë me admirim këta të krishterë, që na mësojnë ta ruajmë si pasurinë më të çmuar, besimin në Krishtin, bashkimin me pasardhësin e Pjetrit e me Kishën universale”.
Benedikti XVI foli gjatë për cilësitë intelektuale të Duns Skotit, falë të cilave në kohën e tij meritoi, epitetin “Dijetar i hollë”, e në kohë më të reja, “Këngëtar i Fjalës së Mishëruar e mbrojtës i Zojës së Papërlyer”. Kështu e quajti Papa Gjon Pali II, kur e shpalli të Lum, në vitin 1993. Në rastin e parë, Duns Skoti arriti në një përfundim krejt të padëgjuar: “Krishti, pati thënë, do të ishte bërë njeri edhe sikur njerëzimi të mos kishte mëkatuar”. Me fjalë të tjera, vërejti Benedikti XVI:
“Duns Skoti, ndonëse i vetëdijshëm se Krishti na shpërbleu me Mundimet, Vdekjen e Ringjalljen e tij për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, pohon se Mishërimi është vepra më e madhe e më e bukur e gjithë historisë së shëlbimit e se ajo nuk u kushtëzua nga asnjë fakt i caktuar”.
Njëlloj i thellë, argumenti lidhur me mbrojtjen të Zënies së Papërlyer të Marisë, mbi të cilin, 500 vjet më pas, do të mbështetej Piu IX për të formuluar dogmën. Mbi Marinë, shpjegoi Duns Skot, veproi “Shëlbimi mbrojtës”: Nëna ishte kryevepra e Shëlbimit, të realizuar nga Biri e, prandaj, u mbrojt nga mëkati i rrjedhshëm. Kjo intuitë sublimonte, tha Papa, atë që njerëzit e besonin vetvetiu për Virgjërën Mari. E ky fakt e nxiti Benediktin XVI për një reflektim të ri, lidhur me punën e teologëve e me respektin që duhet të kenë për ndjenjat fetare të njerëzve të thjeshtë:
“Populli i Zotit u paraprin teologëve e kjo, falë ndjenjave të mbinatyrshme fetare, domethënë falë ndikimit të Shpirt Shenjt, që e frymëzon të rrokë realitetin e fesë me përvujtërinë e zemrës e të mendjes. Në këtë kuptim, Populli i Zotit është ‘magjisteri që paraprin” e që, më pas, duhet thelluar e duhet pranuar intelektualisht nga teologjia. Uroj, tha Papa, që teologët t’ia venë mirë veshin këtij burimi të fesë dhe të ruajnë thjeshtësinë e përvujtërinë e të vegjëlve”.
I Lumi Duns Skot, përfundoi Papa, na mëson se gjëja më themelore në jetën tonë është të besojmë se Zotin e kemi pranë, se na do në Jezu Krishtin. Duhet kultivuar, prandaj, një dashuri e thellë për Jezusin e për Kishën e tij:
“Ashtu si në Manilë Papa Pali VI, edhe unë sot dëshiroj të ngre zërin, që të më dëgjojë gjithë bota: Krishti është ai, që na dëfton Hyjin e padukshëm(..) është themeli i çdo gjëje; ai është Mësuesi i njerëzimit, është Shëlbuesi (…). Ai është qendra e historisë dhe e botës; është Ai, që na njeh e na do; Ai është shoku e miku i jetës sonë… Unë s’di të mbaroj, kur nis të flas për Të”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME e Benediktit XVI në sallen Pali VI Vatikan e mërkurë, 7 korrik 2010

