2010-11-08 17:38:42

Pesë ipeshkvij, që i përkasin Kishës Anglikane, vendosën të bashkohen me Kishën Katolike.


(08.11.2010 RV)Pesë ipeshkvij anglikanë do të largohen nga Kisha e Anglisë dhe do të hyjnë në shërbimin Ipeshkvnor Apostolik, parashikuar nga Benedikti XVI me Kushtetutën Apostolike “Anglicanorum coetibus”. Njoftimin e jep Daily Telegraph, duke cituar edhe deklaratën e kryeipeshkvit të Kantërburit, Rouan Uilljams, primat i Bashkimit Anglikan, që flet për dorëheqjen e dy ipeshkvijve: Keith Newton (Keit Njuton) dhe Andrew Burnham (Endrju Bërnhëm), duke shënuar edhe emrat e tre të tjerëve: John Broadhurst (Xhon Brodhërst), Edwin Barnes (Eduin Bënnes) dhe David Silk (Dejvid Silk)
E përditshmja angleze pohon se të pestët janë të zhgënjyer nga reformat liberale që ka ndërmarrë Kisha Anglikane vitet e fundit e se duan të hyjnë në Ordinariatin, që do të themelohet vitin e ardhshëm, duke ruajtur traditat anglikane, edhe pse në bashkim me Romën, për të mos cënuar kërkimin e përhershëm të bashkimit të plotë të të gjitha Kishave të krishtera.
Për këtë njoftim, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, deklaroi gojarisht sa më poshtë:
“Lidhur me deklaratën e pesë ipeshkvijve, të cilët deri tani i përkisnin Kishës Anglikane, që kanë vendosur të bashkohen me Kishën Katolike, e që, për këtë arsye duhet të japin dorëheqjen nga veprimtaria aktuale baritore në Kishën e Anglisë, mund të pohojmë se është në studim krijimi i Ordinariatit të parë, sipas normave të caktuara nga Kushetuta Apostolike “Anglicanorum coetibus” e se vendimet e mundshme lidhur me këtë çështje, do të komunikohen në kohën e duhur.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.