2010-11-08 19:35:56

Më 8 nëntor, kalendari Kishtar katolike përkujton Shën Adeodatin, papë


Emri Adeodat vjen nga latinishtja e do të thotë i ‘dhuruar nga Zoti’. Adeodati, që në listën e papëve shënohet me emrin e pagëzimit Deusdedit (Zoti ka dhënë), por edhe me emrin Adeodat (i dhuruar nga Zoti) ishte bir i sudiakonit romak, Shtjefnit. Dimë se u edukua në kuvendin e Romës kushtuar Shën Erazmit, por nuk kemi të dhëna të tjera për rininë e tij e po kështu edhe për papninë, sepse nga gjysma e shekullit VII, shekull shkatërrimtar e i tmerrshëm për Qytetin e Amshuar, historia e Romës zhytet në një errësirë të plotë.
Dimë se në vitin 615, kur ndoqi papën Bonifaci IV, kishte kremtuar 40-vjetorin e meshtarisë. Kur Papa Bonifaci u ul në fronin e shën Pjetrit, detyrat më të rëndësishme në Kishë ishin në duart e murgjërve, sipas dëshirës së Gregorit të Madh (590-604). Papa i ri i zëvendësoi përsëri rregulltarët me priftërinj shekullarë, të cilët i detyroi të luten më shumë. Në këtë epokë një pjesë e mirë e Italisë ishte në duart e Longobardëve, ndërsa pjesa tjetër, me Romën, varej nga perandori i Lindjes, të cilin e përfaqësonte një ekzark që jetonte në Ravenë.
Kohë të turbullta, kur ndeshjet ndërmjet Lindjes e Perëndimit, edhe për probleme doktrinore ndërmjet të krishterëve, ishin çështje e ditës. Por Papa Adeodati nuk pati kohë, as mundësi, të merrte pjesë në ndeshje të kësaj natyre. Në vitin 616 jetoi në Romë kohët e tmerrshme të epidemisë së kolerës, pasuar, në vitin 618, nga epidemia e gërbulës.
Ndërmjet një epidemie e tjetrës, qyteti u rrafshua nga tërmeti i gushtit të vitit 618. Kështu Adeodati e jetoi papninë në mes të të vdekurve nga sëmundjet e të varrosurve për së gjalli nga termeti, që kërkonin ndihmë, sepse Roma i përkiste perandorit të largët, por fatkeqësitë e romakëve i përkisnin papës. E Adeodati nuk e kurseu veten: vrapoi gjithë ditën, ndihmoi sa mundi e ngushëlloi me gjithë shpirt. Vrapin e përditshëm ia ndërpreu vdekja, për të cilën gjithashtu nuk kemi asnjë të dhënë, ashtu si për viktimat e shumta, ndërmjet të cilave kaloi ditët e fundit të jetës. Dimë vetëm se u desh të kalonin trembëdhjetë muaj, derisa u zgjodh pasardhësi.
Nga Libri i Papëve mësojmë se bëri reformën liturgjike, që njihet me emrin Sekunda Missa, duke u krijuar meshtarëve binacionin apo mundësinë të kremtojnë edhe një meshë të dytë brenda ditës.







All the contents on this site are copyrighted ©.