Gjon Duns Skot

Të dashur vëllezër e motra,

këtë mëngjes – pas disa katekezash mbi teologë të ndryshëm të mëdhenj – dua t’ju paraqes një figurë tjetër të rëndësishme në historinë e teologjisë: bëhet fjalë për të lumin Gjon Duns Skot, që ka jetuar në fund të shekullit XIII. Një shkrim i hershëm mbi varrin e tij përmbledh koordinatat gjeografike të biografisë së tij: “Anglia e pranoi; Franca e arsimoi; Këlni, në Gjermani, ruan reliket e tij; në Skoci ai lindi”. Nuk mund t’i lëmë pas dore këto informata, edhe sepse kemi shumë pak njohuri mbi jetën e Duns Skotit. Ai lindi, sipas gjasave, në vitin 1266 në një fshat, që quhej pikërisht Duns, në afërsi të Edimburgut. I tërhequr nga karizma e shën Françeskut të Asizit, hyri në Familjen e Fretërve minorë, dhe në vitin 1291, u shugurua meshtar. I pajisur me një inteligjencë të shkëlqyer dhe të prirur nga spekulimi – ajo inteligjencë e cila bëri që tradita t’i jepte titullin Doctor subtilis, “Doktor i hollë” – Duns Skoti u drejtua nga studimet e filozofisë dhe të teologjisë pranë Universiteteve të njohura të Oksfordit dhe të Parisit. Pasi e përfundoi formimin e vet me sukses, ndërmori mësimdhënien e teologjisë në Universitetet e Oksfordit dhe të Kembrixhit, dhe pastaj të Parisit, duke filluar të komentojë, sikurse të gjithë Mësuesit e kohës, Sentencat e Pjetër Lombardos. Veprat kryesore të Duns Skotit paraqesin pikërisht frytin e pjekur të këtyre mësimeve, dhe e marrin titullin prej vendeve në të cilat ai dha mësim: Opus Oxoniense (Oksford), Reportatio Cambrigensis (Kembrixh), Reportata Parisiensia (Paris). Nga Parisi u largua atëherë kur, pasi shpërtheu një konflikt i rëndë mes mbretit Filipi IV i Bukuri dhe Papës Bonifaci VIII, Duns Skoti parapëlqeu mërgimin vullnetar veç për të mos firmosur një dokument që ishte kundër Papës, sikurse mbreti u kishte urdhëruar të gjithë rregulltarëve. Kështu – për dashuri ndaj Selisë së Pjetrit –, së bashku me Fretërit françeskanë, u largua nga aty.

Të dashur vëllezër e motra, ky fakt na fton të kujtojmë sa herë, në historinë e Kishës, besimtarët kanë ndeshur në armiqësi dhe madje kanë pësuar përndjekje për shkak të besnikërisë së tyre dhe të devotshmërisë së tyre ndaj Krishtit, ndaj Kishës dhe ndaj Papës. Ne të gjithë i shikojmë me admirim këta të krishterë, që na mësojnë ta ruajmë si një pasuri të çmuar fenë në Krishtin dhe bashkimin me Pasardhësin e Pjetrit, e, kështu, me Kishën e gjithëmbarshme.

Megjithatë, marrëdhëniet mes mbretit të Francës dhe pasardhësit të Bonifacit VIII shpejt u bënë përsëri miqësore, dhe në vitin 1305 Duns Skoti mundi të kthehej në Paris për të dhënë mësim aty teologjinë me titullin Magister regens, që sot do të quhej profesor i rregullt. Më pas, Eprorët e dërguan në Këln si profesor të Studimit teologjik françeskan, por ai vdiq më 8 nëntor 1308, kur ishte vetëm 43 vjeç, duke lënë, sidoqoftë, një numër të konsiderueshëm veprash.

Për arsye të namit të shenjtërisë që ai gëzonte, kulti i tij u përhap shumë shpejt në Urdhrin françeskan dhe i Nderuari Papa Gjon Pali II dëshiroi ta shpallte solemnisht të lumë më 20 mars 1993, duke e përkufizuar: “këngëtar të Fjalës së mishëruar dhe mbrojtës të të Zënit të Papërlyer”. Në këtë shprehje është përmbledhur ndihmesa e madhe që Duns Skoti i ka dhënë historisë së teologjisë.

Para së gjithash, ai ka medituar mbi Misterin e Mishërimit dhe, në ndryshim prej shumë mendimtarëve të krishterë të kohës, ka mësuar se Biri i Hyjit do të ishte bërë njeri edhe sikur njerëzimi të mos kishte mëkatuar. Ai pohon në “Reportata Parisiensa”: “Të mendosh se Hyji do të kishte hequr dorë nga kjo vepër nëse Adami nuk do të kishte mëkatuar, do të ishte krejtësisht e paarsyeshme! Pra, them se rënia nuk ka qenë shkaku i paracaktimit të Krishtit, dhe se – edhe nëse askush nuk do të kishte rënë në mëkat, as engjëlli as njeriu – në këtë hipotezë Krishti përsëri do të kishte qenë i paracaktuar në të njëjtën mënyrë” (në III Sent., d. 7, 4). Ky mendim, ndoshta pak befasues, lind sepse për Duns Skotin Mishërimi i Birit të Hyjit, i projektuar që prej amshimit nga ana e Hyjit Atë në planin e tij të dashurisë, është plotësim i krijimit, dhe ia bën të mundur çdo krijese, në Krishtin dhe nëpërmjet Tij, që të jetë e mbushur me hir, dhe t’i japë lavd e nder Hyjit në amshim. Duns Skoti, megjithëse i vetëdijshëm se, në realitet, për shkak të mëkatit të rrjedhshëm, Krishti na ka shpërblyer me Mundimet, Vdekjen dhe Ngjalljen e vet, thekson se Mishërimi është vepra më e madhe dhe më e bukur e gjithë historisë së shëlbimit, dhe se ai nuk është i kushtëzuar nga asnjë fakt kontingjent, por është ideja origjinale e Hyjit për ta bashkuar më në fund gjithë botën e krijuar me vetveten në personin dhe në trupin e Birit.

Nxënës besnik i shën Françeskut, Duns Skotit i pëlqente të sodiste dhe të predikonte Misterin e Mundimeve shëlbimprurëse të Krishtit, shprehje e dashurisë së pafundme të Hyjit, i Cili i komunikon me bujari tejet të madhe jashtë vetvetes rrezet e mirësisë së Vet dhe të dashurisë së Vet (krh. Tractatus de primo principio, c. 4). Dhe kjo dashuri nuk zbulohet vetëm në Kalvar, por edhe në Eukaristinë e Shenjtë, për të cilën Duns Skoti kishte shumë devotshmëri dhe të cilën ai e shihte si Sakramentin e pranisë reale të Jezusit dhe si Sakrament të njësisë e të bashkimit që na bën ta duam njëri-tjetrin dhe ta duam Hyjin si të Mirën më të Madhe të përbashkët (krh. Reportata Parisiensia, in IV Sent., d. 8, q. 1, nr. 3).

Të dashur vëllezër e motra, ky vizion teologjik, shumë “kristocentrik”, na hap ndaj soditjes, ndaj mrekullimit dhe ndaj mirënjohjes: Krishti është qendra e historisë dhe e kozmosit, është Ai që i jep kuptim, dinjitet dhe vlerë jetës sonë! Sikurse në Manila Papa Pali VI, edhe unë sot do të doja t’i thërrisja botës: “[Krishti] është zbuluesi i Hyjit të padukshëm, është i parëlinduri i çdo krijese, është themeli i çdo gjëje; Ai është Mësuesi i njerëzimit, është Shëlbuesi; Ai ka lindur, ka vdekur, është ngjallur për ne; Ai është qendra e historisë dhe e botës; Ai është Ai që na njeh dhe na do; Ai është shoku dhe miku i jetës sonë... Unë nuk do të mbarojë kurrë së foluri për Të” (Homelia, 29, nëntor 1970).

Jo vetëm roli i Krishtit në historinë e shëlbimit, por edhe ai i Marisë është objekt i reflektimit të Doctor subtilis-it. Në kohët e Duns Skotit pjesa më e madhe e teologëve i parashtronte një kundërshtim, që dukej i pakapërcyeshëm, doktrinës sipas të cilës Maria tejet e shenjtë qe ruajtur prej mëkatit origjinal që prej momentit të parë të ngjizjes së saj: faktikisht, universaliteti i Shëlbimit të bërë prej Krishtit, në shikim të parë, mund të dukej si e dëmtuar prej një pohimi të tillë, a thua se Maria nuk kishte pasur nevojë për Krishtin dhe për shëlbimin e tij. Prandaj teologët i kundërviheshin kësaj teze. Atëherë Duns Skoti, për ta shpjeguar këtë ruajtje prej mëkatit origjinal, zhvilloi një argument që pastaj do të merret edhe prej të lumit Papa Piu IX në vitin 1854, kur shpalli solemnisht dogmën e Të Zënit të Papërlyer të Marisë. Dhe ky argument është ai i “Shëlbimit paraprak”, sipas të cilit Të Zënit e Papërlyer përfaqëson kryeveprën e Shëlbimit të bërë prej Krishtit, sepse pikërisht fuqia e dashurisë së tij dhe e ndërmjetësimit të tij ka bërë që Nëna të ruhej prej mëkatit origjinal. Pra, Maria është tërësisht e shëlbuar prej Krishtit, por që prej ngjizjes. Françeskanët, bashkëvëllezërit e tij, e pranuan dhe e përhapën me entuziazëm këtë doktrinë, dhe teologë të tjerë – shpesh me një betim solemn – u angazhuan ta mbronin dhe ta përsosnin atë.

Në lidhje me këtë, do të doja të vija në dukje një të dhënë, që më duket e rëndësishme. Teologë me vlerë, sikurse Duns Skoti, rreth doktrinës së Të Zënit të Papërlyer, me ndihmesën e tyre specifike të mendimit e kanë pasuruar atë që Populli i Zotit besonte në mënyrë të vetëvetishme për sa i përket Virgjërës së Lume, dhe e shfaqte në veprat e devotshmërisë, në shprehjet e artit dhe, në përgjithësi, në jetën e krishterë. Kështu feja qoftë në Të Zënit e Papërlyer, qoftë në Ngjitjen trupore të Virgjërës ishte tashmë e pranishme në Popullin e Zotit, ndërsa teologjia ende nuk e kishte gjetur çelësin për ta interpretuar atë në tërësinë e doktrinës së fesë. Pra, Populli i Zotit u paraprin teologëve dhe e gjithë kjo falë atij sensus fidei mbinatyror, pra falë asaj aftësie të dhënë prej Shpirtit Shenjt, që na aftëson ta përqafojmë realitetin e fesë, me përvujtërinë e zemrës dhe të mendjes. Në këtë kuptim, Populli i Zotit është “magjister që paraprin”, dhe që pastaj duhet të thellohet dhe të pranohet intelektualisht nga teologjia. Qoftë gjithmonë e mundur për teologët që të vihen në dëgjim të këtij burimi të fesë dhe ta ruajnë përvujtërinë e thjeshtësinë e të vegjëlve! E kisha kujtuar këtë disa muaj më parë duke thënë: “Ka dhanti të ditur të mëdhenj, specialistë të mëdhenj, teologë të mëdhenj, mësues të fesë, që na kanë mësuar shumë gjëra. Kanë depërtuar në hollësi në Shkrimin e Shenjtë... por nuk kanë mundur ta shohin vetë misterin, thelbin e vërtetë... Thelbësorja ka mbetur e fshehur! Ndërsa, ka edhe në kohën tonë njerëz të vegjël që e kanë njohur këtë mister. Le të mendojmë për shenjten Bernardetë Soubirous; për shenjten Terezë të Lisjesë, me leximin e saj të ri ‘jo shkencor’ të Biblës, por që hyn në zemrën e Shkrimit të Shenjtë” (Homelia. Mesha e Shenjtë me Anëtarët e Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, 1 dhjetor 2009).

Së fundi, Duns Skoti ka zhvilluar një pikë ndaj të cilës bota moderne është shumë e ndjeshme. Bëhet fjalë për temën e lirisë dhe të marrëdhënies së saj me vullnetin e me intelektin. Autori ynë thekson lirinë si cilësi themelore të vullnetit, duke i dhënë fill një skeme me prirje vullnetariste, që u zhvillua në kundërshtim me të ashtuquajturin intelektualizëm agustinian dhe tomist. Për shën Tomën e Akuinit, që ndjek shën Agustinin, liria nuk mund të konsiderohet një cilësi karakteristike e vullnetit, por fryti i bashkëpunimit të vullnetit dhe të intelektit. Një ide e lirisë natyrore dhe absolute të vendosur në vullnet që paraprin intelektin, qoftë në Hyjin qoftë në njeriun, në të vërtetë rrezikon të na çojë në idenë e një Hyji që nuk do të ishte i lidhur as me të vërtetën dhe të mirën. Dëshira për ta shpëtuar transhendencën absolute dhe ndryshueshmërinë e Hyjit me një theksim kaq rrënjësor e të padepërtueshëm të vullnetit të tij nuk mban parasysh se Hyji që është zbuluar në Krishtin është Hyji “logos”, që ka vepruar dhe vepron plot me dashuri ndaj nesh. Sigurisht, sikurse pohon Duns Skoti në linjën e teologjisë françeskane, dashuria e kapërcen njohjen dhe është e aftë të perceptojë gjithmonë më shumë se mendimi, por është gjithnjë dashuria e Hyjit “logos” (krh. Benedikti XVI, Fjalim në Regensburg, Mësime të Benediktit XVI, II [2006], fq. 261). Edhe në njeriun ideja e lirisë absolute, të vendosur në vullnet, duke harruar lidhjen me të vërtetën, e mospërfill faktin se po ajo liri duhet të lirohet prej kufijve që i vijnë prej mëkatit.

Duke u folur seminaristëve të Romës – vitin e kaluar – kam kujtuar se “liria në të gjitha kohët ka qenë ëndrra e madhe e njerëzimit, që prej fillimeve, por veçanërisht në epokën moderne” (Fjalimi në Seminarin e Madh Papnor Romak, 20 shkurt 2009). Por, pikërisht historia moderne, përveç përvojës sonë të përditshme, na mëson se liria është e përnjëmendtë, dhe ndihmon në ndërtimin e një qytetërimi vërtet njerëzor, vetëm kur pajtohet me të vërtetën. Nëse shkëputet prej të vërtetës, liria bëhet në mënyrë tragjike parim i shkatërrimit të harmonisë së brendshme të personit njerëzor, burim i mujshisë së më të fortëve dhe të dhunshëmve, dhe shkak i vuajtjeve dhe i zive. Liria, sikurse të gjitha aftësitë me të cilat është i pajisur njeriu, rritet dhe përsoset, pohon Duns Skoti, kur njeriu i hapet Hyjit, duke zhvilluar atë gatishmëri ndaj dëgjimit të zërit të Tij, që ai e quan potentia oboedientialis: kur ne vihemi në dëgj të Zbulimit hyjnor, të Fjalës së Hyjit, për ta pranuar atë, atëherë te ne vjen një mesazh që e mbush me dritë dhe shpresë jetën tonë dhe jemi vërtet të lirë.

Të dashur vëllezër e motra, i lumi Duns Skot na mëson se në jetën tonë thelbësore është të besojmë se Hyji është afër nesh dhe na do në Jezu Krishtin, dhe prandaj të kultivojmë një dashuri të thellë për Të dhe për Kishën e tij. Ne jemi dëshmitarët e kësaj dashurie mbi këtë tokë. Maria tejet e Shenjtë na ndihmoftë që ta pranojmë këtë dashuri të pafundme të Hyjit të cilën do ta gëzojmë plotësisht e përjetësisht në Qiell, kur më në fund shpirti ynë të bashkohet përgjithmonë me Hyjin, në bashkësinë e shenjtërve.







All the contents on this site are copyrighted ©.